Ballina Rajoni Rada Trajkoviç reagon për protestat masive në Serbi: Kënaqësi që..

Rada Trajkoviç reagon për protestat masive në Serbi: Kënaqësi që..

10
0

Të dielën, Beogradi u bë skenë e një prej protestave më të mëdha të dekadës së fundit atje, ku raportohet se dhjetëra mijëra qytetarë u mblodhën në sheshin qendror për të shprehur pakënaqësinë e tyre ndaj qeverisjes së presidentit Aleksandar Vuçiq.

Këto protesta u nxitën nga tragjedia e 1 nëntorit në Novi Sad, ku shembja e çatisë së një stacioni treni shkaktoi vdekjen e 15 personave.

Rreth 13 persona janë arrestuar për këtë tragjedi, duke përfshirë një ministër të qeverisë, por lirimi i mëvonshëm i tij nxiti skepticizmin publik në lidhje me hetimin.

Një rol kyç në organizimin e protestave kanë pasur studentët, të cilët mes tjerash kanë bllokuar dhe 62 fakultete në mbarë Serbinë. Atyre u janë bashkuar edhe familjarë, figura publike dhe partitë opozitare, duke krijuar një front të gjerë kundër qeverisë aktuale.

Politikanja serbe nga Kosova, Rada Trajkoviq – kritike e njohur e presidentit Vuçiq, në një deklaratë për Klankosova shprehu kënaqësinë e saj për rritjen e rezistencës ndaj siç tha, regjimit në Serbi.

“Unë kam qenë kundërshtare politike e presidentit Vuçiq për një kohë të gjatë, dhe veçanërisht në lidhje me politikën e tij ndaj Kosovës kam qenë e vetmuar për një kohë të gjatë. Për shkak të atij qëndrimi tim, u ekspozova ndaj persekutimit, kërcënimeve ndaj sigurisëp dhe situatave të pakëndshme, që janë raportuar edhe në media. Prandaj, edhe unë e përjetoj si kënaqësi personale faktin që sot në Serbi shumë më tepër njerëz janë në anën e kundërshtarëve të këtij regjimi, madje do të thosha shumica”, deklaroi.

Trajkoviq vlerësoi se solidariteti mes serbëve u zgjua pas tragjedisë në Novi Sad dhe se të rinjtë këto ditë kanë dëshmuar se pavarësisht viteve të represionit dhe zhvlerësimit të vlerave etike nga kjo qeveri, fryma e drejtësisë mbetet e gjallë në Serbi. Ajo përfundoi duke deklaruar se ndryshimi politik në Serbi ka filluar dhe se ky proces tani është i pandalshëm.

E presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, të shtunën ka akuzuar kundërshtarët e tij për manipulimin e studentëve për të fituar pushtetin. Ndërkaq, pas protestës së të dielës, të cilës iu referua si një “mbledhi domethënëse e madhe”, deklaroi se ishte “gati” për të dëgjuar kërkesat e protestuesve.

Protestat e fundit pasojnë një seri demonstratash të ngjashme gjatë vitit 2023 kundër qeverisë së Vuçiqit. Ato u nxitën pas dy sulmeve të armatosura në maj, ku humbën jetën 18 persona, duke shkaktuar zemërim publik ndaj dhunës së përhapur, korrupsionit dhe kufizimit të lirisë së medias. Dhjetëra mijëra qytetarë ishin mbledhur në Beograd dhe qytete të tjera, duke kërkuar dorëheqjen e zyrtarëve përgjegjës dhe masa më të rrepta ndaj kriminalitetit, si dhe akuzuan qeverinë për krijimin e një klime urrejtjeje dhe dhune përmes mediave të kontrolluara.