Ballina Rajoni Integrimi në BE/ Kroacia bllokon kapitullin 4 për Malin e Zi, kërkon...

Integrimi në BE/ Kroacia bllokon kapitullin 4 për Malin e Zi, kërkon zgjidhjen e pronësisë së anijes ‘Jadran’

47
0

Ambasadorët e vendeve anëtare të BE-së miratuan mbrëmë mbylljen e tre kapitujve të negociatave me Malin e Zi, dhe i katërti, për të cilin vendi ishte gati, nuk do të mbyllet për shkak të kundërshtimit të Kroacisë, raportojnë mediat kroate.

Konferenca ndërqeveritare për anëtarësimin në të cilën Mali i Zi do të mbyllë këta tre kapituj – Ligji i Pronësisë Intelektuale, Shoqëria e Informacionit dhe Media dhe Ndërmarrësia dhe Politika Industriale – do të mbahet të hënën, më 16 dhjetor.

Mali i Zi ishte teknikisht gati për të mbyllur katër kapitujt, por Kroacia ishte kundër mbylljes së kapitullit të politikës së jashtme, të sigurisë dhe mbrojtjes.

Muajin e kaluar, Kroacia dërgoi një ‘non-paper’ në Podgoricë, në të cilin kërkonte zgjidhjen e çështjeve të hapura që dëmtojnë marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve.

Në dokument, sipas burimeve diplomatike, thuhet se të dyja vendet duhet të zgjidhin çështjen e pronësisë së anijes “Jadran”, demarkacionin reciprok, procedimin e krimeve të luftës, gjetjen e personave të zhdukur dhe çështjen e emrit të pishinës në Kotorr, e quajtur sipas ish-vaterpolistit Zoran Gopçeviq për të cilin Kroacia thotë se ishte roje në kampin “Morinj”.