Për bileta avioni dhe hotele, taksi apo makinë me qira… bashkë me dietat dhe përkthyesit, deputetët shqiptarë shpenzuan 400 mijë euro deri në gusht vetëm për udhëtime jashtë vendit. Pjesa më e madhe e parave rezulton të ketë shkuar për biletat e udhëtimit, ndjekur nga pagesa për akomodim në hotel dhe shpërblimet, shkruan A2 CNN.
Shpenzimet e ligjvënësve kanë tejkaluar parashikimet fillestare duke harxhuar në tetë muaj 70 për qind të buxhetit total për vitin 2024.
Me këtë ecuri, do të duhen dhe 5-6 milion shtesë buxheti për këtë zë. Për periudhën 8-mujore janë lëshuar 105 urdhra për udhëtime jashtë shteti, për udhëtimin gjithsej të 339 persona, nga të cilët 212 deputetë, 25 staf politik dhe 122 staf administrativ.
Shpenzimet për 140 përfaqësuesit e popullit në Kuvend janë zgjeruar ndjeshëm edhe në drejtim të pagave. Pas dakordësisë së arritur mes qeverisë dhe opozitës fund-majin e vitit të shkuar, shpenzimet për rrogat dhe sigurimet shoqërore të tyre janë mbi dyfishuar. Nga 227.4 milionë lekë në janar-gushtin e një vitit më parë, për po për njëjtën periudhë kohore këtë vit janë shpenzuar 736.4 milionë lekë për pagat e deputetëve.