“Kur të mbush 33 vjeç, do të dal në pension. Nuk mund të jesh një yll rocku gjatë gjithë jetës tënde”, thoshte Mick Jagger, në mënyrë sfiduese, në fillim të viteve shtatëdhjetë. Një auto-profeci që duhej të ishte realizuar në vitin 1976, por gjërat shkuan ndryshe, ashtu si për Who e Roger Daltrey dhe Pete Townshend, të cilët në himnin e tyre rebel të vitit 1965, My Generation, thërrisnin: “Shpresoj të vdes para se të plakem.
“Është më mirë të digjesh se sa të venitesh ngadalë” këndonte më vonë Neil Young në këngën e famshme Hey Hey, My My (Into the black), por më pas, megjithëse me disa pauza për shkak të problemeve shëndetësore, në moshën 80-vjeçare, ai ende vazhdon e udhëton në shoqërinë e kitarës elektrike.
Ata shkruajnë këngë të reja, bëjnë disqe, hipin në aeroplan dhe shkojnë në turne, ndërsa ende argëtohen, duke sfiduar kohën, abuzimet e së kaluarës dhe ligjet e fizikës (sprintet dhe kërcimet e Mick Jaggerit në skenë në moshën 81-vjeçare nuk kanë të ngjashme). Ata janë të guximshmit e rock and roll-it, një klub ekskluziv i shtatëdhjetëvjeçarëve dhe tetëdhjetëvjeçarëve që ende mbushin arena, stadiume dhe teatro.
Dhe jo vetëm për para, sepse sigurisht që ato nuk u mungojnë. Në ato fytyra të shenjuara pashmangshmërisht nga rrudhat është historia e rock-ut, një zhanër që këtë vit mbush të shtatëdhjetat dhe mbi të ardhmen e të cilit hidhen shumë hije.
Pas AC/DC që mbledh njëqind mijë spektatorë për koncert, pas David Gilmour që mbushi plot gjashtë herë Circus Maximus në Romë dhe katër herë Madison Square Garden në Nju Jork, pas Bob Dylan (83 vjeç) që mban vazhdimisht koncerte në çdo cep të globit ose Guns N’ Roses që mblodhën turma të mëdha me hitet e tyre të publikuara në vitet Tetëdhjetë dhe Nëntëdhjetë, ekziston një nga levat më të fuqishme të tregut: nostalgjia.
Gjë që përkthehet në dëshirën për të dëgjuar Paul McCartney-n të këndojë edhe një herë Hey Jude, për të shijuar një copëz të Led Zeppelin në shfaqjet e jashtëzakonshme solo të Robert Plant ose për të ringjallur plotësisht emocionet e The Wall nëpërmjet Roger Waters. Skena e sotme e rock-ut paraqet një panteon përbindëshash të shenjtë, dëshmitarë të epokës së artë të një mënyre për të bërë art: ata janë muzikë klasike e destinuar të mbetet përgjithmonë.
Nuk mund të thuhet e njëjta gjë për gjeneratat e reja, grupe që kanë një ndjekje jo vetëm të zbehtë, por që nuk ka forcën dhe kreativitetin e atyre që ishin para tyre. Nuk ka Rolling Stones të ri, por as Metallica, Deep Purple, U2, apo ndonjë të afërt me David Bowie dhe Lou Reed.
Për shumë arsye. E para është se ka mungesë nxitjeje nga publiku më i ri, i cili sot tërhiqet kryesisht nga tingujt e muzikës pop, kërcimi dhe sharmi i metrikës së repit dhe hip hopit. Zhanret, këto të fundit, që jetojnë më shumë me rima dhe fjalë sesa me muzikë, ndaj djali që i bie kitarës është “më pak i lezetshëm” se ai që bën diss.
Pastaj është faktori kohë: ndërtimi i karrierës së një grupi ose një artisti rock kërkon muaj, vite, javë provash dhe studio regjistrimi. Këto kosto janë pothuajse të papajtueshme me modelin e sotëm të biznesit. Sot duhet një single që funksionon menjëherë, që ka ndikim në mediat sociale. Pas të gjithë emrave klasikë që përmendëm, ekziston një alternim i dështimeve dhe sukseseve globale, i përpjekjeve të dështuara dhe intuitave të shpejta.
Kur Rolling Stones u përpoqën të imitonin Beatles, duke regjistruar një album jashtëzakonisht eksperimental të bazuar në psikideli, beats, mellotron dhe ide të çuditshme etnike, ata u përplasën me një nga lëvizjet më fatkeqe të karrierës së tyre. Ishte viti 1967, dhe pavarësisht Their Satanic Majesties Request, ata janë ende në qarkullim. Nëse do t’i ndodhte një grupi sot, do të ishte fundi i gjithçkaje.
Krahasuar me të tashmen ekziston përjashtimi i Måneskin: nga koncertet në rrugët e Romës, te X Factor, te Sanremo, te shitjet në mbarë botën. Por është një përjashtim. Siç janë Muse, Linkin Park ose Arctic Monkeys. Në të kundërt, Radiohead, i lindur si një grup mjaft tradicional rock, por i aftë rekord pas rekordi për të shpikur një gjuhë të re muzikore, duke e projektuar veten përpara si askush tjetër. Një paraqitje e shkurtër e realitetit mbi të ardhmen e rrokut ofrohet nga nominimet shumë të fundit në kategorinë “Albumi më i mirë Rock” për çmimet Grammy 2025 Midis shtatë të nominuarve janë… Rolling Stones, Green Day (me 32 vjet karrierë), Pearl Jam (albumi i parë u publikua në 1991), Black Crowes (grupi u formua në Atlanta në 1984), kitaristi-kompozitor Jack White (49 vjeç) dhe, më në fund, Fontaines D.C. (rreth vitit 2014) dhe Idles (2009). Gjithçka e qartë.
Teknologjia ka ndryshuar muzikën, por edhe mënyrën se si ne e shijojmë atë. Artistët e “shkollës së vjetër” shtyheshin, promovoheshin, futeshin nëpër shtëpi e në veshët e publikut me punë të përpiktë, gati artizanale. Sot, muzika, me përjashtim të emrave të konsoliduar, tenton të jetë zhurma e dhjetëra mijëra këngëve të reja që pushtojnë platformat e transmetimit çdo javë: është shumë e ndërlikuar që një grup rock të shfaqet, të zgjidhet, të bëhet një pikë referrimi. Dhe jo vetëm sepse prapa janë hijet e gjigantëve të zhanrit.
“Dëshira për të qenë të famshëm ka zënë vendin e bukurisë, të madhështisë. Regjistrohen këngë për të shkuar në Tik Tok”, thotë Jimmy Iovine, një nga producentët më të rëndësishëm të muzikës të të gjitha kohërave (John Lennon, Bruce Springsteen, Patti Smith, Dire Straits, U2)
Prandaj, asgjë nuk është përgjithmonë, madje as rock and roll, i lindur shtatëdhjetë vjet më parë dhe i sjellë me forcë në krye të top-listave amerikane dhe angleze në vitin 1954 nga Rock Around the Clock, i regjistruar me nxitim nga Bill Haley & The Comets në Phythian Temple Studios në Nju Jork. Fillimisht ishte pjesa B e një kënge tjetër që u konsiderua shumë, shumë më e fortë, por që askush nuk e mori: Trembëdhjetë Gra (dhe vetëm një burrë në qytet). Pas disa muajsh, ajo anë B e kasetës u përfshi në titullin e hapjes së filmit “blackboard Jungle”. Dhe asgjë nuk ishte më si më parë. / bota.al