Nga Albert Z. ZHOLI
Ka ditë që problem i mandarinave të bllokuara për eksport i ka kaluar kufijtë e Shqipërisë. Madje bllokim të tyre ka bërë edhe Kosova. Flitet për rreth 60 ton që u bllokuan se kanë mbetje të larta me pesticide të papranueshme në tregun Europian i cili ka standarte. Flitet për 60 ton që nuk përbën ndonjë sasi të madhe ku dëmi material nuk është i madh, por dëmi që ju shkaktua fermerëve është i jashtëzakonshëm dhe ai nuk zgjidhet vetëm me asgjësimin e kësaj ngarkese, por duhen kërkuar shkaqet. Duhen kërkuar shkaqet pasi do ngelet stok i gjithë prodhimi i këtij viti madje mund të ndodh edhe vitet e ardhshme. Lind pyetja: Kush i importon dhe shet këto pesticide të ndaluara dhe përse drejtoritë bujqësore në këto zona nuk informojnë dhe parandalojnë në kohë përdorimin e helmeve të dëmshme edhe për shëndetin e shqiptarëve jo vetëm të europianeve? Pse pikërisht del ky problem në pikun e prodhimit ku dëmtohen gjithë kultivuesit, por edhe vetë konsumatori? A nuk janë parë më parë këto helme që kur hynë në dogana? Ku ishin specialistët e fushës për të parandaluar këtë gjëmë? Thuhet se tashmë AKU ka arritur të gjurmojë subjektin, që i tregton këto mandarina dhe fermerin që i ka prodhuar, por nuk ka arritur të gjejë personin që i shet këto helme të rrezikshme. Kaq e vështirë është në një vend të vogël? Apo shitja është bërë e qëllimshme që të dëmtohet emri i kultivuesve shqiptarë dhe ne të importojmë edhe mandarina? Kjo ndodh kur flitet se mandarinat që u bllokuan në vendet e Europës ishin spërkatur me dy pesticide të ndaluara si kloperifosi dhe fosmeti. Këto dy preparate bujqësore janë hequr nga lista e BE në vitin 2020 dhe 2022, e pavarësisht kësaj ato vazhdojnë të tregtohen dhe përdoren nga fermerët për të vrarë insektet që dëmtojnë mandarinat.
Prof. Lush Susaj: Në këtë lojë janë përzier të gjitha farmacitë që punojnë me projektet e Ministrisë së Bujqësisë
Duke u bazuar në pyetjet tuaja mund të them se ky helmim është dhe i qëllimshëm. Këto pesticide besoj janë kontrabandë nga stoqet që zuri viti 2020 kur e stopoj BE shpërndarjen e tyre. Këtu i shperndajnë me çanta, makina të vogla me çmim të lartë, atje pothuajse i marrin falas, vetëm na e hiq se nuk e groposim dot se kanë kosto mjedisore. Në këtë lojë janë përzier të gjitha farmacitë që punojnë me projektet e Ministrisë së Bujqësisë, që me korrupsion kanë paralizuar gjithë analizat dhe inspektoriatet. Është fitim i madh mbi grumbuj kufomash me kancer, ceroza dhe alzhamer. Nuk ka agronom e fermer që nuk e dinë, vetëm inspektorët, që kanë marrë lekët për heshtjen, bëjnë sikur nuk e dinë. Klorpirifosi vjen lumë nga Greqia. Duket se do të kthehen edhe ngarkesat e zv ministrit të bujqësisë Z. Kote. Kjo nuk është e rastësishme, por e mirëstudiuar nga grupime të caktuara antishqiptare, pra është lojë korruptive, kriminale. Ka qindra ha mandarina në Xarrë dhe Sarandë. Ngarkesa me pesticide këtë vit është shumë e rëndë. Në këtë lojë janë strukturat injorante të bujqësisë. Janë struktura fudulle e pa pikë mëshire. E dinë ata dozen, por nuk dinë që është koha e biodegradimit, dmth po e spërkate sot pemëtoren, nuk duhet ta vjelësh pa kaluar 56 ditë. Klorpirifosi depërton në tul dhe vret të gjitha afidet që thithin lëngun e lëvores, e kështu i ngordh dhe lëkura duket e bukur nga jashtë dhe brenda ku në treg shiten me çmim të lartë. Prandaj i spërkatin kur fillon zverdhja e lëkurës dhe ndodh që i vjelin pas dy apo tre javësh. Kjo është fatale, sepse helmi është brenda. Këtë punë e kontroll duhet ta bëjnë agronomët, që i kanë zhdukur nga sistemi, pasi militantët nuk e dinë dozën dhe as periudhën e karencës. Por sido të jetë, shkenca mjekesore ka zbuluar pasojat, prandaj BE e stopoj me urgjencë në vitin 2020, e stopoj me ligj dhe Shqipëria. Por korrupsioni dhe kontrabanda e bëjnë leckë ligjin. Që të gjithë agronomët e strukturës bujqësisë e dinë dhe heshtin, ndryshe i fluturojne nga puna. Sot piva kafe me njërin prej tyre, do ta sjell ta dëgjosh vete se si vijnë e bëhet shpërndarja e pesticideve të ndaluara, ama nuk guxon kush të njoftojë për ta ndaluar këtë murtajë.Sot tek ne nu ka fare siguri!
Memush Habilaj- inxhiner kimist: Çdo njeri sot konsumon me ushqime dhe ujë rreth 400 lloje mbetje kimike në vit nga 3000 pesticide në përdorim.
PESTICIDET-ROLI DHE PROBLEMET QW SJELLIN
Me termin e përgjithshëm PESTICIDE nënkuptohet një grup përbërjesh kimike ose biologjike ( Biopesticide) të ciat përdoren në praktikat bujqësore për të mbrojtur produktet bujqësore nga dëmtonjësit e ndryshëm (insektet, brejtësit, zogjtë, sëmundjet, viruset, myqet, kërpudhat, larvat, barërat re këqia, etj). Në vartësi të rolit që kanë drejtë përdrejtë pesticidet klasifikohen : 1. Herbicide që asgjësojnë barërat e këqia. 2. Defoliantë (ç’gjethësues ) eliminojnë bimët e këqia gjethegjerë. 3. Insekticide ( antiparazitarë ) asgjësojnë insektet. 4. Fungicide zhdukin kërpudhat. 5. Akaricide luftojnë merimangat, 6. Larvicide asgjësojnë larvat etj. Pesticidet janë përdorur nga njeriu qysh në antikitet, në Greqinë e lashtë kanë përdorur produkte inorganike si squfur,produkte bakri arseniku nikotinë etj, për të luftuar dëmtonjësit në bujqësi. Humbjet e produkteve bujqësore nga dëmtonjësit shpesh arrinin deri në 50 % në total. Me zhvillimin e industrisë kimike në fillim të shek 20 dolën në skenë pesticidet organike, më 1940 u hodh në treg DDT; 2,4-D etj që patën një impakt të madh në mbrojtjen e produkteve bujqësore. Sot në botë ndodhen në qarkullim deri në 20 mijë formulime pesticidesh. Nga pikëpamja kimike ata përfaqësojnë përbërje fosfororganike, klor organike, azot organike, sulfurorganike, ose ndërthurje të tyre. Duke ndërthurur përdorimin e plehrave kimike me pesticidet sot është arritur të sigurohet baza ushqimore normale e popullsisë së planetit. Duke bërë studime të kujdësëshme dhe afatgjatë janë hequr nga përdorimi pesticidet e dëmshme dhe janë zëvëndësuar vazhdimisht me produkte me veti me të përshtatëshme për shëndetin e njeriut dhe mbrojtjen e mjedisit procedurë kjo e vazhdueshme dhe që çdo shtet përditëson kërkesat e reja në këtë drejtim. Sot pesticidet përdoren në mënyrë rreptësisht të kontrolluar, si nga organizatat ndërkombëtare ashtu dhe nga strukturat e çdo shteti. Studimet tregojnë që çdo njeri sot konsumon me ushqime dhe ujë rreth 400 lloje mbetje kimike në vit nga 3000 pesticide në përdorim. Shumë nga këto mbetje depozitohen në inde dhe organe të caktuara të organizmit dhe bëhen burim sëmundjesh të ndryshme, kryesisht kanceroze dhe gjenetike. Prandaj në tregun ndërkombëtar ka kërkesa e standarte shumë të rrepta lidhur me përmbajtjen e pesticideve në ushqimë, ujë, mjedise. Janë caktuar norma për cdo pesticid për cdo produkt ushqimor, në formën e Normave Maksimale të Lejuara (NLM ), që mund të kontrollohen në rrugë analitike nga laboratorë të specializuar dhe akredituar për analizat e pesticideve. Sot në tregjet e BE hyrja e produkteve ushqimore ujit etj, lejohet vetëm me certifikatë analize nga institucione të akredituara, dhe jo me një fletë analize pa emër e pa vulë si po mundohen tregëtarët provincialë shqipëtarë të çajnë tregjet e mëdha europiane. Në Shqipëri përdorimi i pesticideve në mënyrë të organizuar ka filluar në vitet 1950. Ne kemi qenë një vend eksportues i shumë produkteve bujqësore e blegtorale këto produkte zinin 40 % të eksportit në total. Eksporti bëhej duke respektuar normat ndërkombëtare,cdo produkt eksportohej me kontratë të rregullt dhe shoqërohej me analizë të saktë nga specialistë kompetentë të institucioneve shkencore serioze dhe nuk ka patur reklamime bllokime, gjoba ose kthime produktesh. Ka patur raste të shkuarjes së ankesave të veçanta në arbitrazhe ndërkombëtare dhe gjithmonë janë zgjidhur në favor të anës shqiptare. Përsa i përket gjëndjes sot të eksporteve të produkteve të ndryshme me origjinë nga Shqipëria egziston një pamje krejt tjetër. Që të hedhësh në tregun europian ku egziston një konkurencë marramendëse produkte të caktuara, duhet të njohësh thellë kërkesat e tregut, kushtet, përgjegjësitë dhe tu përgjigjesh standarteve ndërkombëtare me analiza shkencore dhe jo me një fletushkë fallco si kur shet në anë të rrugës pa licensë e pa taksa. .Produkte të tilla pa asnjë garanci e përgjegjësi nuk mund të përballojnë konkurencën e egër të tregut botëror. Në Shqipëri përditësohen zyrtarisht kërkesat e tregut të BE për ushqimet ,lista e pesticideve të lejuara dhe normat e mbetjeve të tyre miratohet nga qeveria cdo vit ,por vetëm në letër. Në tregun shqipëtar nuk gjen asnjë produkt ushqimor që shoqërohet me fletë analizë nga një laborator i akredituar shqipëtart konsumojnë produkte ushqimore të pakontrolluara. Kjo paktikë skandaloze ka krijuar mendësinë te prodhuesit dhe eksportuesit se kështu mund të veprosh edhe në tregjet botërore. Nga analizat sipërfaqësore të çështjes së eksporteve të produkteve ushqimore shqiptare në përgjithësi konstatohen difekte të mëdha si psh :
1. Mbetje pesticidesh shumë herë më të larta se normat e lejuara,ndërkohë që në fletëanalizat shoqëruëse shkruhet e kundërta; kjo do të thotë që janë përdorur doza tepër të mëdha e pakriter të pesticideve dhe pa respektuar afatet e përdorimit të tyre para vjeljes së produkteve ;
2. Analizat nuk janë kryer nga institucione kompetente të akredituara por nga persona e laboratorë të panjohur e pa asnjë garanci nuk kuptohet e nuk vlerësohet rëndësia e një analize serioze të produkteve ushqimore që tregon gjendjen e vërtetë të tyre ;
3. Prania e pesticideve të rrezikëshme të ndaluara me kohë nga instancat kombëtare e ndërkombëtare kjo vjen nga marrja kontrabandë me çmim të ulët të stoqeve të vjetra nëpër depot e vendeve të ndryshme pa e ditur se çfarë janë këto kimikate dhe që një analizë e rregullt tregon origjinën e tyre dhe mospërputhjen me standartet e ditës.
4. Dokumentacion i pasaktë e i paplotë mbi origjinën e produkteve, vendin e prodhimit që vërtetohet në internet, teknologjinë e përgatitjes së tyre, garancitë, vlerësime, certifikata etj .
5. Akoma nuk njihet e nuk kuptohet efekti shkatërrues që luajnë mediat dhe portalet e shumta në vendet e BE, veçanërisht portali zyrtar i BE për standartet e tregut ushqimor, ku reklamohen papushim çdo difekt, shkelje e dalje nga standarti, që asgjëson çdo veprimtari tregëtare dhe nxin e ul imazhin e vendit, prodhuesit dhe produkteve. Këto difekte dëmtojnë rëndë imazhin e vendit, personit, shtetit dhe mbyllin rrugët për një veprimtari tregëtare serioze e fitimprurëse sot e në të ardhmen. Në këtë drejtim shteti ynë është fare inegzistent ndaj prodhuesve dhe eksportuesve të produkteve ushqimore asnjë lloj interesi, ndihme profesionale përgatitje teknike e proceduriale, informacioni mbi tregjet europiane etj, nuk u jepet atyre. I vetmi institucion shtetëror është një farë AKU institucion i kotë , i paaftë, parazit e mediokër që nuk bën asjë gjë, që nuk di e nuk do as të bëjë një kontroll qoftë edhe formal të bukës e ujit dy produktet bazë e masive që konsumojnë shqiptarët pa le pastaj të vrasi mendjen e të kuptojë kërkesat dhe konkurencat që paraqesin tregjet botërore. Secili prodhues dhe tregëtar shqiptar vepron sipas mëndjes së vet dhe nuk arrin të kuptojë se bota nuk vepron kështu dhe kur përplaset me standartet botërore thyen hundët, gropos mallin në vendin e huaj me cmim fantastik dhe merr me vete gjoba e sanksione skandaloze. Nga praktika e deritanishme e dështimeve të eksporteve të produkteve bujqësore del se veprohet akoma me metoda primitive e fshatareske dhe nuk kuptohet se të çash tregjet botërore kërkohet punë e mundimëshme, saktësi tekniko-profesionale e shkencore, inteligjencë ekonomike e ligjore, të përballesh me një konkurencë të paimagjinueshme dhe të kuptosh se bota punon me STANDARTE.
Haxhi Balla, agronom: Këto preparate mund të kenë ardhë kontrabandë, pra individi del më i fortë se shteti
Me sa kam informacion tashmë në pension dhe paksa larg profesionit, Shqipëria eksporton në një vit mbi 22 mijë ton mandarina. Pjesë e këtij eksporti janë edhe ato 60 ton, që u bllokuan se kanë mbetje të larta me pesticide. Nga sa kam parë në lajme dhe lexuar në gazeta mund të them se dëmi material nuk është i madh, por dëmi që ju shkaktua fermerëve është i jashtëzakonshëm. Një dëm që ka të bëjë me emrin, me prestigjin, me ndershmërinë e prodhuesve.Edhe unë vetë si specialist i kam bërë dhe i bëj pyetje vetes: Përse ndodhin këto në bujqësinë shqiptare në pikun e prodhimit? Kush i importon dhe shet këto pesticide të ndaluara? Ku e gjen guximin që të helmojë njerëzit? Me sa di dhe kam dëgjuar unë mandarinat që u bllokuan në vendet e Europës ishin spërkatur me dy pesticide të ndaluara si kloperifosi dhe fosmeti. Sipas shumë deklaratave të autoriteteve shtetërore këto dy preparate bujqësore janë hequr nga lista e BE në vitin 2020 dhe 2022, e pavarësisht kësaj ato vazhdojnë të tregtohen dhe përdoren nga fermerët për të vrarë insektet, që dëmtojnë mandarinat. Kjo të çudit, të bën të mendosh thellë. E para gjë që më shkon në mend është se këto preparate mund të kenë ardhë kontrabandë. Pra individi del më i fortë se shteti. Individi në mënyrë të qëllimshme del mbi kontrollet e shtetit mbi autoritetet e ruajtjes së rendit dhe fut pesticide të dëmshme në Shqipëri. Por kjo kantrabandë ka dhe anën tjetër të errët, që lidhet me persona të paguar që të veprojnë për të prishur imazhin e fermerëve shqiptarë. Pra shqetësimi shumfishohet. Këtu kemi të bëjmë me një punë të organizuar antishqiptare. Si qytetar dhe specialsit na shqetëson kontrabanda dhe këto preparate të paligjshme. Kryesore është se dhe pse thuhet se mandarinat në treg janë shumë të sigurta dhe asnjë kokërr prej këtyre mandarinave nuk është hedhur në treg, por prodhimi vazhdon, tregu mbushet me mandarina dhe këtu kontrollet nuk janë si në doganë. Fermerët nga padija, pa aronom në fermë, nga mos pasja e specialistëve të fushës në çdo sipërfaqe toke zgjedhin të përdorin preparate të ndaluara për të shpëtuar frutat dhe perimet nga sëmundjet, por nga ana tjetër ata vënë në rrezik shëndetin tonë./bulevard news