Ballina Rajoni Protestat më masive në 20 vjet, flet aktivistja nga Beogradi

Protestat më masive në 20 vjet, flet aktivistja nga Beogradi

6
0

Aktivistja Sofia Todoroviq, ka folur mbi protestat masive që kanë shpërthyer në Serbi pas një incidenti tragjik në Novi Sad, ku rënia e një mburoje betoni në një stacion hekurudhor shkaktoi vdekjen e 15 personave.

Sipas Todoroviqit, mbi 100 mijë persona u mblodhën në një nga protestat më të mëdha të dekadës së fundit, duke e krahasuar me ato të viteve ’90.

“Sheshi ishte pothuajse i mbushur plot. Kishte shumë të rinj që kishin ardhur nga të gjitha qytetet, përfshirë studentë nga Universiteti i Beogradit dhe ai i Nishit. Rrugët ishin të bllokuara”, theksoi ajo, gjatë një interviste në emisionin “Kosova Today”.

Protesta, përveç qytetarëve të zakonshëm, përfshiu edhe figura publike dhe familjarë të studentëve, duke përfshirë nënat që, sipas Todoroviqit, “erdhën për t’u bërë mburojë për fëmijët e tyre, duke mbrojtur ata nga sulmet e mundshme”.

Todoroviq po ashtu vuri në dukje përpjekjet e partive opozitare për t’u bashkuar me protestat, ndërsa qeveria serbe po përpiqet t’i distancojë ata nga studentët dhe pjesëmarrësit e tjerë.

Njëherësh ajo foli për  vendimin e qeverisë serbe për të zgjatur pushimet dimërore, duke e cilësuar si një përpjekje për të frenuar protestat.

“Kjo është një masë e gabuar dhe një pushim dimëror i dhunshëm. Qeveria po mundohet të dekoncentrojë qytetarët dhe të zhvendosë vëmendjen nga ngjarjet aktuale”.

“Është një lojë sociale që prek qytetarët. Ka tendenca që dikush të joshet dhe të tërhiqet nga protesta përmes këtyre metodave” shtoi aktivistja.

Sipas saj, qeveria serbe po përpiqet të neutralizojë ndikimin e protestave përmes masave sociale dhe përpjekjeve për të devijuar vëmendjen, por pjesëmarrja masive e qytetarëve tregon se pakënaqësia mbetet e lartë.