Egnatia ia del të triumfojë 0-2 ndaj Bylisit në Ballsh, në ndeshjen e vlefshme për javën e 14-të të Superiores.
Në pjesën e parë të dyja skuadrat krijuan raste, por pa mundur dot të zhbllokojnë sfidën. Në të 44-tën, kampionët e Shqipërisë fitojnë penallti, pas një kontakti Bakajoko-Marku. Nga pika e bardhë nuk fali Zejnullai, i cili me golin e tij, kaloi në avantazh rrogozhinasit.
Në minutën e 54-të, ballshiotët reklamojnë një penallti pas një dueli Treni-Zejnullai, por arbitri vazhdoi lojën.
Në minutën e 85-të, Ndreca ndëshkohet me karton të kuq, duke vështiësuar llogaritë për Egnatian, por për golin e sigurisë mendoi Ujka.
Egnatia shkon në kuotën e 23 pikëve, duke u vendosur kështu në ndjekje të vendit të parë, që është vetëm pak pikë larg. Bylis, skuadër që mbyll klasifikimin, do kërkojë qëndrimin në elitë.
Trajneri i Egnatias, Edlir Tetova, analizoi fitoren 0-2 ndaj Bylis.
“Do vinim për 3 pikët, i thashë çunave duke ditur terrenin, shirave, fusha nuk të lejon të lëvizësh topin. Ashtu shkoi, por jam i kënaqur me 3 pikët. Fola me Aleksin, mendoj ato sinjalet në fraksionin e dytë të pjesës së parë, u qetësua pastaj dhe hyri në lojë. I thashë të ishte vetëm kontrollor i topit të dytë për mbrojtësat dhe e bëri shkëlqyeshëm.
Kjo do ishte ndeshje episodesh, i shpjegova çunave që duhet të shërbejnë. Bakajoko nuk e bëri në pjesën e parë. Nuk kisha parashikuar Bylisin me 3 mbrojtësa, na vuri në vështirësi pjesën e parë, pastaj u normalizua dhe nuk kishim rrezik.
Penalltitë janë tre lojtarë që godasin, e zgjidhin mes tyre kush e godet. Shpresoj të kemi vazhdimësi, problematika kryesore të mos largohen më lojtarët, por me këto që kemi të kemi vazhdimësi.
Nervozizëm te Ndreca, siç e patë kishte nga dy anët për lojtarët”- tha ai.