Nga Eduard Zaloshnja
Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar ankimimin e partive të vogla për Kodin Zgjedhor. Vendimi u njoftua më 24 Dhjetor. Padia ishte bërë për të rrëzuar paktin PD-PS për listat e mbyllura dhe ndryshime të tjera, por tashmë ankimimi nuk është marrë parasysh.
Në vendim shkruhej: “Gjykata vlerësoi se pretendimet e kërkuesve nuk janë të bazuara, sepse lidhen me rezultat e votimit, që i korrespondon shpërndarjes së mandateve, ndërsa sipas nenit 64 të Kushtetutës, kjo shpërndarje dhe masa e shtrirjes së votimit parapëlqyes i është deleguar ligjvënësit (Parlamentit), ndërkohë që garancia kushtetuese për ushtrimin e së drejtës së votës parapëlqyese në nenin 64, pika 3 të Kushtetutës lidhet me procesin e votimit”, theksohet në vendimin e marrë.
Teksa shpjegohej më tej se nuk u konstatatua se ka cenim të barazisë para ligjit dhe se parashikimet ligjore u drejtohen në mënyrë të njëjtë të gjithëve, shkruhej : “Bazuar po në këtë premisë, Gjykata nuk konstatoi as cenim të parimit të barazisë përpara ligjit si për partitë politike ashtu dhe për organizatat dhe individët në dy aspektet e mësipërme, së drejtës për t’u zgjedhur dhe për të zgjedhur, për sa kohë që në analizë të pretendimeve të kërkuesve dhe të dispozitave objekt shqyrtimi, rezultoi se parashikimet ligjore i drejtohen në mënyrë të njëjtë të gjithë subjekteve zgjedhore dhe zgjedhësve, prandaj, për rrjedhojë, nuk bëjnë diferencim mes tyre në procesin e votimit”.
Po si përballen këto paragrafë të gjatë juridikë me realitetin aktual elektoral?
Nga sondazhi që publikova mbrëmë në Report TV (https://shqiptarja.com/lajm/neser-sondazhi-i-fundvitit-ne-report-tv-si-ndahen-mandatet-ne-5-qarqet-me-te-rendesishme-cfare-mendojne-shqiptaret-per-mbylljen-e-tiktokut?r=kh1 ), rezultoi se aktualisht pothuaj të gjitha mandatet nëpër qarqe i sigurojnë kandidatët e listave të mbyllura, të parazgjedhur nga kryetarët e partive. Shumë pak deputetë mund futen në Kuvend nga konkurenca gjoja e lirë e listave të hapura…
Kështu, me votat e sotme në Qarkun Shkodër, mund të marrin deri në 11 mandate kandidatët e listave të mbyllura të kryetarëve, nga 11 gjithsej.
Me votat sotme në Qarkun Dibër, mund të marrin deri në 4 mandate kandidatët e listave të mbyllura të kryetarëve, nga 5 gjithsej.
Me votat e sotme në Qarkun Lezhë, mund të marrin deri në 6 mandate kandidatët e listave të mbyllura, nga 7 gjithsej.
Me votat e sotme në Qarkun Durrës, mund të marrin deri në 10 mandate kandidatët e listave të mbyllura, nga 14 gjithsej.
Me votat e sotme në Qarkun Tiranë, mund të marrin deri në 32 mandate kandidatët e listave të mbyllura, nga 37 gjithsej.
Pas dy javësh do të prezantoj edhe qarqet e tjera, por kandidatët e parazgjedhur nga kryetarët e partive duket se dominojnë kudo…