Ballina Dossier Rita Ndoci: Unë dhe Parashqevia i kemi pasur krahët e ngrohta nga...

Rita Ndoci: Unë dhe Parashqevia i kemi pasur krahët e ngrohta nga Byroja Politike, ndryshe s’bënim dot karrierë

21
0

Artistja Rita Ndoci e ftuar në emisionin “Dekalog” nga Roland Qafoku në DritareTV foli për njohjen me Parashqevi Simakun, shëtitjet dhe festivalet e tyre.

Ajo tregoi si sillej regjimi me artistët para viteve 1990.

Ndoci tregon se pa pasur mbështetje të fortë në atë kohë, nga funksionarë të Byrosë Politike, artistët nuk kishin përkrahje dhe të ecnin përpara.

Si sillej regjimi, pushteti, organizatat e partisë, të rinisë, Sigurimi i Shtetit, policia, me ju artistët, me Parashqevinë? Sepse ju bënit art dhe arti ka qenë i rrezikuar.

Unë mendoj që pa pasur mbështetje të fortë edhe më funksionarët e funksionaret, ne nuk do kishim aq shumë përkrahje.

Parashqevinë e adhuronte një anëtare e Byrosë Politike dhe ajo kishte përkrahje. Unë kam pasur mikeshë vajzën e një anëtari te Byrosë.

Ne i kishim krahët e mbuluar. Unë kam mbijetuar dhe jam përshtatur në mënyrën më të tmerrshme atij sistemi.

Unë jam e para që kam imituar Nexhmije Hoxhën në 1988-ën, kur isha në konvikt. Që ata që e dëgjonin mund të bënin 8 vjet burg dhe unë mund të përfundoja në pushkatim.

Që ta bësh këtë duhet guxim. Kur erdhi Parashqevia pastaj nuk e kam imituar më sepse kisha frikë nga njerëzit që e rrethonin. Edhe jam ruajtur në disa gjëra.

***

Rita Ndoci foli dhe për situatën e Parashqevisë, ish-shoqes së saj.

“Parashqevia ka vendosur vetë që ta presë të birin në atë stacion treni, mbase deri sa t’i dalë shpirti. Por këtë që po ndodh, unë e vuaj bashkë me të. Asaj iu cenua komplet privatësia. Pse këndoi ajo aty fshehur?

Mund të ketë pasur edhe njerëz që e kanë vënë re dhe kanë kaluar. Ajo mënyrë e të bërit nder, për mua është më poshtëruese. Për mua Parashqevia është e vrarë dy herë. Shoqëria shqiptare m’u duk si fletërrufe e ’74-ës që lexonim ne kundër artistëve, figurave të shkolluara.

Nëse do më jepet mundësia tani, do bëja një telefonatë mes kolegesh me Parashqevinë. Do t’i thosha: “Parashqevi, ti i ke arritur të gjitha qëllimet e tua! Por ndoshta ka ardhur që për gjërat që nuk i arrin, ta kalosh situatën, të forcosh veten, shpirtërisht, psikologjikisht për ta përballuar edhe atë dështim. Kjo është forca njerëzore. Nuk ka rëndësi si biem, rëndësi ka si ngrihemi. Ti duhet të ngrihesh, e t’ia dalësh për veten, por edhe për djalin.”