Ballina Opinion Parashqevi Ypi

Parashqevi Ypi

9
0

Nga Edison Ypi

Parashqevi Simaku nuk tutet, nuk fshihet, nuk bishtnon, nuk frigohet. Nga asnjë kompliment apo mallkim, nga asnjë rrethanë e favorshme ose e pafavorshme, praktikisht nga asgjë.

Mjaft ta shohësh e dëgjosh pak minuta Parashqevi Simakun dhe bindesh se Ajo kurrë s’ka bërë asnjë dallim mes Tiranës dhe New Yorkut, Shqipërisë dhe Amerikës, stacionit të trenit dhe Sheratonit. Madje, po ta vështrosh thellë, konstaton se Parashqevi Simaku ndjehet më rehat ta kalojë natën gjysëm e uritur mbuluar me kartona dhe rrecka në një qoshe betoni te stacioni i trenit, se me jorganë e jastëkë të butë e të ngrohtë në ndonjë hotel luksoz.

Për Parashqevi Simakun rrethanat materiale nuk kanë rëndësi. S’lypset të jesh psikolog apo psikiatër të kuptosh se delirantja e pashërueshme Parashqevi Simaku kurrë nuk ndodhet “këtu” dhe “tani”, por gjithmonë në trans, gjithmonë në delir, gjithmonë në një vend tjetër dhe në një kohë tjetër në lëvizje të pandalshme brenda dhe jashtë Universit.

Parashqevi Simaku këndon dhe sillet si Monalisa. Në atë mënyrë që gjithsecilit t’i fanepset si ja ka ënda. Për ata që e duan komuniste, Parashqevi Simaku është komuniste. Për ata që e duan fashiste, është fashiste. Për ata që e duan mbretërore, është mbretërore.

Parashqevi Simaku s’e ka problem ta mbështjellësh me çdo aureolën që ta ka qefi. Parashqevi Simaku është gjithmonë e rrethuar me të gjitha aureolat e të gjithë adhuruesve. Por vetë Parashqevi Simaku nuk i ka qef aureolat. Si spjegohet kjo ?

Po thonë se Parashqevi Simaku u çmend në Amerikë. Shihe mirë të plaçin sytë. Parashqevi Simaku ka qënë në Shqipëri më e çmendur se në Amerikë.

Spontane dhe konvencionale, racionale dhe kontraverse, rrebele dhe konformiste, Parashqevi Simaku ka qënë, është, dhe do jetë, çdo përkufizim, etiketim, klishè, dhe asnjë prej tyre. Po pse ? Po për ç’arsye ?

Kqyre si të duash Parashqevi Simakun, me një ose dy, ose asnjë sy të hapur. Fotografoje nga çdo kënd, filmoje në çdo ambient, pikturoje me ose pa ngjyra, gdhende në mermer ose në bronx, nënështroja dhe inteligjencës artificiale, po deshe. Parashqevi Simakun nuk e kap asnjë kamera. Nuk e rrok asnjë ngjyrë. Nuk e deskripton asnjë inteligjencë.

Parashqevi Simaku nuk është e kushtëzuar nga asgjë. Parashqevi Simaku është e lirë, jeton e lirë zhytur në një oqean lirie.

Nga i vijnë vallë Parashqevi Simakut këto dallgë deliri, kjo çartallosje, kjo Liri ? Çdo pasojë ka një shkak.

Cila shkollë ja mësoi Parashqevi Simakut Lirinë ? Cili inginier ja menaxhoi energjinë, vrullin, guximin, i dha krahë të fluturojë, i tregoi algoritmin e duhur ?

Asokohe në Kavajë jetonte Musa Ypi.

Musa Ypi ishte mësues i Gjuhës dhe Letërsisë.

Mos u lodh ta marrësh me mend si ishte Musa Ypi. Nuk e gjen dot edhe po të mendohesh një mijë vjet rrjesht.
Më i ndritur, më i ditur, më madhështor, se krejt Casanovat dhe Don Giovannat e botës, Musa Ypi nuk ishte njeri.

Musa Ypi ishte një zjarr që ecën, një vullkan erruptiv që lëviz. Shenjtorët si Musa Ypi bota i ka nëpër ëndërra, nëpër mite, nëpër legjenda. Kavaja e kishte të gjallë.

S’kanë fund thagmat e Musa Ypit. Mes moshtarëve të Musa Ypit atë kohë luhej loja “A e ke lexuar këtë libër ? Këtë lojë e fitonte gjithmonë ai që i kishte lexuar të gjitha librat, kolonjari Musa Ypi. Ishte e pamundur Musa Ypi të mos e kishte lexuar X apo Y roman. Nëse kjo, gjithsesi, ndodhte, Musa Ypi ikte i çakërrdisur me vrap, e gjente dhe e lexonte për gjith natën.

Për Musa Ypin librat nuk ishin të mirë apo të këqinj. Për Musa Ypin librat ishin dhe janë të domosdoshëm si ajri, si uji.

Ylli Musa Ypi ishte i pari yll që kometa Parashqevi Simaku njohu sapo nisi rrugën e Jetës. Kavaja e di. Kavaja pa me syt e vet gjithçka.

Parashqevi Simaku e gjeti Musa Ypin si dallga bregun, si benzina zjarrin.

Musa Ypi e gjeti Parashqevi Simakun si Dante Beatricen, si çekani hekurin e skuqur mbi kudhër.

Musa Ypi dhe Parashqevi Simaku, u bënë kasht e koqe. Dhe Bota mori zjarr.

Musa Ypi i hoqi Parashqevi Simakut të gjitha tepricat, rëndesat, prangat, zinxhirët, e bëri të vrapojë zbathur mbi kalldrëmet e shtruar me yjet e ndezur të Rrugës së Qumështit, e bëri të lirë.

Ku ndodhet sot Musa Ypi ?

Pasi piu tonelata raki, i fali Parashqevi Simakut zjarrin si Prometeu, dhe u shemb si Maratonomaku, ndodhet atje ku ndodhen të gjithë poetët, inkandeshentët, dashurorët, shenjtorët, në varr.