Një raport i zbuluar së fundmi pretendon se agjencia e inteligjencës hungareze spiunoi zyrtarët e BE-së që vizitonin vendin, kontrollonin dhomat e tyre të hoteleve dhe regjistronin bisedat telefonike, sipas Politico.
Një hetim i përbashkët i medias “Direkt36” dhe “De Tijd” zbuloi se Kabineti Hungarez i Informacionit (IH), ekuivalenti i CIA-s në Budapest, kishte në shënjestër hetuesit e Zyrës Evropiane Kundër Mashtrimit (OLAF), të cilët në një moment hetuan një firmë hungareze në pronësi të dhëndrit të kryeministrit.
Raporti liston rastet ndërmjet viteve 2015 dhe 2017 në të cilat zyrtarët e BE-së që punonin për OLAF, të cilët udhëtuan për në Hungari, u ndoqën fizikisht ndërsa udhëtonin me makinë dhe u përgjoheshin telefonat.
Raporti shtoi se ishte praktikë e zakonshme për agjencinë hungareze të spiunazhit të kontrollonte dhomat e hoteleve të delegacioneve të BE-së që vizitonin dhe të shkarkonte informacion nga laptopët e tyre.
Bertalan Havasi, një zëdhënës i kabinetit të Orbanit, mohoi gjithçka për Politico: “Ne nuk merremi me lajme të rreme”.
Budapesti ka qenë prej kohësh nën presion mbi akuzat për hakerimin e telefonave të gazetarëve, aktivistëve dhe figurave të opozitës. Sipas Politico, një ligjvënës hungarez pranoi në vitin 2021 se qeveria kishte blerë mjete spiunazhi izraelite.