Prokuroria e Tiranës njofton arrestimin e dy personave, (një burrë dhe një grua), të cilët nëpërmjet mashtrimit transferuan 11 mln euro nga kompanitë guaskë (Offshore) jashtë vendit në Shqipëri dhe bënin pastrimin e tyre.
Dy të dyshuarit për të cilët konfirmohet ndalimi dhe do kërkohet masa “arrest me burg” në Gjykatë, janë shtetasi Darin Gezdari dhe bashkëpunëtorja e tij Arlinda Markudhe. Ata rezultojnë pronarë të 10 kompanive, kryesisht konsulentë.
Nga këto 7 të regjistruara në emër të Gezdarit dhe 3 të Markudhes, teksa veprimet kryheshin me kompani fiktive në parajsa fiskale 9 offshore), duke kryer edhe pastrimin e tyre.
Ata u ndaluan gjatë finalizimit të operacionit ‘Cost to cost’, kurse njoftimi u dha sot (20 Dhjetor).
Veprimet u kryen në zbatim të vendimeve të kontrollit, të dhëna nga gjykata mbi kërkesën e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, pasi nëpërmjet një skemë mashtrimi arritën të transferojnë përgjatë dy viteve nga kompani guaskë jashtë vendit drejt kompanisë shqiptare rreth 11 milionë euro, njofton Prokuroria.
“Nga referimet e Drejtorisë së Hetimit Tatimor në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, dhe në bashkëpunim me Seksionin e Hetimit të Pastrimit të Parave pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë dhe Agjencisë së Inteligjencës Financiare pas një pune intensive disa mujore, këta dy persona u ndaluan pasi në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë organizuar një skemë të mirëfilltë kriminale për transferimin e parave nëpërmjet transaksioneve bankare duke përdorur kompani guaskë në shtetet e parajsave fiskale si Qipro, Giblartar, Maltë, etj”, thuhet në njoftimin zyrtar.
Këto para transferoheshin në shtetin shqiptar në shoqëri të krijuara në mënyrë fiktive, dhe më pas transferoheshin në shtetin kanadez, i gjithë ky aktivitet i dyshuar kriminal është kryer në funksion të pastrimit të produktit të veprës penale.
“Nga hetimi i zhvilluar dhe provat e grumbulluara dyhohet se në këtë skemë mashtrimi janë të përfshirë shtetas të tjerë shqiptarë e të huaj, të lidhur me këtë aktivitet kriminal, për të cilët po punohet për dokumentimin e plotë të aktivitetit kriminal dhe vënien përpara përgjegjësisë penale të tyre”, mbyllet njoftimi i organit të akuzës.