Ballina Aktualitet Tërmeti i ditës së djeshme në vendin tonë, habit sizmiologu: Janë për...

Tërmeti i ditës së djeshme në vendin tonë, habit sizmiologu: Janë për mirë, vendosin ekuilibër dhe s’ka vend për panik

14
0

Lëkundje sizmike janë regjistruar në vendin tonë pasditen e djeshme. Nga të dhënat paraprake të Institutit të Gjeoshkencave, në orën 18:01.37 janë ndjerë lëkundje tërmeti me magnitudë 3.8 të shkallës Rihter. Epiqendra u regjistruar në Selishtë, në qarkun e Dibrës, me një thellësi prej 15.2 km. Lëkundjet janë ndjerë edhe në zonat përreth epiqendrës.

Sizmiologu Rrapo Ormeni thotë se nuk ka vend për panik, pasi tërmete të kësaj magnitude janë karakteristike për zonën.

Përmes një interviste televizive, Ormeni tha se është mirë kur çlirohet energjia përmes këtyre tërmeteve të vegjël, pasi vendoset ekuilibri shumë shpejt.

“Këto lëkundje sizmike sidomos në këto nivele magnitude, 3.8 ballë që ishte  dje janë lëkundje të zakonshme, quhen tërmete të vogla që bien shpesh në vendin tonë. Karakteristikë e këtij tërmeti është në zonën e Selishtës, e cila është një zonë me aktivitet sizmik që bien herë pas here tërmete të vegjël dhe ky është ndjerë në këtë zonë mbi 5 ballë.

Është karakteristikë për këto zona që janë me aktivitet sizmik siç është dhe kjo zonë që futet në zonën e thyerjeve Lushnje, Elbasan, Dibër që bien tërmete të vegjël. Herë pas here energjia, sforcimi çlirohet në formën e tërmeteve të vegjël dhe është mirë kur çlirohet në formën e tërmeteve të vegjël që tregon që energjia aty çlirohet dhe vendoset ekuilibri shumë shpejt.”