Megjithë optimizmin e kreut të LVV-së, avokati i njohur shqiptar Spartak Ngjela, shprehet se Albin Kurti mund të ketë nevojë për një koalicion në zgjedhjet e ardhshme.
Sipas Ngjelës, popullariteti i tij ka rënë dhe ai ka përplasje me politikën amerikane, gjë që mund ta dëmtojë.
“Kam përshtypjen se duhet të ketë nevojë për koalicion. Kjo sepse i kanë rënë aksionet Kurtit. Dhe Kurti e ka kundër politikën amerikane. Kjo do ta dëmtojë”, ka thënë avokati për gazetën “Bota sot”.
Ngjela pret të shohë se cili do të jetë aleati zgjedhor i Kurtit dhe rivali i tij nga opozita në këtë proces zgjedhor në Kosovë.
“Të shohim se kush do të jetë aleat zgjedhor i Kurtit në këtë proces zgjedhor në Kosovë. Dhe, cili do të jetë rivali i tij nga opozita”, ka theksuar avokati për ”Bota sot”.
Zgjedhjet e fundit parlamentare në Kosovë janë mbajtur më 14 shkurt të 2021-së dhe të cilat ishin organizuar brenda një periudhe të shkurtër kohore për shkak se ishin të jashtëzakonshme.
Në zgjedhjet e 2021-së, Lëvizja Vetëvendosje kishte marrë mbi 50 për qind të votave, në listë kishin qenë zyrtarë të listës Guxo, të cilët gjatë mandatit të parë janë kthyer në parti politike.
Partitë Vetëvendosje (VV), Guxo dhe Alternativa kanë pasur një bashkëpunim të ngushtë në politikën e Kosovës, veçanërisht gjatë zgjedhjeve dhe formimit të Qeverisë.
Në zgjedhjet parlamentare të mbajtura në shkurt të 2021-së, Lëvizja Vetëvendosje (VV) garoi në një listë të përbashkët me Lëvizjen Guxo, një subjekt i udhëhequr nga presidentja Vjosa Osmani.