Deklaratë për shtyp, “Djathtas 1912”
Duam të adresojmë sot dy çështje me rëndësi politike për qytetarët dhe vendin. Së pari shprehim zhgënjimin për rrëzimin ditën e enjte në seancë plenare të një projekt vendimi që ishte propozuar nga tetë deputetë të opozitës me objekt ngritjen e një komisioni Ad-Hoc për sigurinë e fëmijëve.
Duke marrë shkas nga ngjarjet tronditëse që janë shënuar së fundmi në vend, ku është cënuar drejtpërdrejtë siguria e fëmijë e të rinjve, propozuam që të ngrihej komisioni i përkohshëm “Pakti për Fëmijët”, që do të hartonte një reformë thelbësore për rritjen e sigurisë në shkolla dhe jo vetëm!
“Pakti për fëmijët”, do duhej të ndërtonte një plan veprimi kombëtar që mund të udhehiqet nga Kuvendi.
Por edhe një herë mazhoranca tregoi se nuk mund të dali mbi interesat e ngushta politike as kur bëhet fjalë për sigurinë e fëmijëve. Ngritja e komisionit u rrëzua nga ata që janë zgjedhur nga populli jo vetëm që ti përfaqësojnë, por edhe që ti japin sigurinë dhe nivelin e nevojshëm të sigurisë dhe jetesës.
Kjo çështje me ndjeshmëri kaq të lartë sërish do të mbetet pa një zgjidhje konkrete, por do të përdoret për një shou që mazhoranca bën, duke zhvilluar takime e biseda në shkolla, të kota që nuk japin asnjë zgjidhje.
Ndaj dhe “Djathtas 1912” do të këmbëngulë për të dhënë alternativën e saj realiste përmes vizionit të qartë. Ne kemi përcaktuar në Kartën e Parimeve, mbrojtjen e jetës dhe familjes si prioritet absolut.
Nëse nuk veprojmë sot për të krijuar një shoqëri më të shëndetshme si mjedis emocional dhe social, dhuna me këtë shpejtësi që po rritet, do të shndërrohet në një kulturë të rrezikshme që dëmton të ardhmen e vendit.
Sot roli i familjes, që është institucioni më i rëndësishëm në shoqëri është zbehur, sepse i duhet të përballet me problemet socio-ekonomike dhe pasigurinë e jetesës. Sot prindërit nuk ushtrojnë dot rol edukues tek fëmijët e tyre sepse u duhet të punojnë me orë të stërzgjatura. Ndërkohë qe shkollat janë të pafuqishme për të ndikuar në edukimin e menaxhimit të emocioneve, të konflikteve dhe të ndërveprimit social.
Dhuna sot glorifikohet në media dhe në rrjete sociale pafund. Madje ajo është pjesa që ndiqet më tepër nga të rinjtë, dhe për të qenë pjesë e këtij trendi e për t`u pranuar nga shoqëria, të rinjtë shpesh përfshihen në konflikte, përdorin lëndë narkotike e shumë probleme të tjera.
Këto fenomene sociale, mund të ndalen vetëm nëse angazhohemi të gjithë jo vetëm në ndihmë të prindërve, por edhe që të kërkojmë me patjetër që sistemi arsimor të integrojë edhe lëndë mbi komunikimin, menaxhimin e emocioneve dhe ndërtimin e marrdhënieve të shëndetshme mes të rinjve, fëmijëve dhe prindërve e mësuesve.
Ndërkohë, çështja e dytë të cilën dëshirojmë të trajtojmë sot është ajo e zgjatjes së mandatit të prokurorëve të SPAK.
Do të doja të deklaroja sot gadishmërinë e Djathtas 1912 për të mbështetur, edhe me votën tonë pro në Kuvendin e Shqipërisë, çdo nisëm ligjore që synon zgjatjen e mandateve të prokurorëve të SPAK.
“Djathtas 1912”, e mbështet fuqimisht të gjithë veprimtarinë e SPAK-ut, në këto 5 vite ekzistencë të këtij institucioni, pavarësisht kërkesës së opinionit për veprime ligjore më të vendosura. Për ne, SPAK mbetet i vetmi institucion që mundet dhe lufton korrupsionin në këtë vend. Megjithatë ne e kuptojmë se SPAK nuk mundet i vetëm ta kryejë këtë detyrë që të çrrënjosë korrupsionin dhe krimin e organizuar, ndaj duhet dhe më shumë angazhim, nga çdo institucion dhe nga vetë qytetarët për ta luftuar këtë realitet gërryes në çdo nivel!
Sot që flasim, 70% e opinionit publik e inkurajon dhe e mbështet SPAK-un.
Edhe pse në 33 vite, Shqipëria ka dështuar në barazinë para ligjit, institucionet e drejtësisë, SPAK dhe GJKKO, janë shpresëdhënëse, ndaj dhe ne i mbështesim ato në mënyrë të pakushtëzuar për sa kohë do të sjellin një standart të ri në vënien e drejtësisë në vend!
Ju faleminderit!