Kryetari i Partisë Demkratike-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha, shprehet se mbështetja e tij ndaj SPAK është e bazuar në vepra dhe jo në fjalë. Në një postim në facebook, ai thekson se korrupsioni po shkatërron ekonominë dhe demokracinë, dhe se Shqipëria ka nevojë për një të ardhme të ndershme.
Basha risjell në vëmendje dy amendamentet e depozituara në Kuvend që mbahen peng nga mazhoranca, të cilat synojnë forcimin e SPAK dhe transparencën në sistemin e drejtësisë. Ai bën thirrje që më 11 maj shqiptarët të zgjedhin fundin e pandëshkueshmërisë dhe të ndërtojnë një të ardhme më të drejtë.
Postimi i plotë Bashës:
Korrupsioni gërryen ekonominë, dobëson demokracinë dhe i detyron të rinjtë të largohen nga vendi . Shqipëria ka nevojë për një të ardhme të ndershme, ku meritokracia të triumfojë, ekonomia të lulëzojë dhe rinia të ndërtojë ëndrrat e saj këtu, jo jashtë vendit.
Mbështetja jonë ndaj SPAK nuk është me fjalë por me vepra. Ne kemi depozituar dy amendamente në Kuvendin e Shqipërisë, që po mbahen peng nga një mazhorancë e korruptuar, e cila është në konflikt interesi me punën e Prokurorisë së Posaçme.
Amendamenti i Parë:
Krijimi i sektorit të ndihmës ligjore për të mbështetur prokurorët në hetimin dhe përpunimin e çështjeve komplekse.
Garanci për prokurorët pas mandatit të tyre, duke rregulluar emërimin dhe përfitimet financiare në përfundim të mandatit në SPAK.
Amendamenti i Dytë:
Kompetencë ekskluzive për GJKKO për ekzekutimin e vendimeve penale dhe shqyrtimin e kërkesave për ulje dënimi.
Ekstradime dhe njohje vendimesh të huaja të shqyrtohen vetëm nga GJKKO për veprat penale të grupeve kriminale.
Përshtatje të legjislacionit të vitit 2009 për t’u harmonizuar me ndryshimet e propozuara.
Po ashtu, ne kemi mbështetur kërkesën e Prokurorisë së Posaçme për të mundësuar ripërtëritjen e mandateve të prokurorëve, sepse jemi rreshtuar pa kushte në krah të atyre që duan të çrrënjosin korrupsionin të përhapur në çdo nivel të qeverisjes.
Është tashmë e qartë për të gjithë se më 11 Maj shqiptarët do të kenë përballë dy alternativa: njëra që mbështet fundin e pandëshkueshmërisë dhe tjetra që kërkon me çdo kusht ta mbajë veten mbi ligjin .
Zgjedhjet e 11 majit janë mundësia jonë për ta çliruar Shqipërinë nga frika dhe për të ndërtuar një të ardhme më të drejtë!