Ballina Kulturë Një shami mëndafshi, plot për plot me ëndrra- Poezi nga Ymer Nurka

Një shami mëndafshi, plot për plot me ëndrra- Poezi nga Ymer Nurka

67
0

Nga Ymer Nurka 

Lirika e ikjes

Në strehë të shtëpisë, çelur një lofatë,
Të troket në xhama, me një degë të thatë.
Po të priste trimi, për një rrugë të gjatë.
Nga të dy sandalet, njëra të kish takë.
Të gjithë po flinin, ti syrin filxhan,
Vështroje shtëpinë, ç’të merrje nishan.
Për belin e hollë, s’pate një kollan.
Për gushën guguçe s’u gjend një gjerdan.
Një shami mëndafshi, plot për plot me ëndrra,
Tjetër gjë mendoje, tjetër të kish ënda.
Kur hape dritaren, s’po të bënte zëmra,
Të vije pas djalit, a të rrije brenda?!
Më vinte i bëjshëm, shtati yt me nam,
Zotrote bardhoshe, bandilli zeshkan.
Të hipi në kalë, po kali s’të mban,
Për krushk të përcolli, qeni laraman.

Magjia e Dashurisë

Magjia kërkon, sa pak që të ndizet,
Veç fjalën “të dua!”, e lutjen” më qafsh!”
Askujt s’i merr lejë, kur ndodh që të ngjizet.
Jep shënja me puthje e digjet me afsh.
Ajo është “përplasje” dy yjesh pa emra,
Bashkë teksa lozin, si diell e si hënë.
Harmonia e ritmit, kur rrahin dy zemra
Rreken njëra-tjetrën përbrenda ta nxënë.
Ajo është një pus përmbushur plot llavë,
Ku brenda symbyllur hidhemi të dy.
Perkëdhelur e joshur për vite me radhë
Dhe frutat kemi pjekur me sy.
Magjia është fillimi, njëherësh dhe fundi,
Lindur e vdekur me përplasje qepallash.
Njëherësh, është çasti krijuar nga mundi,
Mirazh, që sfidon gjithfarë andrallash.
Magjia përngjet me një lule Edeni,
Në thahet në shpirt, zor më se shpërthen.
Burim dëshirash dhe ëndrrash që kemi,
Në kulmin e moshës rikthehet liqen.

Refleksion

Mos lodhi me mua i lashë filozofitë,
Për më tepër, mos ju ngop me moral!
Ankth njëri-tjetrit, i falim përditë,
Çështja është; gëzimin kush fal!
S’dua që agun ta çelni të trishtë,
Me vargun e sertë, si vandal!
Shpirtin nga dhimbjet e kemi të brishtë,
E hallet mbi shpinë si mal.
Kemi plot rrugë për të bërë me jetën,
Gjer çastit, kur fryma na ndal,
S’dua jo kurrë të ndjeheni vetëm
Pa fjalën e ngrohtë, pa shpresë e pa mall.
Më thoni, ç’vlerë do të kish poezia,
Në s’vjen si një frymë që të ngjall?!
Në gurra e saj nuk është dashuria,
Vetë poetët qënkan në hall.

Lajmotiv

Nëpër ditë e nëpër mote,
Në mos paça dashurinë,
Thellë në zemër e në shpirt,
Oksigjen në çdo qelizë.
Nëpër udhët, kësaj bote,
Këmba ime kudo shkon,
Dashte zoti, të më presë,
Si një mall, a si një shpresë,
Ndaç e shpallur, ndaç suprizë,
Nga stacioni ne stacion!
Si m’e bukura krijesë,
Fundja qoftë, si të dojë,
Dhe arsyen, që do vdes,
E pranoj unë me çdo çmim!
Pastë sy e pastë gojë,
Buzën, trëndafil me vesë
Dhe dy krahë, të më përqafojë,
Si një zog në fluturim!
Ajo qoftë, sikur e vetme,
Dielli dhe motivi im!

Lulekuqja

Lulekuqe Vjeshtës, s’të prek dot me dorë,
Se je aq e brishtë, sa s’bënesh kurorë!
Nga të gjithë muajt, ti zgjodhe Nëntorë,
Të skuqje e tëra, si flamur në Vlorë!
Të vije e kuqe, e gjitha ç u çele.
O shënjë lirie, simbol gjaku ngele!
Stuhive të motit, s’u rrite me dhele,
Krenare u ngrite, me këmbë jo, s’u shkele!
Të dukesh e bukur, shënjtëri u shfaqe,
Sikur mall i vashës, purpuron në faqe.
Qëndron si arsye, përmbi mijra shkaqe,
Çel e feks ndër zemra për të sjellë paqe!
Thellë nëpër shekuj, ç e kërkove pragë,
Gjersa ti e gjete, siç gjen Dielli agë.
Trolli të ngroh rrënjët, shpirtrat falin vlagë,
Tek ti lulekuqe, vështroj mijra plagë!

Kënga e çames

Siç ma kishte ënda, bëra asaj ane.
Renda për ty renda, moj e bukur Çame!
Lule t’ergjënda feksur mbi tumane.
Ç’ëndërr fshihet brenda, mos e thuaj xhane!
Mos e thuaj xhane, ç’ëndërr brenda fshihet!
Dy a tre nishane, si drita mbi hijet.
Një raki prej thane, pij e nuk më pihet.
Një tingull kambane tutje seç po ndihet!
Me dy a tri nota, ajo diç më thotë,
“Sa hire fsheh bota, djal-o, s’i sheh dot!
Sa hëna të plota, gjysma duken sot,
Sa fjalë të kota, thënkemi për plot!”
Me shtatin e gjatë, si selvi Janine,
Me gjinj të begatë, sumbulla rubine,
Njomet buz’ e thatë, njomet mbi burime,
Që rrjedhin nga lart, pikëz e thërrime.
Ç’zemërdashuruar, nuk deshi të lozi?
Moj gushëzpraruar, porsi abanozi!
Moj buzëmbëlsuar, si mjaltë Ambrozi!
Syri yt i shkruar, ç më treti, ç më sosi!

Në vlagën e mallit

Rrëzë shkëmbit ata gurë,
Ata gurë të rrumbullakët!
Poshtë tyre mbillej grurë,
Ah moj buka jonë e pakët!
Ish një arë e vogël shumë,
Që i thoshin “Arë e kuqe”.
Ku thëllëzat s’flinin gjumë,
Bënin naze, kishin huqe.
Rrëzë shkëmbit ata gurë,
Si memecë, pa përgjigje.
Janë pak të ngre një urë,
Janë mjaft të lidh dy brigje!
Sjell në mend një mbrëmje maji,
Midis yjesh qeshte hëna.
Me një hejbe mall, babai,
Një shami plot lule, nëna!
Rrëzë shkëmbit ata gurë,
Ata gurë të rrumbullakët!
Di që fati i ka prurë,
Meteorë, djegur nga flakët!
S’di nga ç’mot i largët vijnë,
Si aty kanë zënë vend!
Përmbi ta kujtimet mbijnë,
Trëndafila, pa një gjemb!
Poshtë tyre shkon një udhë,
Sipër tyre rri një majë,
Shkon një udhë, si një rrudhë,
Që dy kohra nis të ndajë.
Rrëzë shkëmbit ata gurë,
Që dikur shkrumbuan dhenë.
Para tyre s’jam më burrë,
Por një zog, që qan folenë!
Në foto vendlindja ime Strelca