Ballina Opinion Edi Ramës i ka pjellë vërtetë gjeli…

Edi Ramës i ka pjellë vërtetë gjeli…

22
0

Ng Preç Zogaj

Fitoret e shumta të Edi Ramës, tre herë si kryeshkiak i Tranës dhe gjashtë herë në zgjedhje vendore e parlamentare në rolin e kryetarit të PS-së, kanë secila veçori të dallueshme të kontekstit kur janë shënuar, të taktikave dhe mjeteve të përdorura. Kanë, ndërkaq, edhe një themel me dy elementë, pa të cilët nuk do t’u bënte derman asnjë lloj taktike apo manipulimi. Së pari, është Partia Socialiste, një parti prej kohësh më e madhja në vend. Së dyti, është karizma e vetë Ramës, një miksim kompleks i ekstravagancës, ligjërimit karakteristik popullor-populist, flaterive të natyrës artistike dhe jo vetëm.

Ky është një vështrim shumë i shpejtë dhe natyrisht mjaft i mangët i figurës së një lideri akoma në moshë, që ka vendosur rekordin e tre mandateve në krye të qeverisë së Shqipërisë dhe kryeson sondazhet për të fituar të katërtin në zgjedhjet e 11 prillit të vitit 2025.

Nëse i marrim një nga një fitoret e tij dhe PS-së nga viti 2013 e këndej, mund të themi se në në vitin 2013 fitoi pikësëpari duke kapitalizuar frymën popullore të nevojës për rrotacion të pushtetit. Qeverisë “Berisha dy” i kishte ardhur koha të largohej.

Në zgjedhjet vendore të vitit 2015 fitoi thellë sa në inercinë e fitores së pushtetit qëndror dy vite më parë, aq edhe falë rikompozimit të hartës elektorale të pushtetit vendor, një proces ku PD bojkotoi në dëm të saj.

Në zgjedhjet politike të vitit 2017, PS dhe Rama shkuan me shanset e natyrshme, të themi “ të normuara” të një mandati të dytë. Këtij “bonusi” të zakonit iu bashkëngjiten konfuzioni dhe ekuivoket e rënda antielektorale të PD-së me të ashtuquajturën “Çadër të Lirisë” tre muaj para zgjedhjeve. “Çadër” e cila, në kalamendjen e saj pa busull prodhoi qartazi vetëm një gjë: ç’organizim, hutim dhe demotivim të strukturave të PD-së në bazë. Për rrjedhim humbjen e saj të thellë.

Në zgjedhjet vendore të vitit 2019, PD, LSI dhe opozita në tërësi, me një vendim absurd vetvrasës nuk morën pjesë. PS fitoi në mbarë vendin pa garë.

Sipas zakonit, PD dhe opozita duhej të fitonin zgjedhjet e vitit 2021. Nuk ndodhi. PD mori megjithatë një rezultat që konsiderohet ndër të lartët e historisë së saj, rreth dyzet përqind. Përveç arsyeve të trajtuara disa herë prej meje, ku spikat rrethimi i shumëfishtë i zgjedhjeve nga Rama dhe qeveria e tij, PD dhe opozita i paguan një kosto elektorale djegies së mandateve dhe sidomos bojkotimit të zgjedhjeve vendore. Këto akte pa precedent nuk u shpërblyen me fitore. Sidomos në rrafshin e marrëdhënieve me SHBA dhe BE.

Në zgjedhjet vendore të vitit 2023, siç dihet, PS fitoi thellë në shumicën dërrmuese të bashkive pikësëpari falë përçarjes që përfshiu PD-në pas sanksionimit amerikan të Berishës dhe lëvizjes së këtij të fundit për të rimarrë kreun e kësaj partie nga pozitat e të sanksionuarit.

Siç mund të konstatohet lehtësisht nga kjo tablo e përgjithshme, prej vitit 2015 e këndej Rama ka përfituar rregullisht një peshqesh konkret nga PD dhe opozita herë dritëshkurtër, herë me agjendë të errët.

Pak ditë më parë, duke dashur të replikojë mendimin e ngulitur në publik se fiton kryesisht falë opozitës, Rama, gjatë një darke festive me trupën diplomatike në Tiranë, me rastin e Vitit të Ri, shfrytëzoi momentin e papërshtatshëm për t’u bërë me dije të fturave se, përveç atij vetë, kishte një arsye kryesore për fitoret e tij: Ishte opozita e ashpër, e pandërprerë dhe cilësore e bashkëshortes së tij, Lindës.

Është për t’u besuar se Linda Rama është një këshilltare shumë e mirë e burrit të saj kryeministër, se i bën oponencë cilësore për çështje të ndryshme të qeverisjes, sidomos nga fusha e ekonomisë që e njeh më mirë; se me natyrën e saj prej gruaje të matur e të kulturuar e ndihmon për të qetësuar tundime dhe shpërthime që janë pjesë e sfidave me të cilat përballet një shtetar, e aq më tepër kur qëllon të jetë nga natyra tip impulsiv. Si grua e parë ‘de fakto’, Linda Rama ka ruajtur një profil diskret, duke e ekpozuar publikisht rolin e saj kryesisht në takime protokollare ceremoniale, ku nuk mund të mungojë. Ka plot arsye për të besuar se ka qenë dhe është një bekim për Edi Ramën.

Po aq kam arsye të besoj se e di edhe Linda vetë se nuk mund të mbulojë apo kompensojë funksionet shumëpërmasore të opozitës politike të vendit. Ajo e Ramës me diplomatët ishte një mënyrë të shprehuri, një keqkuptim me termin, një ekstravangancë nga të tijat.

Opozita është institucion i padublueshëm. Kritikat, kundërshtimet brenda llojit dhe në familje kategorizohen, në rastin më të mirë, si oponencë. Fakti është se PD, e bashkuar siç ka qenë, apo e përçarë siç është, i ka bërë Ramës dhe qeverisë së tij një opozitë që nuk mund t’ja bënte kurrë as bashkëshortja, as miqtë e tij më të afërt. Opozita ka denoncuar në kohë reale promovimin e krimit në pushtet, një nga rekordet për Ginës të Ramës, nëse rekorde janë vetëm ato gjëra që nuk i ka bërë kush para teje.

Aferat madhore korruptive apo kriminale që ka hetuar e po heton SPAK, që janë gjykuar apo po gjykohen në gjykatë, janë denoncuar, në shumicën e rasteve, në kohë reale nga opozita. Po të kishte reaguar në kohë reale Rama, shumë dëme do të ishin evituar, madje do të kishin shpëtuar me masa administrative mjaft prej atyre që kanë rënë e po bien në pranga. Si rregull, Rama ka bërë të kundërtën: Ka sulmuar e denigruar opozitën. Duke shërbyer kësisoj si kushtrimi më i madh për korrupsionin dhe malavitën.

Opozita ka përmbushur misonin e vet me denoncimet që ka bërë e bën. Nga kjo pikëmamje ajo ka qenë dhe është e fortë. Por opozita nuk ka mundur ta kapitalizojë elektoralisht këtë kontribut të saj. PD nuk po arrin të kapitalizojë elektoralisht goditjet që po merr korrupsioni qeveritar nga SPAK dhe popullariteti që gëzon SPAK në publik.

Përkundrazi, me zërin e kryetarit të saj, PD ka zgjedhur të bëjë harakiri e të mbetet pakicë duke sulmuar e “premtuar” se do të zhbëjë SPAK!?

Më tej, PD është vetëdobësuar me gafat e saj të panumërta, me aktet e saj pa precedent, me kakofoninë e aksioneve të saj, me paaftësinë e saj për t’u bërë e pëlqyeshme përtej radhëve të militantëve, që është një kusht për t’u bërë shumicë qeveritare. Dhe kryesorja, PD është vetëbllokuar në ofertën për të votuar një lider të konsumuar në më shumë se tre mandate në pushtet dhe më shumë se dy dekada në krye të PD-së. I cili është rikthyer dhe e ka marrë kreun e saj me koston e një përçarjeje të madhe, pasi është sanksionuar nga SHBA dhe Britania e Madhe.

Për sa kohë do të mbeten në fuqi këto sanksionime dhe për sa kohë nuk do të marrë pafajësi në gjykatë për akuzat e ngritura kundër tij nga SPAK, Berisha, pavarësisht mbështetjes nga ndjekësit e tij të konsiderueshëm, nuk ka shanse të fitojë shumicën e zgjedhësve shqiptarë që shkojnë në votime. Për me tepër, ai nuk ka elaboruar asnjë projekt a propozim konkret për rrotacionin e pushtetit në Shqipëri që kërkon ‘sine qua non’ bashkimin e votave të opozitës plurale, realisht shumicë popullore në vend.

Në të vërtetë, megjithëse parti e parë në këtë moment, PS nuk ka më shumë se 35-37 përqind të zgjedhësve. Kjo përqindje bëhet shumicë kur në spektrin e fragmentuar opozitar sundon egocentrizmi i kryetarëve. Ai që përfiton është Rama.

Nëse votohet nesër, Rama fiton nga opozita.

Nëse do të fitojë më 11 maj, prapë do të fitojë nga opozita. Atij i ka pjellë vërtetë gjeli me opozitën që ka.