Nga Shpendi Topollaj
Xhorxh Noel Gordon Bajron është një nga emrat më të dashur për ne shqiptarët. Jo vetëm si një poet romantik i përmasave botërore, por edhe për atë që bëri për vendin e popullin tonë, në një kohë që pak kush kishte dëgjuar për ne. I shkruante së ëmës, Katerina Hajtin në 12 nëntor të vitit 1809, pas vizitës që bëri në Janinë e Tepelenë për të takuar Ali Pashanë: “I dua shumë shqiptarët… Kurrë nuk më humbi gjë dhe më ftonin gjithmonë të shtrohesha në sofrën e tyre. ..S`kam një javë që një kryeplak …, pasi na ndihmoi të dilnim prej luftanijes turke në rrezik, si na ushqeu e mbajti në shtëpi, mua dhe ata që na shoqëronin… në asnjë mënyrë s`deshi ta pranonte shpërblimin tim, por vetëm kërkoi një shkresë që më priti mirë dhe kur ju luta të pranonte pak zekina m`u përgjigj: “Dua të më duash, jo të më paguash!”. Të tjerat, pra vlerat dhe virtytet e të parëve tanë, ai i ka shprehur te vepra e tij e njohur “Shtegtimet e Çajlld Haroldit”, dhe nuk ka njeri të mos i dijë. Dhe, pas botimit të kësaj kryevepre, interesimi i të huajve për të vizituar Shqipërinë u shtua së tepërmi. Ata erdhën, panë, dhe i treguan botës se nuk është e drejtë që një popull kaq fisnik të lihet jashtë vëmendjes në fatin e tij. Janë shumë të tillët, por mjafton të kujtojmë Mis Edit Durhamin e cila me veprën e saj të shkruar, u bë mbrojtësja jo vetëm e shqiptarëve, por edhe e çështjes kombëtare të saj. Ai kishte lindur në 22 janar të vitit 1788, në familjen e një aristokrati. Babai i tij Xhoni, një burrë i pashëm, por i pakontrolluar në pije dhe qejfe, gjë për të cilën familja e vajzës me të cilë u martua, nuk ishte dakord, shërbente në Gardën Mbretërore. Xhoni ose “Xheku i Çmendur” siç ja kishin vënë nofkën, prishte pa hesap, deri sa mbeti me gisht në gojë. E ëma që rridhte nga një familje e dëgjuar,ishte pak e sertë. Në shtëpi, sa u gëzuan që djali ishte i bukur si i ati, aq dhe u mërzitën kur panë se ai kishte një defekt në këmbë dhe çalonte. Bajroni u shkollua në Aberdin e më pas në Harrou, ku studio gjuhëtgreke e latine, gjithashtu edhe letërsinë angleze. Universitetin e Kembrixhit, themeluar qysh në shekullin e XIII – të, e nisi në vitin 1805, dhe pas pak mori titullin e Lordit. Në këtë kohë viziton disa shtete evropiane. Në Skoci, natyra ishte si e bërë për piktorët, ai ngazëllehej prej saj, por më pas u shpërngul në Londër. Është koha që bën një punë të mirë dhe një të keqe: shkruan poezi ku spikat talenti i tij, por edhe gabon duke rënë në dashuri me thjeshtrën e tij Augustën. Duke qenë ende student, në vitin 1807, ai botoi përmbledhjen e parë poetike “Orët e pushimit”, ku ndihej një fare melankolie, si për cenin fizik, ashtu edhe për andrrallat që i solli kjo dashuri. Vendos ta lërë universitetin, me bindjen se më shumë se shkolla do ta mësonin udhëtimet që do të ndërmerrte. Ishte bërë objekt kritikash si për krijimtarinë ashtu edhe për qëndrimin moral, ndaj kur hipi në anije për t`u latguar nga atdheu, tha se kur Anglia nuk ia diti për mua, pas duhet t`ia di unë për atë (të paktën kështu mbaj mend të na ketë thënë para 60 vjetësh mësuesja jonë e letërsisë Gjylizare Çiço). Ishte koha kur vendet e lindjes tërhiqnin shumë njerëz, kureshtarë për vlera, zakone e tradita autentike. Sapo kishte kaptuar të njëzetat, kur në korrik të vitit 1809 nga porti i Falmouthit, së bashku me shokun e tij të shkollës Cam Hobhouse u nis drejt Portugalisë. Detin e zotëronte Anglia, kurse kontinenti ishte nën sundimin e Napoleon Bonapartit. Nga këtu ai po me anije mbërrin në Prevezë dhe që aty në Janinë, ku qëndroi tre ditë. Duke qenë se Pashai ishte i angazhuar në luftime kundër Ibrahim Pashës të Beratit, e thirri poetin anglez në Tepelenë. Plot nëntë ditë me mot mjaft të rënduar nga shirat, ju deshën atyre për të mbërritur atje. Nga pritja, Bajroni si kudo, edhe në oborrin e Ali Pashait mbeti shumë i kënaqur. E pa atë si të zgjuar, mikpritës, armik të francezëve, me dukje hapur edhe kundër portës së lartë, por mjeshtër për të fshehur karakterin e tij të vërtetë. I mahnitur nga natyra, që atij ju duk si ajo e Skocisë dhe nga njerëzit besnikë që e prisnin apo shoqëronin, ai niset për Mesolongji më 21 nëntor të vitit 1809. Rrugës nisi të shkruaj “Çajlld Haroldin”, të cilin pasi e lexuan shokët, kur u kthye në Angli dy vjet më pas, jo vetëm e pëlqyen, por edhe ja botuan. Nuk ka shqiptar të mos e dëgjojë zërin e daulles te kënga e dytë, “Tamburxhi! Tamburxhi!”, motivet e së cilës poeti i mori nga nja dy këngë luftarake të kohës. Sikurse kishte marrë në Janinë si kujtim edhe një kostum të mrekullueshëm kombëtar shqiptar, për të cilin thosh se ishte më i bukuri në botë. Kur atë e shpuri në Angli, piktori Tomas Filips i bëri ato portretet që jo vetëm e shpërfaqin me gjithë forcën bukurinë e tij, por dhe njihet ngado. Duke pasur miqësi me vajzën e lord Keitit, ai, atë kostum, në vitin 1814, ja bën dhuratë të bijës Margaret. Ai kostum qëndron i ekspozuar edhe tani, si relikte e shenjtë e dashurisë që poeti i madh anglez pati për Shqipërinë. U martua me Anabela Milbenkun në 2 janar 1815, por jo se ndaj saj pati ndonjë përkushtim të madh. Kishte mendimin se “Kur është fjala për femrat, gjëja më e rrezikshme është se s`mund të jetosh me to, por as pa to”. Lindi me të një vajzë që e quajtën Ada, por kur gruaja pa se Bajroni po jepte shenja çekujlibrimi dhe ndihmohej nga psikiastri, mori të bijën dhe u largua nga shtëpia. Pasi u ndanë, thashethemet për Augustën sa erdhën dhe u bënë të padurueshme, pavarësisht se ata që i tirrnin, kishin të drejtë. Kjo qe dhe koha që Bajroni nuk po ndihej mirë në vendin e tij, njerëzit i largoheshin dhe ai po e ndiente përbuzjen, ndaj e braktisi edhe një herë atdheun. Fillimisht shkoi në Zvicër e më pas në Itali, ku përfundoi “Çajlld Haroldin”, në të cilën shkreptin gjendja e tij e rënduar shpirtërore dhe ndjenjat e flakta për liri. Këngët e kësaj poeme janë shkruar në kohë dhe vende të ndryshme. Bën fjalë për Gjermaninë e Zvicrën dhe më pas i drejtohet mikut të tij për Italinë. Gëtja e ka quajtur më të mirën vepër të Bajronit. Po këtu shkroi edhe romanin në vargje “Don Zhuani”. Kur qëndroi në Venecia për ca kohë, e pa dhe u dashurua me një grua të re të martuar me flokët kaçurrela, të quajtur Tereza Guiçoli, e cila duke mos dashur t`ja dinte nga opinioni, shkoi dhe jetonte në vilën e tij. E kuptonte gjenialitetin e poetit, ndaj ndihej e lumtur që t`i jepte qetësi e kënaqësi shpirtërore, për të bërë të mundur krijimtarinë e mëtejshme. Më pas, në vitin 1823, kur mësoi se populli grek ishte ngritur për të fituar pavarësinë nga turqit, u nis për t`i ndihmuar ata në këtë luftë. Por sapo mbërriti atje pati një zhgënjim, pasi e dëshpëroi fakti se lufta nuk drejtohej nga ushtarakë të mirëfilltë dhe nga ana tjetër, grupet e ndryshme mdis kryengritësve, i kundërviheshin njëri – tjetrit. Në këtë gjendje, ai teksa dilte nga Mesolongji, mori një të ftohtë të rëndë dhe e mbylli jetën më 19 prill 1824. Mjekët që e panë, vërtetuan se edhe atë pa të ftohur, truri i tij ishte shumë i dëmtuar dhe do të vdiste sido që të ish. Vdekja e tij shkaktoi një hidhërim të madh, sidomos midis popullit grek. Ngritën zërin që ta varrosnin në krah të monumentit që i kishin ngritur Tezeut, heroi më të shquar të mitologjisë, i cili dikur kishte marrë përsipër që t`i çlironte banorët e Athinën nga haraçi i tmerrshëm që u kishte ngarkuar Minosi. Por si përfundim pasi e futën për t`ja ruajtur trupin në një fuçi me alkool, e shpunë dhe e varrosën në vendlindje, në varret e kishës Hucknall, ku qenë varrosur të parët e tij. Në krijimtarinë e Bajronit, një vend të rëndësishëm zënë “Gjauri”, “Nusja e Abidonit”, “Korsari”, “Rrethimi i Korinthit”, “Parisina” si poema. Subjekti i “Gjaurit” u mor nga një rrëfenjë turke, ku skllavja u ekzekutua gjoja për pabesi nga pronari, duke e mbështjellë me një rrobë dhe duke e hedhur nga shkëmbi në det. Bajroni nuk e lë deri këtu, por e çon më tej; duke na treguar edhe sesi ja mori hakun i dashuri. Por edhe miku i ngushtë i tij Cam Hobhause i shkroi kujtimet e tij në formë ditari dhe i botoi me titullin “Udhëtime në Shqipëri më 1809 – 1810”. Dhe ato janë një tjetër vlerë e shtuar që i bëhet atyre 360 vargjeve aq të ndjera dhe plot dashuri që thuri për historinë tonë dhe për vetë shqiptarët Bajroni, i cili e quante Shqipërinë si nënë e burrave të egër. Vetë ai që kishte ndërprerë studimet në universitet, ja kishte dalë ta zëvendësonte atë me mësimet që do të merrte përgjatë udhëtimeve. Dhe ja sesi shprehej ai vetë për këtë: “Në udhëtimet e mia kam mësuar të mendoj si filozof, dhe po të mos bëja ashtu, ankimi s`do të kish dobi”. Ndaj edhe ne shqiptarët, duhet të ndihemi krenar që me cilësitë tona të vyera e frymëzuam veprën e një gjeniu si ai.