Ballina Ekonomia INSTAT: 1 në 5 persona në Shqipëri jetojnë në prag varfërie

INSTAT: 1 në 5 persona në Shqipëri jetojnë në prag varfërie

25
0

545 mijë banorë në Shqipëri janë në rrezik varfërie. Kufiri për të qenë i varfër konsiderohen të ardhurat mujore 22.200 lekë (220 euro) dhe familjet që rrezikojnë të humbasin këtë nivel të ardhurash, janë ato që kanë nën varësi fëmijë më të vegjël se 18 vjeç.

Afro një në pesë individë në Shqipëri jeton në pragun e varfërisë. Në numër, janë 545.400 individë të cilët kanë  të ardhura të ulëta, e që kërcënohen nga rreziku i një jetese pa standardet minimale.

Të dhënat që nxjerr INSTAT për vitin 2023, tregojnë se në krahasim me vitin 2022, vihet re një ulje me 31 mijë njerëz që jetojnë në kushte të vështira.

Pragu i të ardhurave që ndau varfërinë në vitin 2023, ishte 740 lekë në ditë ose 22 200 lekë në muaj.

Familjet më të predispozuara për të rënë në varfëri janë ato që kanë fëmijë nën varësi më të vegjël se 18 vjeç dhe që jetojnë të paktën me një prind, kurse rreziku është më i ulët tek ato familje që nuk kanë fëmijë.

Përfitimet sociale, si pensionet e pleqërisë dhe ato familjare, të përfshira në të ardhurat familjare, ndikojnë në uljen e rrezikut për të qenë i varfër.

Vitin e kaluar, 36 % e popullsisë do të vlerësohej në rrezik për të qenë të varfër, nëse do të përjashtoheshin përfitimet sociale. Në vitin 2023, të ardhurat mesatare mujore ishin 42.200 lekë.