Ballina Kulturë Shqiponja me dy koka e tri mendje

Shqiponja me dy koka e tri mendje

31
0

Satir nga Sevdail Hyseni

 

Në tokë të shqipes, sa jemi krenarë,

Ku valon flamuri kuq e zi kombëtar.

Na bashkon gëzimi e hareja pa kufi,

Përveç disa “patriotëve” me bateri…

Njëri thotë: “Unë jam mbreti kaq fisnor,

e kam flamurin në zemër dhe në dorë!”.

Tjetri thotë: “Unë shqiponjën lart e mbaj,

ju vetëm fërkoni duart nënë hijen e saj!”

Politikani ngjitet, fluturim deri në diell,
Me fjalime si raketa që s’prekin as qiell.

“Jam biri i shqipes, luftëtar pa pushim,
në beteja elektorale po kërkoj besim.”

Në qoshe qëndron ai pseudointelektuali,
Me librin në dorë, flet me zë si papagalli,

“Flamuri na bashkon,” – thotë me kopalla,
kam më shumë vepra se yjet në përralla!

Në agjendë partish, flamuri bëhet kozmetik,
Të shpërndahet sikur tortë për interesa politik.

Njëri e përdor për klan e tjetri për përqafime,
Veç populli i thjeshtë e ruan nëpër kujtime.

E shqiponja, aty si mbretëresha në flamur,
Me dy koka lart e me shpirt të pastër bilur.

Pyet me ironi: “Sa koka të tjera më duhen vallë,
t’i mbaj gjithë këto mendime që sillen vërdallë ?!

Mirëpo, populli qesh sepse vetëm ai na jep mësim,
Sepse në zemrën e tij flamuri, ka një tjetër kuptim.

Jo për vota, tituj, kolltuqe e shumë të tjera favore…
Por, për dashuri e histori, që s’i plak toka Arbërore !

Pra, të këndojmë e vallëzojmë sot për Flamurin e lirë,
Jo për fjalë të zbrazëta, por për një të ardhme të mirë.

Pse jo? Le të ngremë dolli me humor e tradita të rralla,
Sepse Shqiponja, nuk ushqehet me gënjeshtra të gjalla..!