Ballina Kulturë Autoriteti i Parit

Autoriteti i Parit

56
0

Nga Novruz Abilekaj

I sinqertë kur jam; zemra bren për të bukurën, le të mos më përkasë dashuria, uni më fton të lakmoj fronin, le të mbijetojë merita, shpirti më cyt t’i synoj të gjitha, le të jetë shpirti dhuratë e Zotit. Qiellin rrezikoj kur jam i sinqertë.

Fliste ai: Dëgjoni edhe mua. Uni ynë është i ndarë në dy pjesë të mëdha, veçse jo të vendosura simetrikisht si pjesët e trupit. As çastin e lindjes nuk e kanë të njëjtë; lind Pari, që vetëm dëshiron dhe, dikur, më vonë, lind Dyti i cili përkujdeset të na mbrojë e të na përshtatë me jetën. Nuk mendoni kështu? Po ju rrëfej dhe më gjykoni. Shikonim një film në kinemanë e qytetit. Ishim gjashtëmbëdhjetë-shtatëmbëdhjetë vjeçarë. Në krahun tim të majtë kisha Fatën. Fata ishte vajzë e shëndetshme. Atëherë këndohej kënga “një vajzë e re në moshë, e bukur e shëndoshë”. Kjo do të thotë se vajza si Fata pëlqeheshin nga djemtë. Gjithnjë shndriste faqja e saj. Atë mbrëmje, nën flakërimat e dritës që dërgoheshin nga ekrani, të ngjashme me luhatjet e flakës së një pishtari, faqet dritësonin si hënë që fshihej një grimë pas tisit të hollë të reve dhe, pa u vonuar, zbulohej më e ndritshme. Bishti i syrit tim të majtë përgjonte. Reagimet ndaj skenave të filmit shuanin e ndiznin fenerët e syve të asaj vajze të cilën unë e njihja prej tre vitesh dhe po pandehja se e shihja për herë të parë. Protagonisti në ekran, pasi nuk mori dot pëlqimin e së dëshiruarës, vendosi ta rrëmbente me forcë drejt vetes. E mbërtheu nga kyçi i dorës dhe sakaq e tërhoqi përdhunshëm deri në puthitje të kurmeve. -Uaa!- bënë vajzat në gjithë sallën. –Uaa!- bëri edhe Fata. Nuk di ç’bënë akoma të tjerat, por Fata lëshoi dorën me forcë mbi kofshën e djathtë dhe unë ndjeva krismën dridhëse që u përplas mbi gjithë qenien time. Ajo krismë mishtore spostoi komplet vëmendjen. Tani ishim katër vetë; Pari, Dyti, Unë dhe Fata përbri nesh. Diku, në thellësi, midis dy pjesëve të mia, u zhvillua biseda: Pari: -Ç’krismë magjepsëse! Dyti:-Çfarë?! Zgjuar je ti?! Pari- Nuk e pe si e përplasi pëllëmbën mbi kofshë? Nuk e dëgjove? Basma e hollë, që i mbulon lëkurën e bardhë, nuk e ndaloi dot klithmën jetësore të mishrave. Dyti- Ti flet budallallëqe. Na lërë të shikojmë filmin. Pari:-Filmin mund ta shikojmë edhe herë tjetër. Atë kofshë që po fërfëllin a do ta kesh herë tjetër kaq afër, kaq të ngrohtë, kaq mirë të ofruar? Dyti -E teprove. Mjaft të lutem. Pari -Foli, nguce, shtyje Unin. Thuaji ç’të thashë sepse tek ti ka besim. Dyti -Jo, nuk i them. Fata dëshiron Gonin dhe Uni preferon Monikën. Ç’kuptim ka të ndiejnë ndryshe? Pari – Askush nuk mendon të tilla gomarllëqe në këtë gjysmë errësirë thirrëse. Edhe Fatës dikush i flet po kështu Ka Parin e vet, adashin tim të gjithkundshëm. Dyti -Je rrugaç. S’ke as turp, as cipë. Pari -Ha-ha-ha! Po e nguc vetë. Do ngjitem e do t’i tërheq Unit syrin majtas; të sodisë mirë rrumbullakësinë e kofshës, frutat e gjoksit, të ndiejë ulje ngritjet e atyre frutave dhe pastaj le të shohim se ç’do të bëjë dora. Ndërkaq, duket se Pari e luajti fare mirë rolin që mori përsipër, syri im (kam qenë e mbetem bashkësia e Parit dhe Dytit) rrëshqiti nga faqja pjeshkore tek buzët (tani po më dukeshin të tjera), rrodhi nëpër gushën e bardhë si mermer dhe ndaloi një çast atje ku lartësohen dy gjinjtë, këtë herë, më të bukura se të çdo femre nën qiell. Pas pak rrëshqitja e syrit vazhdoi deri sa vështrimi u gozhdua, u mbërthye mbi kofshën e djathtë të femrës pranë. Me një kërcim e mbarta tejkqyrsin sy sipër. Cullufja e flokëve i derdhej mbi ballë si lule varëse dhe rrezatonte xixëllonja të imta, pastaj ylber të hollë. Në një çast Fata e pikasi shpimin e syve të mi. Buzëqeshi pjerrtas. Kaq. Nuk ishte më ajo e dashura e Gonit. Kofsha nuk mbulohej tashmë nga asnjë petkë, as nga basma e hollë. As Monika nuk ishte këtu. Dyti im u gjend kufomë. Trupi m’u mbush me mornica që errësuan vështrimin, ngritën temperaturën dhe më rrëmbyen dorën për ta vendosur nxitimthi mbi të Fatës. Ndërkohë, ajo e kishte spostuar dorën. Pëllëmba ime e hapur ra mbi kofshën pranë, mbi kofshë vajze. Ajo bëri: “oh!” dhe e shtyri me kujdes atë dorë. Shikoi rrotull, “tinëzisht”, siç më thotë, tashmë, gjurma e trurit, dhe ngriti zërin: “Budalla!” Protagonistët e filmit u puthitën. Fata u shndërrua në shtojzovalle. Pëllëmba ime ra mbi kofshën e vajzës. Ajo më tha budalla. Po tani? Isha njëqind për qind budalla. Si u bëra kaq budalla? E ç’të isha tjetër kur bashkëjetoja me një grykës të paskru-pull siç ishte Pari?! Mund të kisha dëgjuar Dytin dhe do të isha i qetë. Kështu më duket, sikur do të isha i qetë, por kjo nuk është provuar. Mezi prita mbarimin e aktit të fundit dhe dola me kokën ulur, si të kisha qenë në varreza e jo në një film me histori dashurie. Pas dy ditësh kisha radhën e pastrimit të klasës. Vajta herët. Prisja Monikën. Erdhi Fata. “Si?!” E kisha harruar të parmbrëmshmen. Tani që u kujtova ndjeva turp e droje por më tepër frikë. U bë skandali, thashë, kush dëgjon britmat e saj? Çfarë të bëj? Ndërsa prisja fjalë dhe po qëmtoja të gjeja formulën e ndjesës, më erdhi sulmi fizik i femrës. Më shtyri drejt bankës më të afërt, më uli thuajse forcërisht, pastaj lëshoi gjithë peshën e kofshës dhe vitheve të veta mbi kofshën time. Më shikonte ngultas me buzët paksa të hapura dhe, siç e çmova unë, me një lloj egërsie. Ishte po ajo kofshë që preka në kinema veçse tani buronte nxehtësi, vullkanizonte. Ishin po ata sy veçse tani flakëronin. Gjinjtë u afruan të zmadhuar kërcënueshëm. Nuk dija. Nuk doja. Prapë nuk dija. Prapë nuk doja. Ç’duhej bërë në rastin e një kërcënimi të tillë. Dyti nuk po më jepte asnjë këshillë. Ishte apo nuk ishte këtu? Bëra lëvizjen e parë që më erdhi, mbështeta duart mbi gjoksin e saj që ta shtyja tutje. Kjo shtytje paskej qenë tërheqja fatale, përthithja. Duhet ta kisha menduar më mirë mbrojtjen. Tjetërkund duhet t’i kisha mbështetur duart. Kot flas, edhe kur i spostova lart gjinjve, anash gjinjve, poshtë gjinjve nuk ia dobësova aspak vërshimin. Vajza u përmbys mbi mua dhe shpejt ndjeva të më derdhej mushti midis këmbëve. Ndodhi përmbytja. Kisha mbaruar. Isha ftohur si bllok metali. Ajo harxhoi edhe dy-tri përpjekje xhindore prej egërsire të plagosur, u tërhoq e zhgënjyer, më pështirosi dhe shkoi të mbush kovën me ujë. Në vend të fjalëve, sulm fizik femre, gjinj që afrohen kërcënueshëm, musht midis këmbëve, zhgënjim dhe pështirosje. Asgjë nuk mund të shpjegoja nga ky planet ku u ndodha fare papritur. Pashë që zbatuese ishte Fata, vajza për të cilën e kisha cazë zili Gonin. Po më mundonin pyetjet: Përse veproi kështu? A isha përgjegjës unë për rrokopujën e shpirtit të saj? Vetëm me një lëshim të dorës mbi kofshë e lexoi dhe komentoi shpirtin tim? Vetëm me një lëshim të dorës mbi kofshë i shpërtheu kasafortat e shpirtit të vet? Si vendosi të vepronte? Sa anëtarë kishte shtabi i shpirtit të vajzës? Lexonim libra me luftë prandaj mendonim që kishte shtabe edhe në shpirtin e vajzave. Me sa vota është miratuar ky vendim? Kush e pati përpunuar planin e këtij sulmi? Kush e firmosi urdhrin e luftimit? Sot e kam të shpjegueshme. Pari i Fatës ishte superior ndaj Dytit. Vota e tij ishte vendimtare. Hija e përditshme e kësaj vajze edhe përshëndetjet e matura kanë qenë vepra të kujdesshme e të sajuara me art nën autoritetin diktatorial të Dytit. Çudi! Ndërsa Goni ishte shumë më i pashëm se unë, më i pashëm nga të gjithë ne. Ai ishte në moshë më të pjekur. E ndieja superioritetin e tij. Po Pari? Pari nuk i njeh këto nocione, nuk përfill raporte estetike, vlera bukurie, moral bashkëjetese. Nuk dëshiron t’i njohë. “Le të jetojë ai i dituri, Dyti, me to!” thotë mospërfillshëm. Jam Pari. Joshem. Dëshiroj. Sulmoj. Ç’duhet të pres!? Shumë kohë më lëvizën pyetjet nëpër gjithë trupin, veçse, në një moshë tjetër, në një kohë tjetër e në një qytet tjetër, u binda plotësisht se sa i fuqishëm ishte mesazhi i dorës së mbështetur mbi kofshën e femrës, se sa e vërtetë ishte apologjia e Parit që joshet, dëshiron, sulmon. Edhe Pari i partnerit apo partneres me veshët ngritur pret. Ju e keni fituar këtë bindje? … Mirë bëni që heshtni.