Mjeku i njohur kardiolog, Edvin Prifti ka reaguar pas një deklarate të bërë nga Sali Berisha, se ai ishte arrestuar për paratë që i ishin gjetur në zyrë, kurse Ajola Xoxës i janë gjetur thasë me para dhe ajo vijon të jetë e lirë.
Ai thotë se në zyrën e tij në spitalin publik, në QSUT, nuk i janë gjetur para, por ato kanë qenë në shtëpinë e tij. Edvin Prifti sqaron se për çdo qindarkë ka pasur dokumente justifikuese.
Shënimi i plotë i mjekut Edvin Prifti:
“Nje sqarim! Ne mediat dhe ne disa deklarata te prof. Sali Berishes, evidentohet qe 4 vjet me pare mua me jane gjetur vlera monetare ne zyren time. Ne radhe te pare i jam mirenjohes ne besimin qe ai ka ndaj te vertetes sime! Ne radhe te dyte, gjetja e parave ne zyren time eshte totalisht e pavertete.
Ne zyren time ne spitalin publik nuk eshte gjetur asnje vlere monetare. Ne shtepine time kur jam pyetur nese kam shuma financiare, kam pohuar dhe ju kam servirur vleren se bashku me dokumentet perkatese. Po gjithashtu, ne aktakuzen aktuale ndaj meje keto vlera monetare nuk permenden, mesa duket kane kaluar filtrin perkates i cili ndan te ligjshmen nga e paligjshmja!
Ne pergjegjesine time te plote, cdo e ardhur e imja eshte totalisht e ligjshme dhe e justifikuar, aq e justifikuar sa ekspertiza kontabel zyrtare prej 617 faqesh e dorezuar ne menyre zyrtare ne 13 dhjetor 2021, ne date 8 shkurt 2024, nuk gjendej me, ishte djegur apo “fluturuar”! Ne 17 shtator 2024 gjykata kerkon ekspertize te re, dhe sot ne 19 dhjetor 2024, kjo elspertize akoma ska filluar! Konkluzionet mund ti nxjerre secili!”
Pjesë nga hetimi i SPAK për Edvin Priftin:
Nga hetimet e kryera ka rezultuar e provuar, se i pandehuri Edvin Prifti, me detyrë Shef i Shërbimit të Kardiokirurgjisë pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Tiranë, gjatë ushtrimit të detyrës së tij, si mjek kardiokirurg, të paktën në shtatë raste ka marrë përfitim të parregullt në shuma monetare nga pacientët e operuar pranë Pavionit të Kardiokirurgjisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.
Gjithashtu në momentin e arrestimit, nga kontrolli i banesës, dhe i zyrës së të pandehurit, janë gjetur dhe sekuestruar shuma të konsiderueshme monetare në CASH, për të cilat nga hetimi ka rezultuar se i pandehuri nuk mund t’i justifikonte me burime të ligjshme, shuma të cilat dyshohet se janë produkt i veprimtarisë kriminale, dhe më konkretisht shumat prej 256.800 Euro, 7.600 Dollarë Amerikanë dhe 15.435.000 Lekë.
Në vijim të një hetimi të gjithanshëm dhe objektiv të këtij procedimi, është kryer një hetim i plotë pasuror dhe financiar, dhe në përfundim janë sekuestruar në gjashtë llogari bankare pranë Bankave të Nivelit të Dytë, edhe shuma monetare në vlerën prej 177.497 Euro, dhe 52.479.368 Lekë.
Shumat totale të sekuestruara gjatë hetimit paraprak janë 434.319 (katërqind e tridhjetë e katër mijë e treqind e nëntëmbëdhjetë) Euro, 67.914.368 (gjashtëdhjetë e shtatë milion e nëntëqind e katërmbëdhjetë mijë e treqind e gjashtëdhjetë e tetë) Lekë, si dhe 7.600 USD.