Ballina Kosovë ​Rritet numri i rasteve të dhunës në familje, shumica e viktimave gra

​Rritet numri i rasteve të dhunës në familje, shumica e viktimave gra

28
0

Mbi 80 për qind e rasteve të dhunës në familje vazhdojnë të jenë vajza. Dhuna është një plagë sociale që prek familjet, komunitetet dhe shoqërinë. Kështu është thënë në tryezën e organizuar nga Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX) me temën “Lufta kundër dhunës ndaj grave dhe vajzave: Politikat dhe avokimi – Zbatimi dhe rruga përpara”.

Zëvendësshefja e EULEX-it, Emily Rakhorst tha se që nga hyrja në fuqi të Konventës së Stambollit, Kosova ka treguar përkushtim ndaj hartimit të saj, sa i përket dhunës në familje, porse potencoi se ende ka shumë punë për t’u bërë.

Ajo tha se gratë dhe vajzat vazhdojnë të përballen me dhunë në familja, në punë e komunitet, derisa shtoi se varësia ekonomike përkeqëson gjendjen e tyre.

Rakhorst thekson se të mbijetuarat e dhunës me bazë gjinore kërkojnë mbështetje të përgjithshme.

Ndërkaq, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu tha se dhuna nuk është një çështje që prek individët, porse sipas saj “është një plagë sociale që prek familjet, komunitetet dhe shoqërinë.

Haxhiu potencoi se dhuna është një pengesë për barazinë gjinore, drejtësinë dhe zhvillimin shoqëror.

Ajo u shpreh se adresimi i dhunës në familje dhe asaj me bazë gjinore është një nga prioritet e programit qeverisës.

Haxhiu tha se mbrojtja e jetës së vajzave dhe grave është përgjegjësi e ekzekutivit, legjislativit dhe të gjitha institucioneve të drejtësisë.

Nënkoloneli, drejtor i Divizionit për Siguri Publike të Policisë së Kosovës, Arbresh Ajvazi tha se Policia e Kosovës është ndër aktorët kyç për hulumtimin dhe parandalimin e kësaj dukurie shqetësuese, duke iu referuar dhunës në familje.

Ai potencoi se sipas të dhënave statistikore dhuna në familje po shënon trend në rritje, e cila kërkon një qasje profesionale dhe serioze.