Kryeministri Albin Kurti ka reaguar për fillimin e shërbimeve të Starlink në Kosovë, duke e cilësuar këtë si një hap të rëndësishëm për avancimin e infrastrukturës digjitale dhe përmirësimin e qasjes në internet për qytetarët e vendit.
Në një postim në rrjetet sociale, Kurti theksoi se pas lëshimit të autorizimit nga Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare, Starlink ka filluar të ofrojë shërbimet e saj satelitore në Kosovë, duke ofruar mundësi të reja për qasje në internet në çdo cep të territorit. Ai gjithashtu theksoi rëndësinë e Starlink në mundësimin e komunikimit gjatë fatkeqësive natyrore dhe emergjencave kombëtare.
Lajmin për mbërritjen e Starlink në Kosovë e dha edhe Elon Musk përmes një postimi në X.
Postimi i Kurtit:
Starlink tash edhe në Kosovë.
Pas lëshimit të autorizimit nga Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare, Starlink ka filluar shërbimet satelitore të qasjes në internet edhe në Kosovë.
Ky është një hap i rëndësishëm në avancimin e infrastrukturës digjitale në vend dhe ofron mundësi të shumta për qasjen në internet në çdo lokacion e cep të territorit të Republikës së Kosovës.
Starlink është dëshmuar jashtëzakonisht i rëndësishëm në mundësimin e komunikimit kritik gjatë fatkeqësive natyrore ose rasteve të tjera të emergjencave kombëtare