Ballina Kosovë Ministrja Gërvalla kritikon ashpër fjalimin e Ramës në Prishtinë: Keqpërdori foltoren e...

Ministrja Gërvalla kritikon ashpër fjalimin e Ramës në Prishtinë: Keqpërdori foltoren e Kuvendit

23
0

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka kritikuar ashpër fjalimin e kryeministrit Edi Rama, mbajtur në seancën e përbashkët të Kuvendeve të Kosovës dhe Shqipërisë. Gërvalla e cilësoi këtë fjalim si një fushatë kundër Qeverisë Kurti dhe tha se Rama e keqpërdori foltoren e Kuvendit të Kosovës për të realizuar interesat e tij politike.

Sipas Gërvallës, fjalimi i Ramës nuk përputhej me atmosferën e pritshme, duke theksuar se ai keqpërdori mikpritjen që i ishte dhënë Kosovës dhe delegacionit të tij. Ajo e kritikoi kërkesën e Ramës për implementimin e marrëveshjes së Ohrit, duke e quajtur këtë një tentativë për të shtuar presion ndaj Kosovës. Gërvalla theksoi se kërkesa nuk kishte asnjë karakter vëllazëror, duke shtuar se brenda një familjeje, konsultimet bëhen në mënyrë private dhe jo përmes mikrofonave.

“Nëse ai ka ardhur për të bërë fushatë, duhet ta bëjë këtë në mënyrë transparente dhe jo përmes foltores së Kuvendit. Nuk kishte asgjë vëllazërore në atë mes, sepse brenda familjes njeriu konsultohet me anëtarët e saj dhe nuk del para mikrofonave për të dhënë këshilla vëllazërore. Sigurisht, ishte një formë shtimi të presionit ndaj Republikës së Kosovës për të implementuar njëanshëm”, tha Gërvalla.