Ballina Aktualitet Nën presion për mesazhet ‘Sky ECC’? Ja si përgjigjet Holta Zaçaj

Nën presion për mesazhet ‘Sky ECC’? Ja si përgjigjet Holta Zaçaj

76
0

Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj ka folur për çështjen që do të gjykohet pas pak ditësh nga institucioni që ajo drejton. E ftuar në një emision, ajo u pyet nëse ndjehet nën presion për çështjen e mesazheve që janë zbardhur nga aplikacioni i inkriptuar nga “SkyECC”. Pasi i mohoi presionet, Zaçaj tha se nëse ndonjë nga anëtarët e Kushtetueses është nën presion ai duhet të vërë në dijeni Kryetaren e Gjykatës Kushtetuese.

“As unë dhe asnjë anëtar i Kushtetueses nuk është nën presion,”- tha Zaçaj.

Ndërkohë vetëm pak ditë më parë, kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha tha se në Gjykatën Kushtetuese janë derdhur 6 milionë euro për të shpallur të paligjshme përgjimet e SKY ECC dhe Encrochat. Sipas kryedemokratit, paratë janë “derdhur” nga një person i një bande kriminale, që kërkon deligjitimin e përgjimeve.

Por në asnjë moment nuk përmendi emra në denoncimin e tij. Megjithatë, këtë version e ka hedhur poshtë kryetarja e Kushtetueses. Depozitimi i kërkesës në Kushtutetuese nga avokatët, klientët e të cilëve kanë dalë në mesazhet e “SkyECC”, vjen pasi Gjykata Europiane e Drejtësisë rrëzoi përdorimin si provë në proceset gjyqësore penale, të bisedave të përfituara në mënyrë joligjore nga rrjetet e kriptuara Encrochat dhe SKYECC. Kërkesa e tyre është marrë parasysh dhe pritet që të shqyrtohet në datë 19 nëntor.

Në vendimin e dhënë pak muaj më parë, GJED kërkon që provat e dërguara nga gjykata franceze me Urdhërin Europian të Hetimit Penal, të verifikohen nga autoritet gjyqësor i vendeve të tjera, nese janë marrë në përputhje me procedurën e parashikuar nga legjislacioni i brendëshem dhe nëse janë në harmoni me parimet e të drejtës së shtetit përkatës. Kështu që duke argumentuar qëndrimin e tyre, të akuzuarit dhe klientët e tyre kundërshtojnë mënyrën sesi janë tërhequr nga ana e SPAK, aktet që janë vendosur në dispozicion nga autoritetet belge e franceze. Për të njëjtën padi, SPAK kërkon që “Kushtetuesja” të rrëzojë ankimimin, pasi përgjimet e aplikacionit i konsideron prova të ligjshme.

Tashmë do të jetë Gjykata Kushtetuese ajo që do të vendosë nëse komunikimet në platformën “Sky ECC” do të mund të shërbejnë si prova ose jo në Gjykatë. Deskriptimi i bisedave nga agjensitë ligjzbatuese ndërkombëtare dhe vënia në dispozicion të pjesës për Shqipërinë, ka çuar në arrestimin e dhjetra personave, ndërsa SPAK ka ngritur akuza ndaj tyre. Përveç kësaj, bisedat kanë hedhur dritë mbi implikime në ngjarje kriminale të personave të ndryshëm, por kanë zbardhur gjithashtu edhe lidhjet mes krimit, politikës dhe disa biznesmenëve.