Ballina Kulturë Ca gjëra vijnë për të mos ikur kurrë

Ca gjëra vijnë për të mos ikur kurrë

17
0

Nga Llesh Ndoj 

Kisha dal në shetitoren bregdrinase të Lezhës, siç bëj sa herë ndjej nevojë për të davarit pak stresin e mërzinë, e pse jo, me u “arratis” nga vetja edhe me i thënë pak pleqërisë, ik! Shkëmbehem në këto dalje me të njohur e të panjohur, por me shumicën e të cilëve përshëndetemi vazhdimisht. Në njërën prej këtyre xhirove, që më pëlqen t’i bëj i vetëm, e ku shpesh edhe marr diçka frymëzuese nga natyra për ndonjë poezi apo temë shkrimi, u përshëndeta me të njohurin tim tashmë prej shumë viteve, zotin Mhill Guga. Mhilli, tashmë afër të tetëdhjetave, një burrë kurdoherë i kandshëm në komunikim, nuk kalon kurrë pa i ndërruar 2 – 3 fjalë me ata që takohet, apo shkëmbehet edhe në se me ta nuk njihet.

– Mirëmëngjes, – i them, si ke njeh sot?

Më pa drejt në sy me dashamirësi, siç duket edhe për t’më shquar plotësisht se kush isha, se helbete, përgjigja s’është kurdoherë e për të gjithë e njëjta, dhe ma ktheu me atë të folmen e tij të avashtë e karakteristike:

– Si pjejtë! (pleqtë)

E ndalova pak hapin, sepse kisha kënaqësi t’a “ngisja” edhe pak bisedën me Mhillin e mirë.

– Ani, – i them, e vazhdova:

– Pleqnia ardhtë e bardhë!

Më argumentoi se pleqëria ishte e lodhëshme dhe e vështirë në çdo aspekt, për të konkluduar pak më vonë: – Ma mirë me ik!

Ndonëse e kuptova saktë çfarë më tha miku i mirë Mhill, e “ngava” kastile bisedën në tjetër krah.

– Me ik do të ishte mirë, po pleqnia hyn në kategorinë e atyre gjërave, që kur vijnë, nuk ikin më!

– Thashë me ik unë, këmbënguli ai, se pleqnia e di se nuk ikën ma…

Bisedova pak munuta me të, ashtu siç ishim, të dy në kémbë e në pritje për të vazhduar shetitjen e zakonshme në kahje të kundërta të shetitores, aty ku gjethet e zverdhura të vjeshtës, pak mbi pemë e shumica të rëna, se ç’më vinin në krye si një persiatje e fjalëve të bashkëbiseduesit tim: Ma mirë me ik! Mhilli mbahet mirë për moshën që ka, vjen nga një zonë e nga një derë me tradita e Pukës, ka një familje të mrekullueshme dhe ekonomi normale për jetesë, dhe ajo përgjigja e tij, e dija mirëfilli se nuk kishte të bënte me këto aspekte jetësore, por thjesht me ato kufizimet që mosha i sjell në mënyrë të pashmangshëme për secilin njeri, ndaj eca më tej me bisedën:

– I zoti është ai, që e përzë të keqen, ndërsa me ik vetë tue i lanë asaj shtegun e lirë, nuk ta njeh kush për trimni, – i thashë, pa e ditur tamam në ia thashë atij, apo vetes! Apo ndoshta të dyve…

***

Gjuha vete ku dhemb dhëmbi! – thotë populli.

Mua natyrshëm kjo bisedë me mikun tim, ashtu në këmbë përgjatë shetitores, më barti fort larg në mendimet e mija. Shqipëria ime, vendi ku jetesën e quaj bekim e jo mallkim, e nga ku nuk do të largohesha për kohë të gjatë drejt asnjë vendi tjetër, sado i zhvilluar të jetë ai, dukshëm po bën hapa të përshpejtuara drejt plakjes. Edhe po të mos e them unë, këtë e thonë të gjitha statistikat, ato qeveritare e opozitare (fatkeqësisht tek ne edhe statistikat njohin pozitë dhe opozitë!), dhe e dëshmon çdo familje, çdo shesh, çdo takim, çdo tubim, çdo shetitore e lulishte ku mund të gjenden 4 – 5 stola e ku ata (pleqtë) mund të kalojnë orët e pakta të dimrit në kohën e mesditës për të marrë falas ngrohtësinë e rrezeve të diellit, apo gjatë orëve të zhegut të verës për pak fllad, nga se kondicionerët, ose nuk i kanë në banesa, ose i ndezin me “rracion” sepse energjia elektrike sot kushton shumë e atë pension që marrin ua kërkon, së pari farmacia, pastaj dyqani i bukës e në fund, “po teproi gjë” i vjen radha kondicionerit.

Pleqëria tek njerëzit mbërrin, e kjo nuk mund të konsiderohet një fatalitet. Përkundrazi, të plakesh është dhurata më e bukur që vjen nga Zoti, se ka nga ata, dhe të tillë nuk janë pak, që nuk e shijojnë dot këtë dhuratë. Kur shkruaj këta rreshta, shikimin ma turbullon kujtimi i trishtë i ndarjes tragjike nga jeta, vetëm pak ditë më parë, e të riut veçse 14 – vjeçarë, Martinit të vogël, sytë e të cilit shkëndijonin si t’ishin dritë qiellore mbi tokë.

Le të rikthehemi prapë aty ku e lamë: Pleqëria për njeriun nuk është pra një fatkeqësi, për më tepër nuk mund të jetë fatalitet, kurse plakja e shoqërisë në tërësi, po! Kjo është fatkeqësi…

E para, plakja si moshë, si një fazë fiziologjike e jetës, hyn në ato fakte, që kur vijnë, nuk ikin më, por secili prej nesh duhet të bëjë përpjekje për t’a lehtësuar atë, për t’i “amortizuar” dhimbjet e saj, e kjo kurrësesi nuk bëhet duke i ikur! Kur them ikje, nuk kam parasyshë vetëm ikjen nga kjo jetë, aq më shumë si “zgjedhje”, as thjeshtë ikjen e rinisë larg vendit, ku pleqëria është bërë sunduese, duke shkuar për të jetuar diku, atje ku ka më shumë rini, por ikjen prej saj si qasje shoqërore e shtetërore. Është fenomeni, ndoshta ndër të paktët, që “i iket” duke e pranuar dhe njohur atë në thelbin e vet.

Duke i ikur asaj fizikisht apo përmes qasjes ndaj saj, ndodh të plaket shoqëria, e kjo nëse nuk merret shpejt në konsideratë me politika serioze dhe afatgjata (këtu nuk kam aspak parasyshë parashikimin e PL – s së Metës për Shqipërinë katër milionëshe, brenda një mandati katërvjeçarë!), është fenomen shqetësues për vendin, për të mos thënë më shumë se kaq. Në se i ikim pleqërisë si fenomen real e aktual shoqërorë, ajo do të na mundë keqas, e pastaj zor se ka për t’u gjetur më shërimi i këtij fenomeni. Në realitet, të gjithë po tentojmë t’i ikim asaj, e askush pothuajse nuk po tenton të përpiqet për “t’a përzënë” këtë si një e keqe e madhe, që na kërcënon seriozisht. Është normale kërkesa për të rritur pensionet dhe presioni që ushtrohet ndaj qeverisë, por është alarmant rreziku që në një të ardhme jo të largët, gjithë sistemi i pensioneve të rezultojë një piramidë e re, shumë më shkatërruese se ato të ’96 – ‘97-s, dhe e gjitha kjo nga fenomeni i plakjes, e “ikja” prej tij me mosreagime apo reagime të gabuara e pjesore. Fëmijët tanë, rinia në tërësi, po ikin jashtë shtetit për një jetë më të mirë. Shumica e tyre kujdesen t’u nisin prindërve të tyre ndonjë kacidhe sa për të jetuar, disa të tjerë edhe kanë nisur t’i tërheqin pleqtë (kurrë s’pajtohem me këtë term, kur e dëgjoj nga goja e fëmijëve për prindërit!) ata në vendet ku jetojnë, por a mjaftojnë këto?

Jo…! Të rinjtë sot po martohen përgjithësisht në moshë të vonë, atëherë kur dikurë brezi ynë pothuajse kishte hequr dorë nga procesi fatlum i shtimit të familjes me filiza të rinj, shumë prej tyre martohen me partnerë të huaj, lindin pak fëmijë, sipas parimit: një pak e dy shumë(!) duke i kontribuar të sotmes e të nesërmes kontigjentë përherë e më të plakur për këtë vend. Edhe paraja… për ata që e kanë atë, “po plaket! Pasunarët ngurojnë t’a investojnë paranë nga pasiguria e suksesit në biznes, e dyshimi se nesër s’kanë kujt t’ia trashëgojnë. Të shumtit e ruajnë “për ditë më të vështira”, e jo pak po mendojnë “t’ia falin” emigracionit edhe atë, ose duke e investuar, ose duke e konsumuar jashtë vendit. Si pasojë e plakjes, fshatra e qytete të tëra s’frymojnë më sot në ditët tona. Qeveria vetëlavdërohet me bonusin e shtuar të pensionistëve, që për hir të së vërtetës është sa kartat e telefonit të një zyrtari. Natyrisht që s’jam kundër tij, po a mjafton kjo?!

Pleqëria pra ka mbërritur, e ajo nuk luftohet duke ikur e duke i ikur, siç po bëjnë shumica, qoftë individë apo struktura shtetërore, por duke e pranuar atë, e duke ndërtuar politika afatgjata për t’a frenuar sa nuk është vonë, në mos për t’a korigjuar, qoftë edhe me kosto shoqërore, gjithnjë përmes një memorandumi kombëtar që përjashton mundësinë që politika jetike si këto t’u nënshtrohen interesave e orekseve elektorale të aktorëve politikë në qeverisje dhe në opozitë.

***

Më vjen në mendje një ngjarje e treguar, besoj shumë vite më parë: Dy barinj po kullotnin delet në mal dhe qëndronin njëri në njërin skaj të kullotës e tjetri në skajin tjetër, duke vrojtuar tufën e duke u kujdesur që egërsirat apo diçka tjetër, të mos u bënte dëm. U trembën delet në një moment, e qentë lëshuan alarmin me të lehura.

Bariu nga skaji më i largët me ngjarjen e pyeti shoqin:

– A mo ke uki, bre!

Tjetri i përgjigjet:

– Po, a mo keshë unë, a!

Vazhdon shoku matanë:

– A mo muer gja, valla?

– A mos pat ardhë me pru, bre vlla!, – ia ktheu tjetri, thuajse i dorëzuar.

Ja…! “Ujku” – pleqëri ka ardhë e ai s’vjen me pru gja, por veç me marrë! Ai aktualisht na ka kafshue të gjithëve, e s’ban hiç me thanë: Bane Zot andërr!