Nga Abdurahim Ashiku
Tregim i jetuar
Jemi njohur nëpërmjet fax-it apo fax-eve që nuk m’i ndan. Shkruan bukur, me ndjenjë, me zjarr, me shpirt. Në rreshtat e prozës dhe poezisë së tij është vështirë të gjesh vend për redaktim. Edhe shqipen, edhe frazën e tjer bukur…
…Një ditë trokiti në derë dhe hyri një njeri me një pako në dorë. Shqiptoi emrin tim dhe pasi i treguan tavolinën ku rrija në zgjati një letër. “Firmos këtu”, më tha dhe me dorën tjetër më zgjati një zarf të fryrë në të cilin ndër të tjera dallohej embleme e shërbimit “Kurier” dhe një pullë pagese prej 12 eurosh…Shkarravita emrin tim dhe i befasuar grisa nga njeri krah zarfin…
Ishte një libër. Mbi një fotografi ku një mal i lartë përzjente retë ishte shkruar “Labirinthi i ndjenjave” dhe sipër tij Eduart Ymeri…
Në mes të librit në një letër të vogël shkruhej. “ Do desha të vija…por nuk mundem. Do dëshiroja shumë, por siç e di jam larg dhe me fëmijë të vogël…Një dhuratë për ju …miku im. Lexoje librin, kritikoje dhe pres mendimin tënd. “Labirinthi i zemrave” është libri im i parë. Në fund të vitit del nga botimi “Realiteti në vargje”, sigurisht në poezi…”
Më befasoi sinqeriteti i tij, veçanrisht ato dy fjalë “Lexoje dhe kritikoje…” Unë nuk jam kritik letrar dhe e kam vështirë ta “kritikoj” një vepër letrare. Jam gazetar dhe si i tillë më bëri përshtypje fjala e sinqertë e këtij njeriu dhe poeti të ri që fidanin e krijimtarisë së vet e don të rritet i shëndetshëm, të zgjasë drejt qiellit filizat e të çelë lule e lidhë fryte. Ky për mua është një hap i mirë, një shetitje në kopshtin e bukur të poezisë. Këtë hap e hedhin ata njerëz që krijimtarinë e tyre e duan të rritet e t’u ngjitet maleve të thepisura për të arritur majat.
Nuk e di nga e morën frymëzimin prindrit për t’i vënë birit të tyre, më 3 shkurt të vitit 1977 emrin EDUART. Shumkush do ta përcillte imagjinatën tek mbretrit anglezë të mesjetës. Unë, nisur nga zëvëndësimi i germës D me T do të ulesha e hulumtoja me fjalët e bukura të shqipes, me foljen “ me dashtë” ( dua, e dua ) dhe emrin “art”. Bashkimi i të dy fjalëve formon emrin EDUART.
Nuk do të kisha hyrë në këtë analizë fjalësh nëqoftëse, në koperinën e fundit, poshtë fotografisë së tij ku një jetshkrim i shkurtër na njeh me Eduartin, të mos më mbërthenin shpirtin shtatë vargje të një poezie, vargje të llojit naimian.
Ku shkoj ?
Nga ç’vend vij ?
Kush më solli në tokë të huaj ?
Ju lutem, kthemni…kthemni…
Se po tretem si dëbora.
Ju lutem,
Më ktheni në tokën time…
Nuk i thotë një gjashtëdhjetepes vjeçar si unë, një njeri që kur ka ikur ka lënë në truallin e jetës rrënjë që e lidhin ditë e natë me vendlindjen. I thotë një i ri, një njëzet e nëntë vjeçar, një njeri që punon dhe jeton në një ishull të largët të Egjeut, një baba që ka rrok përqafe një kërthi të jetës së tij, një rrënjë, një filiz, një lis të së ardhmes…
Në të kundërtën e botimeve të sotme ku shkrimtarët e poetët kërkojnë piktorë e disenjatorë për kopertinat e librave të tyre, Ai, me një shkrepje aparati ka marrë me vete dhe ka sjellë mes ujërave të kaltra të Egjeut “ishullin” e jetës dhe ëndrrave të tij, malin e Nemërçkës. Mbi këtë “ishull” punon, në këtë “ishull” jeton, këtij “ishulli” i këndon…
Kohë të shkuara, kur isha student, në pranverë të vitit 1962, më pat qëlluar që Nemërçkën e Dhëmbelin t’i kundroja nga ana e Pogonit e Zagorisë, të prehesha nën rrepet e Sheperit e të përjetoja të vërtetat e poezisë së Çajupit. I kam kundruar edhe nga Këlcyra, Përmeti e Çarshova. Janë kala të natyrës që lindin frymëzim për poezi.
Strëmbecin nuk e di ku është, nuk e di në se është vendlindja apo vendorigjina e Eduartit. Di vetëm një gjë: Ai i këndon Strëmbecit me një dashuri e pasion të madh.
“Lajmtari i emigrantit” ashtu si edhe “Toka e të huajve” janë poezitë më të ndjera dhe të arrira në vëllimin poetik të Eduartit:
O zogjtë fluturakë
Ku qiellin përshkoni,
T’ju pyes për Shqipërinë,
Por me lajme të hidhura
Ju lutem, mos më lëndoni.
O qelizat e shpirtit,
Ku retë arrini
Nga emigranti,
Keni një porosi
Dhe ju pyet:
A jetohet në Shqipëri ?!
Për Eduart Ymerin “S’ka kënaqësi më të madhe se libri”. Ai atë e lind, e torturon dhe e kënaq. Ai është ëmbëlsirë e ditëve të tija, helm i përgatitur që po e vdes pak nga pak, reshje shiu që ujit trupin e tij, dhurues gjaku në vena të boshatisura, anije kozmike në udhëtime fantastike. Ai është prindi i tij i dashur që e përgjon para dijes dhe që ai i lutet të mos e largojë nga familja e tij e madhe. Ai i vikat librit – prind:
Më bind realiteti yt
Prind më dëgjo
Jam shkronjë e alfabetit tënd
Prindi im duhet të më thuash,
Sepse jam fëmija yt i bërë pis në plehrat e…
Por për Eduartin nuk është “prind” vetëm libri, është edhe gazeta. Në një letër që më dërgonte para disa ditësh ai më shkruante:
“Leximi për mua nuk është kalim kohe. Ka shumë mënyra për të kaluar kohën. Koha nuk kalon duke lexuar, por duke luajtur futboll, shah, duke shetitur. Në qoftëse lexohet pa shënime, unë prapë mund ta quaj argëtim.
Marrim një shembull: Si veproj unë me leximin e gazetës?
Gazetën, pasi e marr, ulemi në sotolin e parkut me disa shokë dhe kuvendojmë në përgjithësi rreth saj. Pyetje e përgjigje dialoguese ndikojnë më së miri në vërtetësinë e kuptimit të kapitullit. Gazeta shfletohet deri në faqen e fundit. Mbyllja dhe palosja e gazetës kryhet me kënaqësi dhe aspak me veprim të rëndomtë. Ndahem dhe marr rrugën kryesore ku kalon përmes Paqirasë, qendrës së Parosit, ku të çon tek shtëpia ime brenda disa minutave. Hap derën e shtëpisë, futem, puth fëmijën, ulem në tavolinën mikpritëse, marr silolapsin në duar. Kur marr stilolapsin në duar, e përsëris, unë atëhere lexoj.
Gazeta shfletohet faqe më faqe duke mbajtur shënime. Mbasi e lexoj të gjithë gazetën, çdo faqe e vendos tek dosja me emër…P.sh. faqen ku flet për politikën e vendos tek dosja e politikës, atë të letërsis tek dosja e letërsisë, atë të ekonomisë tek dosja e ekonomisë, atë të emigracionit tek dosja e emigracionit…Në këtë mënyrë mbledh të gjithë dokumentacionin në një “enciklopedi” të vetme. Sipas këtij veprimi gazeta nuk flaket, siç po mbushen sot kutitë e plehrave. Ajo mbetet e arkivuar në dosje, në raftet e mija, në mendjen time.
Një ditë shoku im Izguru nga Shkodra erdhi në shtëpinë time. E pëlqej si njeri sepse ka vetëm një fytyrë…Kur pa arkivin e stolisur në rafte m’u lut t’ia jepja ta lexonte. Vërtet i mungonte sepse ai tani kishte ardhur. Ia dhashë por me zemër të ngrirë se mos më humbte ndonjë faqe…
Me Eduartin, që punon e jeton në ishullin e Parosit, vetëm një herë kam bisdeuar në telefon. Nuk ia di numrin ndaj nuk e mora më 3 shkurt për t’i uruar 29 vjetorin e Lindjes. Deri në 3 shkurtin e vitit 2007, në përvjetorin e 30-të të lindjes besoj se do të jemi takuar e do ta kemi pirë një kafe e një gotë raki përmeti me urimin “ Edhe njëqind vjet jetë e poezi Eduart Ymeri ! “.