Ballina Politika Balla fton opozitën për bashkëpunim: T’u ofrojmë emigrantëve pagesën e postës së...

Balla fton opozitën për bashkëpunim: T’u ofrojmë emigrantëve pagesën e postës së votës

11
0

Ministri i Shtetit për Çështjet e Parlamentit, Taulant Balla, ka bërë thirrje për bashkim të votave nga ana e opozitës në mënyrë që emigrantët të mund të përfitojnë pagesën e shërbimeve postare për dërgimin dhe kthimin e fletës së votimit në zgjedhjet e 11 majit 2025. Gjatë fjalës së tij në Kuvend, Balla theksoi se kjo është një çështje e rëndësishme për të mundësuar pjesëmarrjen e shqiptarëve në diasporë në procesin zgjedhor.

Ministri u ndal gjithashtu në situatën politike të tanishme dhe kërkoi nga opozita që të mbështesë ndryshimet në Kodin Zgjedhor që mundësojnë regjistrimin e kandidatëve dhe dërgimin e fletëve të votimit në kohë për emigrantët. Balla e cilësoi si të papranueshme që një njeri që ka pasur pozita të larta si president dhe kryeministër, dhe që është shpallur non grata, të vazhdojë të bëjë thirrje për veprime të dhunshme ndaj diplomatëve shqiptarë.

Ai theksoi se për të realizuar këtë proces të rëndësishëm historik, është e nevojshme që të arrihet një dakordësi me opozitën, pasi Partia Socialiste nuk disponon mjaftueshëm vota për të miratuar ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Balla ftoi opozitën që të bashkëpunojë në mënyrë që emigrantët të mund të realizojnë të drejtën e tyre për të votuar dhe për të marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme.

“Motrat e vëllezërit tanë në diasporë e kanë të qartë gjykimin, e dinë që duhet votuar Edi Rama dhe PS në 11 maj. Se ka ikur koha që 12 vite më parë e kishin turp të thoshin janë shqiptarë. Pashë udhëheqësin tuaj që kërcënoi ambasadat e diplomatë dhe i bëri thirje militanëteve të godasin me vezë dhe domate diplomatët. Kemi bërë një kallzim për këtë çështje, prisni rezultatet. Por është e turpshme dhe e papranueshme që një njeri që ka qenë president, kryeministër i këtij vendi dhe non grata në fund, të mos ketë kuptuar që shërbimi diplomatik është i depolitizuar dhe përfaqëson kombin shqiptar, por ajo që ka nevojë ky proces historik është dakordësia që ju duhet të jepni, për shkak se PS nuk i ka 84 vota që të mundësohet ndryshimi i kodit zgjedhor sa i përket afateve të regjistrimit të kandidatëve, siç ka kërkuar KQZ-ja, për të mundësuar dërgimin në kohë të fletës së votimit te të gjithë ata qytetarë shqiptarë që do regjistrohen me shumicë në 11 maj’, deklaroi ministri Balla, duke iu referuar deklaratave të kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha.