Namir Lapardhaja
Dy prej kategorive kryesore që i vjen më për shtat çdo pushteti për të përdorur, janë budallenjtë dhe servilët.
Të parët nuk e kuptojnë që bëhen pjesë e diçkaje që nuk është e tyre, nuk është për ta, nuk u përket, por dhe nuk e meritojnë apo arrijnë dot, ndërsa të dytët, në dallim nga të parët, janë edhe më të rrezikshëm, sepse janë në gjendje të bëjnë gjithçka për t’u konformuar me të keqen.
Në varfërinë e madhe njerëzore që po përjetojnë qytetet tona, sidomos në dy dekadat e fundit, duke u reflektuar në varfëri intelektuale, kulturore, arsimore, ekspertize, profesionale, burime njerëzore, mungesa dhe inercia e vazhdimësisë ka nxjerr në skenën e jetës qytetare ata/ato që duhet të ishin thellë në prapaskenë, por edhe atje të fshiheshin dhe të rrinin sa më larg të qe e mundur.
“Kërkova në qytet për mësuesin më të dobët, por nuk e gjeta dot. E kishin bërë drejtor arsimi!” – kështu do të shprehej shumë vite më parë një i njohur për të portretizuar aftësinë që ka politika për të përdorur kategorinë e budallenjve dhe të servilëve në shkatërrimin e hierarkisë së vlerave.
Gjendja e sotme është edhe më alarmante, ku batica e dallgëve të pushtetit të gjatë dhe të lodhur nga pesha e vet ka nxjerr në skenë personazhe për të cilat qytetit do duhej t’i vinte turp nga vetja.
Budallenjtë dhe servilët duken krejt ‘amatorë’ dhe të papërfillshëm përballë një lukunie mishi dhe formash epshndjellëse që shërbejnë për të shuar libidonë e trazuar të pushtetit. Në këmbim të shuarjes së avujve dhe dëshirave të nxehta, pushteti i promovon në poste të larta drejtuese.
Ndërsa qyteti që i di, rri e bën sehir, sepse është i pafuqishëm për të ndryshuar atë që vetë ka gatuar ndër vite.
Përballë kësaj lukunie mishi, budallenjtë nuk mund të rrinë duarkryq. Të stisur nga pushteti që promovon lart profesionin më të vjetër në botë, ata përpiqen të mos qëndrojnë poshtë, por të shndërrohen në përfaqësues të popullit nëpërmjet një platforme ‘TalljaBythësQëDuam-al’, të cilën pushteti i madh ua servir si vazhdimësi e ‘bukës dhe cirkut’.
Do pyesni ju po servilët çfarë janë duke bërë në këtë mizanskenë?
Pyetje me vend, do t’ju përgjigjesha unë!
Ndërsa janë duke përjetuar kamxhikët e padrejtësive mbi kurrizin e tyre, ata janë duke i vërtetuar përditë besnikërinë pushtetit, duke i bëre ‘share’ në rrjetet sociale çdo teshtime dhe, me nder, pordhe të tij.