Ish-zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi, sipas mediave vendase dyshohet se ndodhet në Shqipëri. Grubi është në kërkim ndërkombëtar, pasi ndaj tij është caktuar masa arrest me burg pas shpalljes non grata nga SHBA.
Mediat e Maqedonisë së Veriut shkruajnë se biznesmeni dhe Konsulli i Nderit i Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Arsim Papraniku ka deklaruar në polici se e ka dërguar Grubin me makinë deri në Tiranë. Pasi ndaj tij u caktua masa arrest me burg, Grubi u largua nga Maqedonia e Veriut me një mjet me targa diplomatike që drejtohej nga biznesmeni Papraniku.
Ky i fundit ka deklaruar në polici se më 15 dhjetor ka dërguar me makinë ish-zëvendëskryeministrin Artan Grubi në Tiranë, ku kanë pirë kafe dhe e kanë lënë në një hotel pranë stadiumit ‘Air Albania’.
Por edhe disa anëtarë të qeverisë dhe disa institucione kanë informacione jozyrtare se Grubi po qëndron në afërsi të Durrësit. Më saktësisht, bëhet fjalë për fshatin turistik Hamallaj buzë bregdetit.
Edhe zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti pretendon se Grubi ndodhet në Shqipëri ka nënvizuar.
“Sipas informacioneve ai nuk ndodhet në Kosovë, është në Shqipëri. Por kjo nuk ka rëndësi, duke ikur ai provoi fajin dhe për këtë arsye u arratis jashtë vendit. Mendoj se sot, nesër apo pasnesër ai një ditë do të përballet me drejtësinë”, theksoi Mexhiti.
Grubi u shpall në kërkim pasi sipas prokurorisë, ka urdhëruar në mënyrë të jashtëligjshme dhënien e licencave për disa kompani të lojërave të fatit dhe kazino dhe është përfshirë së bashku me ish-drejtorin e Lotarisë, Përparim Bajrami në prokurimin e manipuluar të paisjeve për Lotarinë. Dëmi i shkaktuar në buxhetin e shtetit është mbi 8 milonë euro