Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, mori pjesë sot në ceremoninë e binjakëzimit mes Bashkisë së Mirditës dhe Komunës arbëreshe të San Cosmo Albanese në Itali, një nismë që synon të forcojë marrëdhëniet midis shqiptarëve dhe komuniteteve arbëreshe.
Në fjalën e tij, Presidenti Begaj theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërshqiptar dhe ruajtjes së kulturës dhe traditave.
“Më vjen mirë që jam sot këtu, ku Shqipëria, Kosova dhe Arbëria bëhen bashkë në Mirditë. Ku ka vullnet dhe dëshirë, gjithmonë gjenden mundësi për të ndihmuar qytetarët tanë,” u shpreh ai.
Në ceremoni ishin të pranishëm Kryetari i Bashkisë së Mirditës, Albert Melushi, Kryetari i Komunës së San Cosmo Albanese dhe Kryetari i Bashkisë së Junikut në Kosovë. Binjakëzimi është pjesë e projektit “Mirditë-Junik,” i cili mbështetet nga Bashkimi Evropian për të zhvilluar turizmin në zonat ndërkufitare.
Presidenti Begaj prezantoi gjithashtu një iniciativë të re të quajtur “Rrënjët,” e cila synon të forcojë lidhjet ndërshqiptare dhe të ruajë vlerat kombëtare.
“Ashtu siç ushqejmë rrënjët që të rritet pema dhe të japë fryte, ne do të punojmë së bashku për të forcuar lidhjet tona dhe për të mbështetur njëri-tjetrin,” deklaroi ai.
Në përfundim, Presidenti uroi një vit të mbarë për të gjithë të pranishmit dhe qytetarët shqiptarë.