Ballina Ekonomia Tatimet nisin kthimin e parave për profesionistët e lirë

Tatimet nisin kthimin e parave për profesionistët e lirë

13
0

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka nisur sot procesin e rimbursimit të kësteve të parapaguara të tatimit mbi fitimin për profesionistët e lirë. Ky hap vjen pas miratimit të aktit normativ të buxhetit, i cili i hapi rrugën transferimit të shumave të parapaguara në llogaritë bankare të subjekteve përkatëse.

Drejtoresha e procesit të biznesit në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, Rozana Çelmeta, deklaroi:

“Rimbursimi i kësteve të parapaguara nga tatim-paguesit, ofruesit e shërbimeve profesionale, ka nisur ditën e sotme. Akti normativ parashikonte datën 30 dhjetor si afat për përfundimin e procesit. Falë masave të marra, sot pothuajse 90% e tatim-paguesve kanë marrë shumën e rimbursimit në llogaritë e tyre bankare.”

Sipas të dhënave, pagesat janë kryer për 8,137 profesionistë të lirë që kanë regjistruar llogaritë e tyre bankare në sistemin e-filing. Për rreth 900 subjekte të tjera, procesi është në pritje të plotësimit të të dhënave bankare.

“Akti normativ përcakton që pagesat do të kryhen vetëm në llogaritë bankare të regjistruara nga tatim-paguesit. Është e rëndësishme që këto të dhëna të plotësohen për të përmbyllur procesin brenda vitit,” shtoi Çelmeta.

Për tatim-paguesit që nuk arrijnë të plotësojnë të dhënat deri më 31 dhjetor, Drejtoritë Rajonale të Tatimeve do të vijojnë trajtimin e rasteve në janar dhe më tej. Sipas autoriteteve, asnjë subjekt nuk do të humbasë të drejtën për rimbursim.

Kujtojmë se profesionistët e lirë, si juristët, ekonomistët, inxhinierët, specialistët e IT-së, etj., ishin përfshirë në fillim të vitit në skemën e tatimit mbi fitimin. Megjithatë, vendimi u rrëzua më vonë nga Gjykata Kushtetuese, duke rikthyer normën zero për tatimin mbi fitimin për këtë kategori.