Vijojnë kontrollet intensive për parandalimin dhe goditjen e aktivitetit të paligjshëm të lojërave të fatit, evidentohen dhe goditen 3 raste të tjera.
Arrestohen 2 shtetas dhe procedohen në gjendje të lirë 2 të tjerë, pasi u kapën në flagrancë në 3 lokale, duke organizuar lojëra fati, me celularë.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës, në vijim të goditjeve të njëpasnjëshme ndaj veprimtarisë së kundërligjshme të lojërave të fatit, si rezultat i kontrolleve të vazhdueshme në ambiente të ndryshme, kanë zbuluar 3 lokale ku ushtrohej kjo veprimtari.
Në vijim të veprimeve u arrestuan shtetasit A. J., 52 vjeç, dhe I. H., 39 vjeç, të dy banues në Durrës, si dhe u referuan materialet në Prokurori ku ka nisur procedimi në gjendje të lirë për shtetasit M. D., 22 vjeç, dhe Sh. F., 27 vjeç, të dy banues në Durrës. Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar 4 celularët që përdoreshin për këtë veprimtari të paligjshme.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.