Ballina Kosovë Pse Vjosa Osmani nuk mori pjesë në Darkën e Lamës të organizuar...

Pse Vjosa Osmani nuk mori pjesë në Darkën e Lamës të organizuar nga Peci? Flasin nga Presidenca

17
0

Ministri i Bujqësisë, Faton Peci mbrëmjen e së hënës ka shtruar Darkën e Lamës, ku në mesin e shumë personaliteteve, i pranishëm ishte edhe kryeministri Albin Kurti.

Pjesëmarrës në darkën e Ministrit të Bujqësisë përveç kryeministrit Albin Kurti, ishin edhe zyrtarë të ministrive, ambasadorë e përfaqësues të korporatave bujqësore, por aty nuk u pa presidentja Vjosa Osmani.

Media ka pyetur zyrën e presidentes Osmani, për mospjesëmarrjen e saj në këtë darkë.

Bekim Kupina, këshilltari për media i Osmanit ka bërë të ditur se traditën e Darkës së Lamës, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, këtë vit e ka organizuar në SOS Fshatin e Fëmijëve në Kosovë.

“Darka e Lamës, e iniciuar nga Presidenti historik Dr. Ibrahim Rugova është traditë të cilën Presidentja Osmani e ka vazhduar çdo vit, përfshirë sivjet më 26 tetor 2024.

Çdo vit nderohen grupe të ndryshme, ndaj përgjatë kësaj pjese të mandatit të Presidentes Osmani, kjo darkë është shtruar për: trupin diplomatik, Policinë e Kosovës në kampin “Enver Zymberi”, banorët e Shtëpisë së të Moshuarve dhe më 26 tetor të këtij viti, me fëmijët dhe të rinjtë e fshatit SOS”, ka deklaruar Kupina.

Ai ka shtuar se ruajtja e kësaj trashëgimie është thelbësore për ta vazhduar traditën tonë kombëtare dhe institucionale.

“Në përputhje me vizionin e Presidentit Rugova, Darka e Lamës është një organizim nën patronatin e institucionit të Presidencës, institucion ky që sipas kushtetutës përfaqëson unitetin e popullit, e poashtu mbahet në tetor për shkak të kohës kur mblidhen dhe vilen të mirat e tokës sonë.  Pra, ashtu siç është nisur nga Presidenti Rugova, ashtu është vazhduar deri tash nga Presidentja Osmani”, ka thënë Kupina.

Në vitin 2002, ish-presidenti Ibrahim Rugova shpalli Ditën e Falënderimeve – Darkën e Lamës si një festë shtetërore.