Policia gjermane në Augsburg ka dhënë detaje të zgjeruara lidhur me operacionin e përbashkët me Policinë e Kosovës për arrestimin e 20 personave nëpër 14 lokacione të ndryshme në Kosovë.
Në njoftim zyrtar, policia prezanton skemën e mashtrimit të grupit kosovar. Thonë se pati ankesa të shumta nga investitorët që mashtroheshin nga Bavaria vitet e fundit. Çdoherë sipas policisë bavareze, ata përdornin metoda të rreme për investitorët për përfitimin e shumave të konsiderueshme.
“Arsyeja e hetimit ishin ankesat e shumta penale nga investitorët e mashtruar nga e gjithë Bavaria në vitet e fundit. Ata kishin investuar më parë shuma të mëdha parash në platformat e supozuara të tregtimit në internet. Veçanërisht në fillim të marrëdhënies së biznesit, ata u mashtruan në mënyrë të rreme për fitime të konsiderueshme. Edhe duke përdorur grafikët e simuluar, me pamje profesionale, investitorëve iu krijua përshtypja se ata mund të rrisnin fitimet e tyre shumëfish përmes investimeve të mëtejshme. Në fakt, paratë e investuara nuk u investuan kurrë, por përkundrazi përfunduan në xhepat e mashtruesve”, thuhet në njoftimin e policisë bavareze.
Siç njofton policia bavareze, dëmi i shkaktuar nga grupi i autorëve është i konsiderueshëm. Aktualisht ka raportime se janë rreth 350 viktima në Gjermani si pasojë e këtij grupi. Policia gjermane përmendin një rast të një investitori, i cili u mashtrua duke iu marrë pothuajse 1.9 milionë euro brenda një periudhe nëntë mujore nga maji i 2020-ës.
“Gjatë bastisjeve, ndër të tjera janë gjetur edhe tri Call Center në Prishtinë dhe Ferizaj. Oficerët sekuestruan para të gatshme në rangun prej gjashtë shifrash atje dhe në njëmbëdhjetë apartamentet private të kontrolluara konfiskuan telefona celularë, PC, laptopë, USB, një armë zjarri dhe dokumente të tjera. Autoritetet hetimore gjithashtu ngrinë të gjitha llogaritë e të dyshuarve. Po ashtu, të dyshuarit i janë konfiskuar pronat dhe pesë automjete luksoze“, vijon njoftimi.
Ndryshe, Policia e Kosovës përgjatë javës që shkoi në aksionin e 27 nëntorit arrestoi 20 persona. Kjo, pas kontrollit të 14 lokacioneve të ndryshme nëpër Kosovë.
Operacionin mes policisë së dy shteteve e përshëndeti ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde. Rohde tha se përgëzon Policinë e Kosovës dhe të Gjermanisë për suksesin e përbashkët në operacionin e kundër krimit të organizuar.
“Këtë javë Policia e Gjermanisë dhe ajo e Kosovës kryen me sukses një operacion të përbashkët kundër mashtrimit me Call Center në Kosovë. Ky operacion nënvizon bashkëpunimin e shkëlqyer të autoriteteve tona në luftën kundër krimit të organizuar. Faleminderit të gjithë oficerëve të përfshirë për punën e shkëlqyer ekipore!”, shkroi Rohde javën që shkoi.