Ballina Politika Basha: SPAK nuk ka izoluar Berishën dhe Metën, ata vetëdolën në krye...

Basha: SPAK nuk ka izoluar Berishën dhe Metën, ata vetëdolën në krye të opozitës për t’u mbrojtur nga drejtësia. SPAK duhet të hetojë deri në fund skandalin “McGonigal”, Rama nuk i shpëton dot drejtësisë

36
0

Kreu i PD-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha, për televizionin MCN u shpreh se ish-kryeministri Sali Berisha dhe kreu i PL, Ilir Meta, kanë dalë në krye të opozitës për t’u mbrojtur nga drejtësia, dhe nuk janë të izoluar nga SPAK-u.

Basha shtoi se ata që mbështesin Berishën dhe Metën shpresojnë të përfitojnë nga situata e tyre në raport me drejtësinë dhe faktorët ndërkombëtarë, duke theksuar se shqiptarët nuk mund të mashtrohen nga këto veprime.

Ai gjithashtu nënvizoi se është një pjesë e opozitës që është marrë peng nga individë me probleme me drejtësinë.

Pjesë nga intervista:

Pyetje: Mendoni se SPAK po dëmton opozitën, të gjithë opozitarët thonë duke lënë të izolur edhe zotin Berisha por edhe zotin Meta.

Lulzim Basha: Zoti Berisha dhe zoti Meta kanë vetëdalë në krye të segmentëve të opozitës për t’u mbrojtur nga drejtësia dhe jo anasjelltas. Dhe ata që i shkojnë mbrapa zotit Berisha dhe zotit Meta shpresojnë të përfitojnë nga situatat e tyre në raport me drejtësinë dhe në raport me faktorin ndërkombëtar. Shqiptarët nuk e hanë ‘sapunin për djath’. Nuk është SPAK-u që ka izoluar krerët e opozitës. Është një pjesë e opozitës që është marrë peng nga njerëz me problem me drejtësinë.

Lulzim Basha, u shpreh se hetimi i skandalit McGonigal, ku kryeministri Edi Rama dyshohet për korruptimin e një zyrtari të lartë të sigurisë amerikane, nuk do të ndalet vetëm në Shtetet e Bashkuara, por do të hetohet edhe në Shqipëri.

Basha theksoi se për herë të parë në 34 vite SPAK po çon para drejtësisë figura të larta të politikës, dhe shtoi se ky proces nuk mund të ndalet as për kryeministrin Rama, pas 12 vitesh aferash korruptive që kanë dëmtuar ekonominë dhe jetën e shqiptarëve.

Ai e quajti të rëndësishme mbështetjen për SPAK-un, duke garantuar se drejtësia duhet të funksionojë pa u ndikuar nga politikanët që kërkojnë të fshehin abuzimet e tyre me pushtetin.

Pjesë nga intervista:

Lulzim Basha: Kam bindjen se hetimi i skandalit të shekullit McGonigal ku për herë të parë në historinë e NATO-s, kryeministri i një vendi anëtar korrupton një zyrtar të lartë të sigurisë të një vendi tjetër anëtar, vendit më të rëndësishëm të aleancës, nuk do të mbetet pa u hetuar deri në fund edhe në Shqipëri. Ndërkoh që hetimi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës rezultoi në dërgimin me 6 vite e gjysëm burg të protagonistit të asaj ane të oqeanit. Ndërkoh që kemi protagonist edhe në këtë anë të oqeanit, i cili duhet me patjetër të hetohet derin në fund.

Pyetje: Cila është çështja më flagrante të themi që mund ta çojë kryeministrin Edi Rama para drejtësisë dhe të jap llogari. Sepse kemi parë në të gjithë këto vite nuk ka pasur një kryeministër që të japë llogari gjatë kohës që është në pushtet?

Lulzim Basha: Prandaj është shumë e rëndësishme të jepet një mbështetje totale SPAK-ut i cili për herë të parë në këto 34 vite po i jep fund kulturës së pandëshkueshmërisë, duke hetuar ata që konsideroheshin të paprekshëm, duke çuar para drejtësiëë ministra, ish-ministra, qeveritarë, ish-qeveritarë. Dhe padiskutim kësaj nuk mund t’i shpëtojë as kryeministri në detyrë, në veçanti pas 12 vitesh aferash korruptive që kanë lënë gjurmët e tyre në lëkurën e shqiptarëve, në familjet e shqiptarëve, në shtëpitë e zbrazura të shqiptarëve dhe në ekonominë e shkatërruar të Shqipërisë.

Pyetje: Mendoni se është e ndikuar politikisht drejtësia, nuk e kam fjalën vetëm për SPAK-un, por edhe për Gjykatën Kushtetuese, edhe për gjykatat e thjeshta.

Lulzim Basha: Përpjekja për të ndikuar drejtësinë nga politika, është diçka e vjetër sa politika dhe drejtësia që nuk do të resht kurrë. Sigurisht në këtë përpjekje, unë dhe Demokratët Euroatlantikë i qëndrojmë fuqimisht në mbështetje të drejtësië, për të realizuar misionin e saj që është t’i shërbejë ligjit dhe vetëm ligjit verbërisht. Padiskutim politikanët që ndihen të rrezikuar nga dhënia fund e kulturës së pandëshkueshmërisë, do të bëjnë gjithçka për të future nën kontroll, për të future në xhep, për të friksuar, për të intimiduar, kërcënuar drejtësinë. Ndaj ajo që na ndan midis këtyre lloj politikanësh që pasi kanë mbushur xhepat dhe kanë abuzuar me pushtetin, tani duan të godasin drejtësinë, kërcënojnë SPAK-un dhe ne Demokratëve Euroatlantikë si shumica dërrmuese së qytetarëve duam drejtësi që nuk mbron por godet të korruptuarit pavarësisht emrave të përveçëm apo ngjyrave politike që përfaqësojnë, që në rastin konkret, padiskutim kryeministri aktual dhe të gjithë të korruptuarit e kësaj qeverisje të dështuar dhe me pasoja për shqiptarët në këto 12 vite.