Ballina Dossier A vërtet u prish Stalini me Titon për çështjen e shqiptare?

A vërtet u prish Stalini me Titon për çështjen e shqiptare?

10
0
Nga Prof. Dr. Elmas Leci, Drejtor Ekzekutiv Instituti i Sigurisë dhe Mbrojtjes
Arkivat në Shqipëri e Moskë, tregojnë edhe për rolin e Shqipërisë në gjeopolitikën komuniste sovjetike. Ka plot fakte, që çuan në prishjen e Stalinit me Titon, si çështja e Federatës Ballkanike, anashkalimi i Moskës nga Beogradi, deri te çështja e futjes së Divizionit jugosllav në Pogradec e Korçë, që i doli në shteg Stalinit. Mbi të gjitha, ndonëse kryesorja ishte Federata Ballkanike e iniciuar dikur nga Stalini, por që ky vetë “kur pa se Tito po dilte primar në Ballkan e më tej, e “dënoi” idenë e Federatës Ballkanike dhe “përgjegjësinë për të i a mveshi Titos”.1) Shqipëria në këtë mes nga Stalini u gjet si “kleçka”, nga ku ai u kap dhe e konsideroi planin për ardhjen e Divizionit ushtarak jugosllav në Shqipëri, një “prapaskenë të Titos”, kur vetë në vitin 1946 në bisedë me të dërguarit e lartë të Titos (Gjilas e Kardel) nuk kishte ndonjë kundërshti që Shqipëria “të gëlltitej nga Jugosllavia”2).
Në rrethana tepër sekrete më datën 19 janar të vitit 1948, Tito nga Beogradi, në “fshahtësi” të sovjetikëve i dërgoi Enver Hoxhës në Tiranë një radiogram shifër me kërkesën “për të lejuar dislokimin e një Divizioni të tij në bazën ushtarake të Korçës”.3) Dokumentat tregojnë se Kryeministri shqiptar e dha menjëherë pëlqimin për “Po!, dislokimit”. Këtë e pranon edhe vetë ai në mbledhjen e Byrosë Politike të datës 3 mars të vitit 1948 se “për çështjen e ardhjes së Divizionit jugosllav në Korçë, Marshallit i u përgjigjëm: Po!”.3)
Në dokumentet arkivore përsëri tregohet se radiogramin shifror tepër sekret të Titos, menjëherë e kishin zbuluar sovjetikët. Por ndonëse gjërat lëviznin në fshehtësi, as Enver Hoxha nuk u tha sovjetikëve për radiogramin jugosllav, as sovjetikët nuk i thanë gjë Enver Hoxhës. Gjërat dolën më vonë, kur Jugosllavia u përjashtua nga Informbyroja. Shumë kanë bërë insinuata se “sebepi i prishjes së Stalinit me Titon, ishte në mes Shqipëria”. Të jetë e vërtetë?! Të shpalosim dokumentet dhe të shohim të vërtetën!
Me të marrë telegramin e Titos dhe kthimin e dakortësisë, Enver Hoxha në cilësinë e Komandantit të Përgjithshëm urdhëroi menjëherë realizimin nga strukturat ushtarake shqiptare dhe vënien në punë të Shtabi të Përgjithshëm të Ushtrisë për konkretizimin e vendimit të Titos. Këto masa organizative si vetë urdhri, tregojnë predispozicionin e plotë të tij për realizimin e planit të okupimit jugosllav. Por këtë, okupimin, në mbledhjen e Byrosë Politike më 20 janar të vitit 1948, Enver Hoxha përpiqet ta justfikojë me shprehjen se “propozimi i Titos motivohej nga interesat e mbrojtjes së Shqipërisë”4).
Në fund të janarit, një javë pas radiogramit për Enver Hoxhën dhe pikërisht më 26 janar 1948, Tito dërgoi në Tiranë për të konkretizuar masat për futjen e Divizionit të tij në Korçë gjeneralin D. Kupreshanin, me në dorë edhe një mesazh tjetër personal të Titos për Enver Hoxhën. Në fakt Enver Hoxha për dislokimin e Divizionit jugosllav në Shqipëri, e kishte dhënë verdiktin qysh më 20 janar 1948, një ditë pas radiogramit të Titos. Mirëpo ngjarjet zhvillohen ndryshe. Thamë që sovjetikët e kishin zbuluar radiogramin sekret të Titos për dislokimin e Divizionit jugosllav në Korçë dhe Stalini kishte marrë informacion të plotë e qartë për “lëvizjen” e Titos. Kjo e shtonte edhe më shumë “zullumin” e Titos te Stalini, pasi ai më parë kishte avancuar edhe me Konfederatën Ballkanike. Dhe këtu nis çështja!
Nëpërmjet ambasadorit në Tiranë, sovjetikët e njoftuan Enver Hoxhën që Jugosllavia po provonte ta aneksonte Shqipërinë. Dhe sipas ambasadorit sovjetik Çuvakin, ja cili ishte pak a shumë formulimi i njoftimit sovjetik: “Ne nuk e dinim se jugosllavët nën pretekstin e mbrojtjes së vendit tuaj…, donin të sillnin njësitë e ushtrisë së tyre në territorin e Shqipërisë. Ata u përpoqën ta bënin këtë në një mënyrë shumë të fshehtë. Në fakt qëllimi i tyre në këtë drejtim ishte krejtësisht armiqësor, sepse ata synonin ta përmbysnin situatën në Shqipëri.”
E vërteta është se qëndrimet dhe veprimet e Titos për Federatën e “kultin e individit” të karshillëkut ndaj tij, kishte kohë nuk i pëlqenin Stalinit, përfshi edhe ato për Shqipërinë si një sebep i vogël, që ky i fundit i kish marrë vesh që në mesin e vitit 1947, më saktë që në qershor të vitit 1947, ku kemi faktin që Komiteti Qendror i Jugosllavisë filloi ta “dënonte” edhe publikisht Enver Hoxhën, duke e akuzuar se “ai kishte marrë një rrugë individualiste dhe antimarksiste”. Fill pas këtyre akuzave, Shqipëria bëri edhe një “shkelje” tjetër, duke realizuar blerjen e disa makinave bujqësore në Bashkimin Sovjetik, për të cilat jugosllavët deklaruan se “Shqipëria nuk mund të bënte asnjë marrëveshje me shtetet e tjera pa lejen e Jugosllavisë”. Ky qëndrim, thuajse deri kërcënues, shprehte idenë e diktatit dhe të patronatit se çdo gjë duhej bërë “me lejen e Jugosllavisë”.
Bazuar te ankesa jugosllave Koçi Xoxe mori guximin dhe në plenumin e 8-të e akuzoi Enver Hoxhën se “ai ishte shkaktar i ftohjes së marrëdhënieve me jugosllavët” dhe deklaroi se “misioni ushtarak sovjetik duhej të dëbohej e të sillej një jugosllav tjetër në vend të tij”.5) Por Enver Hoxha “qëndroi” dhe plenumi tregoi se përkrahja për të ende nuk kishte rënë e ndërsa kur Jugosllavia u prish me Bashkimin Sovjetik, mbështetja për Enver Hoxhën u rrit edhe më shumë.
Siç e theksuam, radiogramin tepër sekret për dislokimin e Divizionit ushtarak jugosllav në Korçë e kishte marrë vesh Stalini dhe informimi i ishte bërë diplomatikisht nga ambasadori sovjetik në Beograd Llavrentjev, i cili më 21 janar të vitit 1948, i shkruante Stalinit se “nga jugosllavët është vendosur për dislokimin e Divizionit të 2 -të të këmbësorisë në Shqipëri, në rajonin e Korçës”. Pak më vonë nga Tirana, kur nga Stalini e kishte vënë Titon para përgjegjësisë për Federatën e një seri të tjerash, edhe Enver Hoxha i shkroi Stalinit për tendencën e Titos lidhur me dislokimin e Divizionit jugosllav por me një ndryshim tepër të madh, se i shkroi Stalinit propozimin e Titos dhe jo miratimin që i kishte bërë vetë Enver Hoxha dislokimit të Divizionit jugosllav në Korçë.
Më tej për okupimin e Shqipërisë, më 25 prill 1948 në Byronë Politike Enver Hoxha do të shprehej me “sinqeritet” se “ne kemi qenë dakort për ardhjen e Divizionit jugosllav në Korçë, por kemi vënë në dijeni qeverinë sovjetike sa për informacion dhe kemi vazhduar të marrim të gjitha masat sikundër ramë dakort”. “Kur Stalini u prish me Titon, – shkruan ambasadori sovjetik në Tiranë Çuvakin, – Enver Hoxha më tha se -ky hap i tij ishte i gabuar, ishte një rrezik i madh për paqen në Ballkan, që mund të krijohej si rezultat i futjes në territorin e Shqipërisë të një Divizioni të huaj në zonën, e cila ishte fqinje me teatrin e veprimeve luftarake”.8)
Çuvakini në kujtimet e tij demaskon tërë prapaskenën e Enver Hoxhës lidhur me dislokimin e Divizionit jugosllav në Korçë, ku ai tregon edhe bisedimet organizuese të menjëhershme mes Shefave të Shtabeve të Përgjithshme, atij jugosllav e shqiptar, gjë që u bë për palën shqiptare në bazë të një Urdhri të veçantë të Enver Hoxhës në cilësinë e Komandantit të Përgjithshëm të Ushtrisë Shqiptare. Ngjarja dhe masat tregojnë qartësisht predispozicionin e plotë të Enver Hoxhës për plotësimin e planit të okupimit. Këtë e tregon edhe mbledhja e Byrosë Politike më 20 janar të vitit 1948, ku Enver Hoxha i parashtron dhe argumenton asaj mbledhje se “propozimi i Titos motivohet nga interesat e mbrojtjes së Shqipërisë”.9)
E vërteta është se në kuadrin e gjeopolitikës komuniste sovjetike, ngjarjet zhvillohen në dy plane. Sovjetikët, siç rezulton nga dokumentet e kishin zbuluar më parë Radiogramin e Titos për dislokimin e Divizionit në Korçë, se sa ata t’i informonte Enver Hoxha. Tendencën dhe planin e Jugosllavisë, nëpërmjet ambasadorit të tij në Tiranë, Stalini ja deklaron vetë Enver Hoxhës, ku i thekson se “Jugosllavia po provonte ta aneksonte Shqipërinë”! Ç’komedi po luhej?!
Vetë Stalini dikur në vitet ‘46-të u kishte thënë udhëheqësve jugosllavë Tito e Gjilas, “ta gëlltitnin Shqipërinë”!, ndërsa tani pas dy tre vjetësh, fliste për kujdesin që duhej treguar pasi Jugosllavia po përgadiste “aneksimin e Shqipërisë”. Dhe ja cili ishte pak a shumë formulimi i Stalinit, sipas ambasadorit Çuvakin se ata nuk e dinim se jugosllavët donin të sillnin njësite të ushtrisë së tyre në territorin e Shqipërisë.
I shantazhuar dhe i terrorizuar se dislokimi i forcave ushtarake jugosllave në Shqipëri, ishte fundi i pushtetit të tij, në ato kushte Enver Hoxha vendosi të luaj me “dy porta”. Nga një anë ta miratonte dislokimin e forcave ushtarake jugosllave në territorin shqiptar, që ishte nënshkrim individual i një pushtimi dhe nga ana tjetër, ta njoftonte Stalinin për “propozimin” jugosllav, por jo për vendimin e tij. Në fakt “loja”i doli si për mbarë. “Unë e informova Stalinin nëpërmjet ambasadës sovjetike për kërkesën e Titos, – shkruan ai në kujtimet e tij. Përgjigjja e Stalinit nuk vonoi, ajo erdhi disa ditë para fillimit të Plenumit të 8-të. “Stalini na njoftoi se ai nuk shikonte ndonjë rrezik të sulmit të mundshëm dhe ra dakord me mendimin se dërgimi i Divizionit jugosllav nuk shkaktohej nga domosdoshmëria”.11)
Në fakt gjithnjë është ngritur pyetja: Përse Enver Hoxha nga njëra anë edhe e miratoi dislokimin e Divizionit jugosllav në Korçë, dhe nga ana tjetër e njoftoi edhe Stalinin për kërkesën e Titos për dislokimin!? Këtu dhe për këtë të vjen në ndihmë analiza. Në atë situatë Enver Hoxha, por edhe Koçi Xoxe që u bënë bashkë në vendimin për dislokimin e Divizionit jugosllav por edhe për njoftimin e Stalinit, sepse u trembën se “mos Shqipëria pushtohej nga forcat greke dhe ato amerikano – britanike, çka do t‘i detyronte dy krerët e regjimit që të arratiseshin në Jugosllavi, ku nuk do të qenë të sigurt, jo vetëm se me shumë gjasë edhe vetë Jugosllavia me këtë rast do të invadohej nga amerikanët, por edhe se Tito do të kërkonte të gjente fajtorë për disfatën, në mënyrë që të shfajësonte veten, dhe nuk ishte çudi që të fajësonte Enver Hoxhën po e po, por edhe Koçi Xoxen. Në se gjërat do të shkonin më keq dhe të gjithë bashkë, Tito, Hoxha dhe Xoxe do të detyroheshin të arratiseshin në Bashkimin Sovjetik, atëherë atje Stalini, nuk do të hezitonte që t’i eliminonte të gjithë, për t’i dhënë Perëndimit të kuptonte se si ai nuk kishte përgjegjësi për atë që kishte ndodhur.12) Në këto rrethana Enver Hoxha dhe Koçi Xoxe për herë të parë, vendosin së bashku që të ndërmarrin një veprim që bie ndesh me një kërkesë të jugosllavëve, njoftimin e Stalinit.
Duke kujtuar këtë episod, Stalini gjatë kohës së vizitës së 23 marsit të vitit 1949 i kujtoi Enver Hoxhës se “ne nuk e dinim se jugosllavët me pretekstin e “mbrojtjes” së vendit tuaj…, synonin të dislokonin në RPSH njësi të ushtrisë së tyre. Ata përpiqeshin ta bënin këtë në fshehtësi të madhe… Njoftimi nga ana juaj lidhur me këtë ishte i dobishëm për ne, sepse në rast të kundërt, ne nuk do të dinim asgjë për këtë Divizion, të cilin ata kishin ndërmend ta dislokonin në territorin tuaj. Ata jepnin të kuptoje sikur ky hap ndërmerrej me pëlqimin e Bashkimit Sovjetik”.13)
Edhe jugosllavi Eduard Kardeli në kujtimet e tij e paraqet këtë episod në formën e mëposhtme: “Ne u premtuam shqiptarëve t’u dërgojmë atyre në formën e ndihmës, nëse do të duhej, një Divizionin tonë. Për këtë, në të vërtetë, ne nuk e njoftuam Bashkimin Sovjetik, sepse ishim të bindur se atë do ta informojnë shqiptarët, sepse kjo ishte punë e tyre. Dhe ata kështu vepruan. Por nga Moska atëherë ndërhynë menjëherë që ne të mos e bënim këtë hap dhe ne e anuluam vendimin tonë”.14)
Ndërsa në takimin e Enver Hoxhës me Stalinin po më 23 mars të vitit 1949, për dislokimin e Divizionit jugosllav në Korçë u zhvillua edhe ky dialog:
Stalini: “Në letra, nuk ishin sqaruar të gjitha çështjet, pasi asokohe ne nuk dinim gjithçka. Më vonë mësuam se jugosllavët donin të dërgonin një Divizion në Shqipëri, jo për qëllimin e mbrojtjes së Shqipërisë, por për të përmbysur regjimin. Ne këtë e mësuam vonë, ashtu si edhe shqiptarët.
Hoxha: “…për dërgimin e Divizionit në Shqipëri menduam se ata e kishin koordinuar më parë me ju atë lëvizje.
Stalini: “Jugosllavët po përpiqeshin ta dërgonin fshehtas atë Divizion atje,…”15)
E vërteta është se siç e tregon edhe dialogu i mësipërm i Stalinit, kërkesa e Titos për dislokimin e Divizionit ushtarak jugosllav në Shqipëri dhe Miratimi që dha paraprakisht Enver Hoxha, nuk kaloi aq lehtë e pa vëmendje në Moskë. Për atë akt juridik të Titos, akt pushtimi, më 28 janar të vitit 1948 nëpërmjet Molotovit, Stalini ngarkoi ambasadorin e BRSS në Jugosllavi A.I.Llavrentjev, që ta takojë Titon ose Kardelin dhe t’u transmetonte: “Në Moskë morëm njoftimin se Jugosllavia ka ndërmend në ditët e ardhshme të dërgojë një Divizion të saj në Shqipëri, në kufijtë e saj jugorë. Meqenëse Moska nuk mori të njëjtin informacion nga Jugosllavia, atëherë pyesim nëse ky njoftim përputhet me realitetin?! Moska trembet se në rast të futjes së forcave jugosllave në Shqipëri, anglosaksonët do ta vlerësojnë këtë si pushtim të Shqipërisë nga forcat jugosllave dhe shkelje të sovranitetit të saj, në të njëjtën kohë mundet që anglosaksonët ta shfrytëzojnë këtë fakt për ndërhyrje ushtarake në këtë çështje, me pretekstin e “mbrojtjes” së pavarësisë së Shqipërisë. Moska kërkon shpjegime! Molotov”.16)
Lidhur me gjeopolitikën e kohës, grindjet apo marrëdhëniet e Stalinit me Titon, ka hamendësime se ato ndodhën përfundimisht edhe për çështjen e “pushtimit të Shqipërisë”. Këtë e sqaron qartë e mirë Vladimir Dedijeri, biograf i Titos, ku ka shkruar se “grindja Stalin-Tito ishte për “vendin e parë”, ishte rivaliteti”.17))
Që Stalini luante me qëllimet dhe ambiciet e Titos në Ballkan, tashmë kjo nuk ka asgjë për tu zbuluar. Ai i bënte pikërisht këto manovrime që më vonë ta sulmonte Titon për ambicie të tepruar, siç e kritikoi dhe në fakt për të cilat e dënoi edhe konkretisht Titon. Këto duken edhe nga fakti që i dërguari sovjetik në Tiranë Çuvakini, në telegramet e tij dërguar në Moskë, merr një qëndrim plotësisht kundër jugosllavëve.
Më 29 janar të vitit 1948, në bisedë me ambasadorin sovjetik në Beograd A.I.Llavrentjev, Tito e shprehu hapur ekzistencën e vendimit për dislokimin e një apo dy Divizioneve ushtarake në Shqipëri. Dhe në vijim të bisedimeve me Titon, ambasadori sovjetik në Beograd Llavrentjev, shkruan se gjatë bisedës me Titon, u ra dakord me urdhrin e Moskës që “tani për tani Tito ta ndalojë dërgimin e forcave jugosllave në Shqipëri. 21).
Informacionin e mësipërm lidhur me qëndrimin e J.B.Titos, ambasadori Llavrentjev patjetër që e transmetoi në Moskë, ja dërgoi Stalinit. Si përgjigje ndaj Vendimit të Titos, nga Moska më 1 shkurt të vitit 1948, u nis për të (për Titon), ky telegram kërcënues i Stalinit nëpërmjet Molotovit: “Nga biseda juaj me shokun Llavrentjev, duket se ju e konsideroni normale një situatë të tillë kur Jugosllavia duke pasur traktat për ndihmë reciproke me BRSS e konsideron të mundshme veten të mos konsultohet me BRSS për dërgimin e forcave të saj në Shqipëri, por as që të informojë BRSS për këtë, sipas rregullit të nevojshëm. Për dijeninë tuaj, ju njoftoj se Qeveria Sovjetike, krejt rastësisht mësoi nga bisedat private të përfaqësuesve sovjetikë me funksionarët shqiptarë për vendimin e Qeverisë Jugosllave, lidhur për dërgimin e forcave tuaja në Shqipëri. BRSS e konsideron këtë mënyrë jo normale, por në qoftë se ju e konsideroni këtë mënyrë normale, atëherë unë duhet t’ju deklaroj, me porosi të Qeverisë së BRSS se BRSS nuk mund të bjerë dakord me atë, që e vini përpara faktit të kryer. Dhe, natyrisht është e kuptueshme se BRSS si aleat i Jugosllavisë, nuk mund të mbajë përgjegjësí për pasojat e këtij lloj veprimi të kryer nga Qeveria Jugosllave pa u konsultuar dhe pa dijeninë e Qeverisë Sovjetike. Shoku Llavrentjev na njoftoi se ju e ndaluat dërgimin e forcave jugosllave në Shqipëri, që ne e mbajmë parasysh. Por, siç duket, ndërmjet qeverive tona ka divergjenca serioze në kuptimin e marrëdhënieve reciproke nëpërmjet vendeve tona, të lidhura ndërmjet tyre me marrëveshje aleancash. Për të shmangur keqkuptimet, do duhet që këto divergjenca, sido që të jetë, të sheshohen”.22) Këtë telegram që mbante firmën e Molotovit, më 1 shkurt 1948 A.I.Llavrentjev ia dha Titos. Për kryerjen e kësaj detyre ai njoftoi përsëri në Moskë. Dhe më tej Llavrentjevi shkruan se “Tito, pasi e lexoi telegramin dy herë, tepër i shqetësuar, tha se nuk e priste që Qeveria Sovjetike t’i jepte kësaj çështjeje një rëndësi të tillë. Ai pranon se u bë gabim….Divizioni jugosllav nuk do të futet në Shqipëri”.23)
Nëntë ditë pas dorëzimit të notës së mësipërme të Stalinit e të Qeverisë Sovjetike për Titon, lidhur me dislokimin e Divizionit në Korçë, numri dy i Jugosllavisë Eduard Kardeli, në emër të Titos shkoi në Moskë. Në bisedime me Stalinin, Kardeli foli edhe “për shkeljet” e Jugosllavisë me Traktatin”.24) Para këtij takimi me Kadelin, Stalini kishte thirrur në një takim tjetër sekret zyrtarët bullgarë por edhe ata jugosllavë, në lidhje me mungesën e koordinimit mes tri qeverive për disa incidente të kohëve të fundit. Kardeli dhe Vakariçi arritën në Moskë të dielën më 8 shkurt të vitit 1948 dhe deri të martën më 10 shkurt nuk morën asnjë njoftim për takimin. “Në mesditën e datës 10 shkurt, Branov na telefonoi për të na thënë se në orën 900 do të shkonin në Kremlin – shkruan Gjilas. Lesakovi na tha se bullgarët kishin ardhur të hënën dhe se delegacioni i tyre i lartë përbëhej nga Dimitrovi, Kolarovi, Koslovi e Kostovi. Në orën 900 të mbrëmjes shkuam në Kremlin dhe pasi u mblodhëm të gjithë, u drejtuam për në zyrën e Stalinit. Takimi zgjati rreth tre orë. Në takim ishin të pranishëm, Stalini në krye të tavolinës, Molotov, Malenkov, Zhdanov, Suslov e Zorin (në të djathtë të Stalinit), dhe Dimitrov, Kolarov e Koslov dhe Kardeli, Gjilasi, Vakariçi (në të majtë nga Stalini përgjatë tavolinës). Molotovi foli i pari. Ai theksoi se kishte një çështje mosmarrëveshjesh serioze mes sovjetikëve, Bullgarisë dhe Jugosllavisë. Këto mosmarrëveshje janë të papranueshme,- theksoi Molotovi- si nga pikëpamja partiake dhe shtetërore. Si shembuj të mosmarrëveshjeve ai dha deklaratën e Dimitrovit për Federatën e vendeve Lindore dhe të Ballkanit duke përfshirë Greqinë, mungesën e koordinimit me BRSS nga njëra anë dhe Bullgarisë nga ana tjetër dhe zhvillimin e ngjarjes jugosllave në kufirin jugor të Shqipërisë (Korçë). Stalini në atë takim foli kundër projektit të Dimitrovit për Federatën Europiano-Lindore dhe tha se të njëjtin mendim kishin edhe polakët. Kjo u miratua nga të pranishmit, por disa nga delegatët thanë se kishin menduar se kjo kishte qenë dëshira e Moskës, por Stalini tha se “spjegimet e Dimitrovit në Agjencinë Telegrafike Bullgare për sqarimin e çështjes, nuk shpjegonin asgjë. Ai shtoi se Austria dhe Hungaria kishin ndaluar një plan bashkimi doganor mes Bullgarisë e Jugosllavisë. Gjermania ishte kundër dhe tani edhe Bashkimi Sovjetik”. Stalini u tha të pranishmëve se “Dimitrovi po përpiqej të largonte vëmendjen nga problemet e brendshme, tek ato të jashtme, të Federatës”.25)
“Më pas Molotovi -shkruan Gjilasi -kaloi në pikën e tretë të mosmarrëveshjeve, lexon mesazhin e ambasadorit sovjetik në Jugosllavi, Llavrentjev, mbi takimin me Titon. Duke e lexuar, bëhet e qartë se mesazhi është një përgjigje në lidhje me pyetjen nëse ka apo jo një vendim të Qeverisë Sovjetike për kalimin e trupave jugosllave në Shqipëri. Mesazhi thotë se ekziston një vendim i koordinuar i Titos me Enver Hoxhën”.28)
Ndërsa Stalini në Moskë vijonte me gjeopolitikën sovjetike dhe në këtë kuadër u kërkonte llogari jugosllavëve për vendimin e miratuar edhe nga Enver Hoxha për dislokimin e Divizionit ushtarak në Korçë, Enver Hoxha në Tiranë me finokllik përgatiste lloj-lloj variantesh që t’i justifikonte ende punët e tij në shërbim të Titos. “E mbaj mend si tani, – shkruante Liri Belishova ish zëvendësja e Enver Hoxhës, – që në një mbledhjet të Byrosë, në atë kohë kur bëhej si pushim, Enveri për t’i dalë përpara kësaj, më tha se “ka letra që ne i kemi bërë Titos, por ato nuk janë bërë seriozisht, por për t’i blerë mendjen atij”.29)
Pas gjithë asaj shoshitje e llogarie, në janar të vitit 1948, Stalini u dha ultimatumin përfundimtar jugosllavëve për t’u tërhequr nga Shqipëria dmth për të anuluar planin e dislokimit, ndërsa një muaj më vonë, në shkurt të vitit 1948, Partia Komuniste sovjetike bazuar te gjeopolitika e tyre do ta sulmonte publikisht Partinë Komuniste jugosllave dhe do të fillonte ndaj saj bllokadën e gjithanshme.
Nuk ishte Shqipëria ajo që prishi marrëdhëniet sovjeto-jugosllave, as çështjet “parimore” të Informbyrosë por ishin çështje të tjera, ishin kryesisht të rivalitetit kult Stalin-Tito. Brenda natës, Jugosllavisë i u ndalua importimi i naftës nga Rusia. Pikërisht këtu e në këto momente ndodhi edhe prishja e marrëdhënieve mes Enver Hoxhës dhe Titos. “Antimarksist, nacionalist, agjent i imperializmit, kalë Troje” ishin disa nga emërtimet që “zgjodhi” Enver Hoxha për Titon. Siç e thamë, prishja e madhe nuk ndodhi për Shqipërinë, por ishte për rivalitetin personal të kultit Stalin-Titoi, për gjeopolitikën e tyre komuniste./bulevard news