Ballina Kulturë Famullitari Dom Marjan Lumçi: Nga 12 apostuj që kishte Krishti, 4 erdhën...

Famullitari Dom Marjan Lumçi: Nga 12 apostuj që kishte Krishti, 4 erdhën në kishën katolike të Durresit

0
16

Nga Mark Brunga

Konkatedralja “Shën Luçija” e Durrësit është një objekt me vlera të mëdha historike si për  vetë qytetin bregdetar ashtu edhe për vëndin tonë. Edhe për faktin se në këtë institucion të rëndësishëm ka zhvilluar veprimtarinë e tijë fetare e patriotike nr 2 i qeverisë së parë shqiptare të Ismail Qemalit ne vitin 1912, Dom Nikollë Kaçorri. Po ashtu se është vizituar 2 herë rradhazi nga shënjetorja nënë Tereza. Po rrënjët e historikut të sajë na shpien thellë në histori. E ndertuar e shpesh djegur dhe e rrenuar herë pas here, ajo ka arritur që të mbijetojë. Për këtë flet historiku i sajë të cilin na e risolli të freskët  Dom Marjan Lumçi, famullitari i kesaj kishe,  në një takim që u organizua mbi jeten e poetit Avzi Nela më 23 dhjetor 2022.  Pjesmarresit e shumtë që ishin në atë takim e dëgjuan me vëmëndje fjalen e mirseardhjes  ne të cilen u shpreh: “Ju e dini që për mbarë krishterimin në Jeruzalem është varri i shenjtë ku e gjithe bota shkon sepse aty identifikohet me ndjenjen e vet shpirtërore. Unë mendoj  se në masë  krahasimore  aq sa ma lejon proporcioni i drejtë kjo kishë asht santa sepulkon varri i shenjtë që i përket shqiptarisë! Për çfarë motivi? Në se krishterimi shqiptar do me gjet motivin e vet, në këtë vënd kanë ardhur Shën Pali, Shën Pjetri, Shën Bartolomeo, Shën Andrea.  Jezu Krishti, ne besojmë, 12 apostuj kishte e 4 prej tyre kanë ardhur në Durrës.  Besoj se Durrësi duhet me u ndjerë krenar për këtë gja. Po ne nuk jena të gjithë të krishterë.  Po jemi të gjithë shqiptar. E shqiptaria e ka zanafillën e vet në këtë kishë. Sepse pikërisht këtu pushon imzot Nikollë Kaçorri. Pa kontributin e tij nuk do të ishim sot këtu bashkë.”

Konkatedraleja, sipas historikut të kësaj kishe,  është sot objekti më i vjetër i krishterë në qytetin e Durrësit dhe i është kushtuar shën Luçisë. Guri i parë u bekua nga imzot d’Ambrosio më 20 tetor 1867, ndërsa punimet për ngritjen e saj zgjatën rreth dy vjet. Shugurimi i kishës u bë në tetor të virit 1869. Për këtë rast të veçantë, vetë perandoresha Sisi i dhuroi kësaj kishe një pikturë të mrekullueshme të shën Luçisë, vepër e piktorit të famshëm vjenez Franz Russ i Vjetri. E veçanta e kesaj kishe është se gjatë gërmimit për themelet e kishës, austriakët zbuluan një kryq guri me mbishkrime latine, të cilin autoritetet turke e konfiskuan menjëherë. Ka shumë të ngjarë që vetë kisha të jetë ndërtuar mbi një kishë edhe më të vjetër mesjetare të shekullit XIV. Në dhjetor të vitit 1873 kisha u pajis me një kambanore rreth 20 metra të lartë, e cila mbante mbi vete dy kambana. Për shkak të represionit osman, ato kambana nuk u lejuan të binin deri më 18 gusht 1874, kur, pas presionit politik dhe ushtarak të Vjenës, Veziri i Madh, përmes një dekreti të posaçëm, lejoi rënien e tyre. Fill më pas, shumë pranë kishës u ndërtua edhe një shkollë, e cila ishte e para që në fshehtësi u mësonte qytetarëve të Durrësit gjuhën shqipe.

PROJEKTET PËR PAVARËSINË

Isamail Qemali kishte projektuar që shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë ta bënte nga qyteti i Durresit. Gjatë qëndrimit në Durrës, ai e kaloi pjesën më të madhe të kohës në mjediset e qelës së famullisë, që ndodhet ngjitur me kishën. Ai qëndroi në  qelën e famullisë pikërisht ku mblidhej fillimisht klubi “Vëllazëria” (1907) dhe më pas ai “Bashkimi” (1909). Në mjediset e kishës u zhvilluan pothuajse të gjitha takimet vendimtare që çuan në shpalljen e pavarësisë, më 26 nëntor 1912.Ismail Qemali ka arritur në Durrës me 21 nëntor 1912 dhe është pritur në qelën e kësaj kishe nga  Dom Nikollë Kacorri, i cili do të ishte pas një jave edhe zëvëndës kryeministri i parë i tij.

SHKATERRIMI

Në arkivat e rrënuara të kësaj kishe ka mbijetuar nje foto interesante e vitit 1914. Në të cilen Famullia e shën Luçis është vizituar nga princ Vidi. Nga foto e mbetur duket madheshtija e sajë e dikurëshme të cilën nuk e arriti më pasi pas pak ditësh ajo u rrënua nga rebelët e Haxhi Qamilit. Në historikun e ekspozuar të kësaj kishe mësohet se ajo u vizitua disa herë nga Princ Vidi, gjatë kohës kur ai mbretëroi në Shqipëri. Tri ditë pas largimit të tij dhe marrjes së qytetit nga forcat kryengritëse të Mustafa Ndroqit dhe Haxhi Qamilit, të cilët kërkonin rikthimin e sundimit osman në Shqipëri, më 6 shtator 1914, kishës iu vu zjarri. Nuk i shpëtoi zjarrit as banesa e priftit. U dogjën kështu arkivat e kishës dhe e gjithë biblioteka e saj e pasur me 20 000 libra. Gjatë sulmit u torturua dhe u dogj i gjallë sakristani i kishës, të cilin e lidhën brenda në kishë para se ti vendosnin flakën. Kisha ndenji e shkatërruar për disa vjet, derisa u rindërtua nga austro-hungarezët në vitin 1916. Gjatë natës së tmerrshme të 2 tetorit 1918, ajo u godit nga bombat e aleatëve. U ndërtua përsëri pak muaj më pas, kësaj here nga ushtria italiane. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, kjo kishë, për disa muaj, u kthye në spitalin e ngritur nga Kryqi i Kuq për kurimin e të plagosurve të luftës. Pas ardhjes në pushtet të Partisë Komuniste, në vitin 1944 dhe në vitet mëvonshme, kisha ishte nën mbikëqyrje të vazhdueshme nga famëkeqi Sigurimi i Shtetit. Në qelën e famullisë u arrestua ipeshkvi i kësaj arkidioqeze, imzot Vinçenc Prendushi, më 19 maj 1947. Arsyeja e arrestimit ishte se imzot Prendushi nuk pranoi krijimin e Kishës Katolike Shqiptare të ndarë nga Papa dhe të drejtuar nga qeveria komuniste. Një ditë më parë ishte arrestuar edhe sekretari i tij, i lumi Anton Zogaj. Imzot Prennushi vdiq nën tortura, sipas historikut te kishws, bazuar ne deshmite e qytetareve, i mbyllur në një kafaz hekuri me gozhdë nga brenda në burgun e Durrësit, më 19 mars 1949. Imzot Jul Bonati vdiq më 5 nëntor 1951 në infermierinë e burgut të Durrësit. Në altarin e Konkatedrales nderohen eshtrat e të lumit imzot Vinçenc Prendushi dhe të të lumit Jul Bonati, të shpallur të lumë në vitin 2014 nga Papa Françesku.

NËNË TEREZA VIZITE NE SHEN LUÇIJA

Ka qenë 5 korriku i vitit 1991, kur Sabri Cevani, ndërsa po shëtiste me familjen e tij në trotuarin përballë xhamisë së madhe të qytetit, pranë i ndaloi një furgon i bardhë, i përdorur. Atij kurrë nuk do t’i shkonte ndër mend se në këtë furgon, me derën e parë të prishur nga ndonjë përplasje, udhëtonte Nënë Tereza. Ai kujtonte se si nga furgoni zbriti një shtetas i huaj dhe e pyeti nëse ka ndonjë që di gjuhën italiane. Famullitarit italian që e pyeti, Sabriu iu përgjigj se e dinte gjuhën dhe se ishte në dispozicion të tij. Miku e ftoi, duke iu lutur, që të vinte te makina dhe të takonte Nënë Terezën. Sabriut s’i besohej për momentin dhe kur e pa me sy bamirësen e madhe u përkul dhe i puthi duart. Më pas, kur e mori veten pas një hutimi të shkurtër, ai e ndihmoi misionaren e shenjtë që të gjente rrugën për te Katedralja katolike “Shën Luçia”, e cila sapo kishte filluar të restaurohej. Te dera e kishës, Nënë Terezën e rrethuan banorë të të gjitha moshave, duke përfshirë pleq e fëmijë, të cilët ajo i takonte të gjithë. Sabriut i kishte mbetur e ngulitur në kujtesë ajo dritë e zjarrtë shprese që vezullonte në sytë e të gjithëve gjatë këtij takimi tepër të rrallë. Në këtë takim, Nënë Tereza shoqërohej nga Monsinjori, si dhe tri motra nga të cilat dy indiane dhe një spanjolle, spanjollja quhej Paola dhe ngiste makinën, ka shkruar ai.

KRYQI I NËNË TEREZËS

xSabriu kujton se si Nënë Tereza, pasi shëtiti Durrësin nën drejtimin e tij, i tha: ”Tani na udhëhiq drejt shtëpisë tënde”. Pasi e çoi te shtëpia, ajo qëndroi pak, pasi qe shumë e lodhur, nuk pranoi të pinte kafe, por i dha një dhuratë tepër të çmuar, të cilën Sabriu e ruan si një kujtim të veçantë e të rrallë. Në çastin e ndarjes, – kujtonte, – Nënë Tereza nxori nga gjiri i saj medaljonin me figurën e Shën Mërisë dhe më tha: ”Kjo është e imja, personale, por po ta dhuroj ty”. Sabriu thotë se pas kësaj dhurate e falënderoi duke i thënë: “Megjithëse i përkas besimit mysliman, ne e njohim krishtërimin, njohim Librin e Shenjtë, Ungjillin, njohim dhe besojmë Krishtin si i dërguar i Perëndisë, besojmë në virgjërinë e Shën Mërisë, pra këtë dhuratë do ta ruaj në shtëpinë time si gjënë më të çmuar”. Ai thonte disa here se : ”Falënderoj Zotin që më dha rastin fatlum për të takuar Atë, Nënën e të gjithëve!” Në prag të ndarjes, Nënë Tereza e përqafoi Sabriun, ia mori të dyja duart në duart e saj të ngrohta dhe ia afroi te buzët. Sabriu kujtonte: “M’i mori të dyja duart, m’i puthi dhe më tha tri herë: “Të bekoftë Zoti!” Edhe ai ia puthi me respekt duart Nënës së madhe, shenjtores së ardhshme dhe, duke u lutur, u nda nga ajo…“Kur Nënë Tereza ndërroi jetë, ndjeva një dhimbje të madhe në shpirt. Që atë ditë, i jam lutur Zotit që Ajo të prehet e qetë në Parajsë. Ajo i përket të gjithë njerëzimit dhe jo vetëm komunitetit të krishterë”, – tregonte  ai në intervisten ekluzive që më dha për këtë rast, pak vite para ndarjes nga jeta./ bulevard news