Një incident ujor ka ndodhur në brigjet e Mumbait në Indi, ku një anije turistike u përplas me një anije të Marinës Indiane.
Sipas autoriteteve lokale, ngjarja u regjistrua këtë të mërkurë ku anija me më shumë se 100 persona në bord u mbyt duke shënuar të paktën 13 viktima. Në anijen e Marinës Indiane ndodheshin së paku pesë persona. Operacionet e shpëtimit vazhdojnë, ku deri më tani janë shpëtuar rreth 99 persona.
“Një anije e Marinës Indiane humbi kontrollin gjatë provave të motorit në Portin e Mumbai-t për shkak të një defekti të motorit. Si rezultat, anija goditi një anije tjetër pasagjerësh që më pas u mbyt,”- tha Marina Indiane në një deklaratë për mediat.
Anija private e pasagjerëve, e quajtur Neelkamal, po drejtohej drejt shpellave Elephanta, një destinacion i njohur turistik pranë bregut të Mumbai-t.
Shpellat, të cilat vizitohen rregullisht nga turistë gjatë gjithë vitit, janë një vend i trashëgimisë botërore UNESCO dhe u ndërtuan në shekujt V–VI pas Krishtit.
Anijet nga ‘Gateway of India’, pika më jugore e Mumbai-t, bëjnë udhëtime të rregullta për të transportuar turistët në këtë vend që është rreth një orë larg.