Ballina Kosovë Ministria e Ekonomisë thirrje për kursim të energjisë, ndërprerja e detyrueshme për...

Ministria e Ekonomisë thirrje për kursim të energjisë, ndërprerja e detyrueshme për shkak të ngarkesës

11
0

Ministria e Ekonomisë ka bërë të ditur se kanë mbajtur takim me zyrtarët e KOSTT DHE KEDS të hënën në mbrëmje, pas shqetësimeve dhe ankesave për ndërprerje të energjisë në disa komuna.

Sipas komunikatës, nga raportet e KOSTT dhe KEDS, ndërprerja e energjisë elektrike në disa pjesë ka qenë e detyrueshme për shkak të mbi ngarkesës në rrjet.

“KOSTT dhe KEDS raportojnë se, me uljen e temperaturave, konsumi i energjisë elektrike ka arritur nivele shumë të larta, mbi 1400 MË në kohë të caktuara. Si rezultat, sistemi ynë elektro-energjetik është ngarkuar tej mase, duke shkaktuar vështirësi teknike në furnizim dhe duke e rrezikuar rrjetin; kësisoj, ka qenë e domosdoshme që operatorët të bëjnë shkyçje në disa vendbanime ku ngarkesa ka qenë e papërballueshme për rrjetin. Vështirësitë janë hasur veçanërisht në komunat e Ferizajt, Lipjanit, Gjakovës, Malishevës, Gjilanit, Shtimes, Istogut dhe Prizrenit, dhe si rrjedhojë mund të jenë ndikuar edhe disa nga vendbanimet të cilat furnizohen nga linjat e afektuara. Ndërsa, ekipet e KOSTT-it dhe KEDS-it janë duke punuar pandërprerë në terren për të minimizuar ndikimin në furnizim të qytetarëve”, thuhet në komunikatë.

Ministria ka bërë të ditur se gjatë javës në vijim pritet që të përfundojë ndërtimi i nënstacionit të tretë në Ferizaj nga KOSTT, gjë që do të zgjidhë problemet e furnizimit në këtë komunë, dhe do të lehtësojë ngarkesën edhe në vendbanimet të cilat furnizohen nga linjat e ndërlidhura me këtë nënstacion.

Poashtu qytetarëve u është bërë thirrje për kursim të energjisë.

“Përgjatë javës në vijim, për të ndihmuar sistemin elektro-energjetik, lusim qytetarët që të jenë sa më të kujdesshëm në konsumin e energjisë, sidomos gjatë orëve të paradites nga ora 09:00-12.00 dhe pasdites nga ora18:00-00:00. Kursimi i energjisë në këto orë është thelbësor për të shmangur mbingarkesat dhe për të ruajtur funksionalitetin e sistemit për të gjithë. Lusim qytetarët që aty ku është e mundur të përdorin burime alternative për ngrohje si druri ose peleti, si dhe të zhvendosin konsumin e energjisë elektrike pas mesnatës”, thuhet në komunikatë.