Ballina Dossier HISTORI/ Misteri i Dhomës Amber: Thesari më i madh i humbur në...

HISTORI/ Misteri i Dhomës Amber: Thesari më i madh i humbur në botë

13
0

Gjatë Luftës së Dytë Botërore, nazistët e Adolf Hitlerit vodhën rreth 600.000 vepra arti nga e gjithë Evropa. Deri në fund të luftës, vepra arti me vlerë miliarda paund ishin të shpërndara kudo, sepse grabitja e nazistëve kishte qenë në një shkallë industriale.

Ndërsa disa nga veprat iu kthyen pronarëve të tyre të ligjshëm, shumë prej tyre mungojnë ende, përfshirë një koleksion të çmuar të njohur si Dhoma Amber, ku gjendeshin sendet ndoshta më të vlefshme të grabitura ndonjëherë nga regjimi fashist.

Dhoma u quajt “Mrekullia e Tetë e Botës”, dhe një nga artefaktet më të çmuara të Rusisë. Pas grabitjes së saj, dhoma u kthye në Gjermani dhe u ekspozua, por u zhduk në muajt e fundit të luftës. Fati i tij është një nga misteret më të mëdha të Luftës së Dytë Botërore.

Dhoma Amber daton që në vitin 1701, kur skulptori gjerman barok Andreas Shlyter filloi punën ndërtimin e saj. Në atë kohë, Shlyter ishte arkitekti kryesor i oborrit mbretëror prusian, dhe përdorimi i qelibarit për dekorimin e brendshëm ishte një praktikë krejtësisht e re.

I njohur si Ari i Veriut, qelibari është një rrëshirë peme e fosilizuar, dhe thuhet se rajoni Baltik përmban depozitimin më të madh të njohur të tij. Shlyter planifikoi të zbukuronte me panele qelibari muret e njërës prej dhomave në Pallatin Karlotenburg, në Berlin.

Pallati ishte shtëpia e Frederikut I, mbretit të parë të Prusisë dhe gruas së tij Mbretëreshës Sofi Karlota. Për të përfunduar punën, Shlyter kërkoi ndihmën e mjeshtrit danez të qelibarit Gotfrid Volfram. Të dy shpikën një mënyrë për të punuar me qelibarin. Kjo lëndë ngrohej dhe më pas zhytej në një përzierje me mjaltë dhe farë liri, përpara se të punohej në panele druri të mbuluara me fletë ari apo argjendi dhe të zbukurohej me xhevahire të çmuara.

Në vitin 1707, mjeshtrit e qelibarit Ernst Shaht dhe Gotfrid Turau nga Danziguvazhduan punën deri në vdekjen e Sofi Karlotës dhe Frederikut. Kur përfundoi, dhoma u instalua në Pallatin e Qytetit të Berlinit. Gjatë një vizite në vitin 1716, Cari i Rusisë, Pjetri i Madh, u magjeps prej saj.

Për të krijuar një aleancë midis dy shteteve, djali i Frederikut, Frederik Vilhelmi I, ia bëri dhuratë Pjetrit dhomën luksoze. Ajo u çmontua, u vendos në kuti të mëdha dhe u zhvendos në qytetin që Pjetri sapo kishte themeluar, Shën Petersburg.

Në vitin 1755, vajza e Pjetrit, perandoresha Elizabeta, e vendosi dhomën në Pallatin e Katerinës në Pushkinin e sotëm, në periferi të Shën Petersburgut. Disa zejtarë të tjerë rusë, gjermanë dhe italianë punuan në këtë dhomë gjatë viteve të ardhshme, duke e zgjeruar atë. Në vitin 1770, dhoma zinte një sipërfaqe prej shumë se 55 metra katrorë, dhe ishte zbukuruar me mbi 6 ton qelibar. Pamja e saj mahniti dhe hipnotizoi të gjithë ata që hynë për ta parë.

Vlerësimet moderne flasin për një kosto prej 120-240 milionë paund. Dhoma Amber mbeti një thesar i Rusisë gjatë shekujve XVIII-XIX, dhe madje i mbijetoi Revolucionit të vitit 1917. Megjithatë, qëndrimi i në territorin rus përfundoi në vitin 1941, kur forcat e Hitleritrrethuan Shën Petersburgun (në atë kohë quhej Leningrad) si pjesë e Operacioni Barbarosa.

Krye-kuratori i artit, Anatoli Kuçumov, kishte për detyrë ta çmontonte dhomën e çmuar, dhe

ta përgatiste atë për një zhvendosje të sigurt në lindje të vendit. Por ai zbuloi se panelet e qelibarit ishin bërë shumë të brishta për shkak të kalimit të kohës, dhe besonte se do të dëmtoheshin keq nëse do të tentohej të çmontohej.

Prandaj ai urdhëroi që dhoma të mbulohej me një shtresë të hollë letër-muri, me shpresën se nazistët nuk do ta vinin re. Por mashtrimi dështoi. Hitleri ishte i mirë-informuar mbi historinë e Dhomës Amber. Në sytë e tij, vepra artistike ishte një prodhim gjerman, ndaj duhej rikthyer në vendlindje për t’u shijuar nga bashkatdhetarët e tij.

Nazistët e dinin saktësisht se çfarë kërkonin, dhe brenda 36 orëve ata ia dolën të bënin atë që nuk e kishte arritur Kuçumov:hoqën panelet nga muret dhe i paketuan në arka. Arkat u dërguan në Kënigsberg në Gjermani në bregdetin Baltik (Kaliningradi i sotëm, një enklavë ruse) dhe dhoma u rindërtua në kështjellën e Kënigsbergut.

Ajo mbeti e ekspozuar për popullin gjerman atje për 2 vitet e ardhshme. Kur vala e luftës u kthye në favor të aleatëve, dhoma ishte sërish në lëvizje, pasi Hitleri urdhëroi që pasuritë e grabitura nga Kënigsbergu të dërgoheshin jashtë vendit. Në vitin 1944, forcat ajrore britanike, RAF, bombarduan rëndë Kënigsbergun, duke përfshirë lagjet e tij historike.

A u evakuua në kohë Dhoma Amber apo u shkatërrua nga bombardimet? Kur Ushtria e Kuqe marshoi në qytetin gjerman, Dhoma Amber nuk u pa askund, dhe vendndodhja e saj mbetet ende sot një mister. Teoria më popullore dhe e mbështetur nga profesori Aleksandër Brusov, njeriu që sovjetikët e dërguan për të rimarrë artefaktet e vjedhura në maj 1945, është se dhoma u shkatërrua nga bombardimet dhe zjarret që pasuan.

Në bodrumin e kështjellës, Brusov supozohet se zbuloi mbetjet e djegura të 3 nga 4 mozaikët fiorentinë, që kishin qenë në dhomën e qelibarit. Por Kuçumov, njeriu që nuk kishte arritur ta mbante dhomën të sigurt në vitin 1941, refuzoi të pranonte përfundimin e Brusov. Me mbështetjen e KGB-së, ai e denoncoi Brusovin dhe filloi hetimin e tij, ndoshta në një përpjekje për të larguar vëmendjen nga gabimi personal.

Në vitet që pasuan, u ngritën teori të ndryshme. Dëshmitarët okularë pohuan se e kishin parë Dhomën Amber duke u paketuar dhe vendosur në bordin e anijes “Vilhelm Gustlof”, e cila u fundos në janar 1945 nga një nëndetëse sovjetike. Por rrënojat e saj janë eksploruar shumë herë, dhe nuk është zbuluar asgjë që lidhet me Dhomën Amber.

KGB-ja kreu hetime të plota rreth Kënigsberg, por nuk gjeti asgjë. Pretendime të tjera e vendosin dhomën në minierat e vjetra të kripës në kufirin çek, të zhytur në një lagunë në Lituani apo edhe madje në SHBA. Pas një investigimi të gjatë, gazetarët britanikë KethrinSkotKlark dhe Adrian Levi shkruan në librin e tyre të vitit 2004 “The Amber Room”, se Brusov kishte të drejtë:dhoma ishte shkatërruar nga bombardimet në Kënigsberg.

Sigurisht, Dhoma Amber është dëshmuar të jetë një obsesion të rrezikshëm për disa. Ish-ushtari gjerman dhe historiani amator Georg Shtein, i kushtoi një pjesë të madhe të jetës së tij gjetjes së dhomës së qelibarit. Ai u gjet i varë në një pyll bavarez në vitin 1987. Ndërkohë gjenerali Juri Gusev, nën/drejtor i njësisë së inteligjencës së jashtme të Rusisë, vdiq në një aksident misterioz automobilistik në vitin 1992.

Ai ishte burimi kryesor për një gazetar që po hetonte vendndodhjen e Dhomës Amber. Në vitin 1979, qeveria sovjetike urdhëroi realizimin e një kopje të Dhomës Amber. 24 vjet më vonë dhe me një kosto prej 11 milionë dollarësh, pjesërisht e financuar nga gjermanët, ajo u përfundua dhe u montua sërish në Pallatin Katerina në Shën Petersburg. Origjinali është zëvendësuar, por nuk është harruar. Shumë njerëz besojnë se gjuetia për thesarin më të madh të humbur në botë nuk ka përfunduar. / History.co.uk / bota.al