Është zbardhur dëshmia e shokut të Martin Canit, i cili mbeti i plagosur ka konflikti mes të miturve që agravoi deri në përdorimin e thikës. Grupi hetimor i ka marrë ditën e djeshme dëshminë 14-vjeçarit që ndodhet në spitalin e Traumës, në praninë e psikologes dhe familjarëve. Luis Meçe ka thënë se ai dhe Martin Cani janë goditur disa herë me thikë, përveçse nga autorit tashmë i arrestuar edhe nga një person tjetër shok i autorit, me iniciale G.B. Sipas të plagosurit autori ka pasur thikë më të madhe, ndërsa personi tjetër thikë më të vogël dhe të dy i kanë qëlluar.
Raportohet se babai i të plagosurit është marrë sërish në pyetje në polici dhe ka dhënë të njëjtën dëshmi. Këto deklarime kanë bërë që grupi hetimor të vijojë sekuestrimin dhe këqyrjen e kamerave të sigurisë në të gjithë zonën nga e para. Tashmë po hetohet edhe pista që mund të kenë qëlluar dy persona. Nga kqyrja e parë e kamerave është konfirmuar se autori i arrestuar dhe dy bashkëmoshatarë të tjerë largohen me vrap nga vendi i ngjarjes deri te ish-ATSH aty ku u gjet edhe çanta dhe një thikë.
Pasi kanë mbërritur aty, dyshohet se një person i ka marrë me makinë të tre të mitur. Hetuesit janë rikthyer sërish aty për të sekuestruar kamerat. Bëhet po ashtu me dije se thika që u gjet nga policia nuk është e njëjtë me atë që ka publikuar autori i arrestuar në rrjete sociale menjëherë pas krimit. Ky fakt ka ngritur dyshimet te policia se mund të kenë qënë dy autorë të cilët dyshohet se kanë qëlluar me dy thika të ndryshme. Edhe telefonat celularë të autorit të arrestuar dhe dy shokëve të tij ende nuk janë gjetur nga policia. Dëshmitë e reja dhe dyshimet nga hetuesit i ka dhënë një tjetër rrjedhë hetimeve të policisë, për ngjarjen e rëndë. Përveç rikëqyrjes së kamerave të sigurisë, do të rimerren në pyetje i gjithë stafi i shkollës Fan Noli, të gjithë dëshmitarët e përfshirë që kanë qenë në ngjarje por dhe minorenët e përfshirë në konflikt.
Çfarë dihet deri tani për vrasjen e Martin Canit?
Martin Cani humbi jetën mesditën e 18 tetorit pasi u qëllua me thikë në bark nga bashkëmoshatari i tij, Mario Përlleshaj. Ngjarja e rëndë ka ndodhur pas një konflikti mes dy të miturve që ka degraduar në përdorimin e thikës. Mario Përlleshaj dyshohet se ka qenë në klasë paralele me viktimën, në shkollën 9-vjeçare Fan Noli. Konflikti mes të miturve raportohet se ka nisur në oborrin e shkollës, ndërsa ka agravuar jashtë ambienteve të saj. Autori ka nxjerrë thikën dhe ka qëlluar mbi 14-vjeçarin, Martin Cani.
Pasi është goditur me thikë, Cani është afruar tek shkolla, ka ecur disa metra dhe pasi ka nisur të humbë gjak, është rrëzuar në trotuarin para shkollës. Si pasojë e plagëve të marra, Cani ka ndërruar jetë në spital. I plagosur nga ky sherr ka mbetur edhe shoku i ngushtë i viktimës, i cili nuk mësonte në të njëjtën shkollë me to, po stërviteshin në të njëtin klub futbolli. I plagosur mbeti edhe vetë autori, i cili po trajtohet në një spital privat. Pak çaste pas krimit të rëndë autori kishte postuar foto me thikën më të cilin autori kreu vrasjen dhe dorën e tij e gjakosur që u plagos gjatë konfliktit. Po ashtu edhe në aplikacionin “Snapchat”, kishte publikuar një tjetër foto ku shihet i pashqetësuar për krimin që ka kryer.
Nga fotoja vihet re se autori ndodhet në një makinë, të cilët dyshohen se e kanë marrë atë nga vendngjarja, menjëherë pas krimit që kishte kryer. Ata që kanë marrë autorin e mitur nga vendi i ngjarjes, dyshohet se janë lajmëruar nga vetë ai dhe kanë ardhur me automjetet e tyre nga Sauku. Sipas informacioneve, ky grup nga Sauku rezultojnë të përfshirë edhe në konflikte të tjera.