Zbatimi i ligjit që detyron ndërtuesit të dhurojnë 3% të çdo objekti të ri me sipërfaqe mbi 2 mijë metra katror, ka bërë që Bashkia e Tiranës të ketë në dispozicion 83 mijë metra katror ndërtim për t’i shpërndarë si banesa sociale.
Këto apartamente jepen në thirrje të ndryshme duke filluar që nga ato me qira e deri tek kredia e butë.
“Aktualisht ne kemi të nënshkruar 194 akt marrëveshje, të cilat janë përfitim drejtpërsëdrejti nga sektori privat për fondin publik që e përfiton bashkia. Ky numër shkon afërsisht 83 mijë metra katror sipërfaqe ndërtimi. Janë banesat me qira në Shkozë, bonusi i strehimit që janë me ndihmë ekonomike, kemi kreditë sociale të buta”, tha Keti Luarasi, nënkryetare e Bashkisë Tiranë.
Por në rastin kur një ndërtues nuk pranon të japë sipërfaqe banimi, atëherë masa prej 3% e objektit shndërrohet në vlerë monetare. Në 6 vite, Bashkia e Tiranës ka përfituar 2.9 miliardë Lekë.
“Bashkia ka të drejtë të përfitojë për atë sipërfaqe zhvillimi apo objekte që janë ndërtuar të cilat nuk kanë mundësi të të japin 3% sipërfaqe ndërtimi aktuale, ne kemi të drejtën të përfitojmë atë në vlerë monetare dhe sot kemi diku tek 2.9 miliardë Lekë të reja të përfituara nga ky fond, që quhet fondi publik për banesa sociale”.
Fondi publik do të përdoret për ndërtimin e 4 mijë banesave sociale në kombinat.
“Në bazë të këtij fondi kemi të përcaktuar për herë të parë zonën zhvillimore për ndërtim për banesa sociale ku u përcaktua edhe zona kadastrale ku ne do të ndërtojmë banesa sociale në ndihmë të komunitetit të pastrehë. Do jenë rreth 4 mijë apartamente të reja që do të ndërtohen në zonën e njësisë nr. 6”.
Aktualisht Bashkia e Tiranës ka hapur aplikimet për kredi të buta për çiftet e reja dhe familjet në nevojë.