Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka zhvilluar një takim me simpatizantët në selinë blu, ku ka komentuar arrestimin e tij dhe ngjarjet e fundit politike në Shqipëri.
Në fjalën e tij, Berisha ka përshëndetur qytetarët që qëndruan për muaj me radhë para banesës së tij gjatë kohës kur ai ishte nën “arrest shtëpie”, duke theksuar mbështetjen e fortë nga ata.
Ai ka deklaruar se arrestimi i liderëve të opozitës është një fushatë terrori që synon të frikësojë popullin opozitar dhe qytetarët shqiptarë. Sipas Berishës, arrestimet janë urdhëruar nga kryeministri Edi Rama dhe manjati Xhorxh Soros, duke i cilësuar ato si një përpjekje për të shtypur opozitën dhe liritë e qytetarëve.
Fjala e Berishës:
‘Mirëmbrëma!
Të dashur qendrestare dhe qëndrestarë, heronj të vërtetë të një qëndrese epike, të qëndresës më epike që ka njohur Shqipëria që nga ardhja e demokracisë.
Qëndrestarë të 333 ditëve.
Në krye të radhës kam kënaqësinë e veçantë të ju kujtoj se në librat e shenjtë, në kuptimin biblik, 333 është numri i shenjtë i cili lidh trininë Atin-Të Birin dhe Shenjtin dhe do të thotë, plotni, përsosmëri hyjnore për shërbimin ndaj të vërtetës, nuk e meriton kush më shumë këtë numër.
Zoti ju bekoftë.
Sot para jush dua të ju çoj një përshëndetje të përzemërtë, kryetarit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta që përballet me diktaturën e bandave dhe krimit në qelitë e burgut, deputetit të pamposhtur Ervin Salianji që qëndron si kollos kundër narkodiktaturës, sepse mbrojti të vërtetat dhe bëri detyrën si deputet.
Një mirënjohje të pakufishme dhe të atyre që nuk kanë ardhur sot këtu, por kanë qenë me ju çdo natë në këto 333 ditë.
Të dashur miq!
Si kjo kohë fundivitin e kaluar, forca jonë politike dhe pluralizmi politik shqiptar morën goditjen më armiqësore në historinë e tyre.
Kreu i narkoregjimit Edi Rama, mafia ndërkombëtare e Sorosit urdhëruan me 30 dhjetor të vitit të kaluar izolimin, arrestimin dhe heqjen e të drejtës së fjalës, liderit të opozitës.
Arrestimi i tij i paligjshëm dhe siç u faktua tashmë pa asnjë provë të vetme ku të bazohej vendimi.
Padyshim që në serinë e sulmeve ndaj opozitës me ‘non gratat’, vjedhje flamuri, mohimin e të drejtave kushtetuese të deputetëve opozitarë në parlament, arrestimi i kreut të opozitës shënoi goditjen më të rëndë që na u bë, sepse me këtë akt, kreu i narkoshetit dhe mercenarët e tij, tentuan të shtinin terror, jo vetëm në votrat, por edhe në zemrat e demokratëve shqiptarë.
Arrestimet e bujshme publike gjithmonë pasohen nga një valë frike për publikun.
Por të arrestosh liderin e opozitës dhe ti mohosh fjalën e lirë, duke shkelur hapur kushtetutë dhe ligj mbi të gjitha pa asnjë provë është një fushatë terrori ndaj popullit opozitar dhe jo vetëm atij. Është një fushatë terrori ndaj çdo shqiptari, këtë e bën Putini në Rusi, e bën Llukashenko në Bjellorusi, Zajedi në Tunizi dhe Edi Rama në Shqipëri.
Dhe kështu natën e ndërrimit të viteve vitin e kaluar ishte nata më e shëmtuar për demokracinë shqiptare. Atë natë shqiptarët panë diktatorin që pushtoi ekranin e njërit prej televizioneve më të mëdha të vendit, panë diktatorin duke festuar në ekstazë sipas tij, likujdimin përfundimtar të opozitës, ndërsa po atë natë kreut të opozitës të votuar nga rreth gjysëm milionë shqiptarë ju lejuan vetëm disa rreshta të shkruar në Facebook, urim për vitin e ri për popullin opozitar.’