Nga Ivana Tomço
E ndjek me ëndje podkastet, sidomos ato të Kryeministrit Edi Rama, sepse mendoj se atij i fokusohen ngjarje, fenomene, dhe personazhe që na japin shpresë. Çdo episod është për mua dhe për çdo njeri që e ndjek, një udhëtim i vogël, një rrëfim i ngrohtë dhe intim që na fut në një hapësirë ku çdo fjalë është një shpjegim, një ndihmë për të kuptuar diçka të re, një mundësi për të ndihmuar të tjerët, një rrëfim i bukur ku bashkëbiseduesi ndihet si shkrimtar, mësues, bashkëudhëtar, ndriçues i rrugës sonë. Vazhdimisht, ndërsa krijohet nga një episod në tjetrin, duket si një udhëtim ku flet dikush që e sheh botën me optimizëm, dikush që është përpjekur shumë dhe ia ka dalë. Dikush që na zgjon ëndrrat. Këto të fundit lindin në thellësitë e shpirtit tonë dhe na mbushin me lumturi kur i shohim të realizuara. Ato janë shpresa jonë e fshehur që na mban gjallë, duke na dhënë kurajë të ecim përpara.
Por sa e keqe është kur ëndrrat ndërpriten papritur, duke shuar brenda nesh atë për të cilën kemi më shumë nevojë: shpresën. Kam ëndërruar gjatë për një Televizion Publik të bukur, që do të na informonte, argëtonte, kulturose dhe frymëzonte. E kam ëndërruar që nga fillimet e rrugëtimit tim, në moshën 20 vjeçare, ecjen përpara te Televizioni Publik. Por më vonë, rreth vitit 2006, fillova të dyshoj shumë, sepse kohë pas kohe tranzicioni kishte bërë dëm të tij. Ëndërroja një Televizion Publik me profesionistë që nuk i kisha më përreth, një televizion që do të tregonte botën dhe ngjarjet ashtu siç ishin, një televizion të pandikuar nga politika, që do të jepte frymë imagjinatës, mendimit, kulturës dhe artit të vendit tim. Një televizion që do të më jepte mundësinë të shprehesha për atë që mendova, atë që ndieja, një televizion ku do të dëgjohej çdo zë profesionisti, pa favorizuar askënd. Televizioni që unë doja ishte ai që duhej të më bënte ta shihja botën më të bukur, më të ndershme, më të drejtë. Kërkoja shumë?! Mendoj se jo.
Me kalimin e viteve dhe ngjarjeve që ndodhën, ëndrra ime dukej gjithmonë e më e largët, dukej si diçka që nuk do të arrihej kurrë. Shkrova pafund në shtypin e shkruar, u prononcova shpesh nëpër panele, duke rrëfyer përvojën time, duke treguar se çfarë mund të bënim ne të gjithë për ta shpëtuar këtë gjigand të përkëmbur nga njerëz të pashpirt. “Reformimi i Televizionit Publik Shqiptar kërkon urgjencë,” ishte titulli i njërit prej shkrimeve të shumtë që kam bërë. Në një moment papritur, u duk se diçka filloi të ndryshojë. Një staf premtues, me në krye një njeri me vizion, më duket se do ta realizonte ëndrrën time, ëndrrën e çdo njeriu normal të këtij vendi, për të pasur Televizionin e së Ardhmes. Nisi një reformë e thellë, për të ndryshuar gjithçka që kishte mbetur e ngrirë, gjithçka që ishte shterrënuar. Por siç ndodh gjithmonë me marrëdhënien e aty që guxojnë dhe aty që janë në errësirë dhe nuk duan dritë, aty ku kishin gjetur rehati injorancën e tyre dhe nuk donin ndryshimin, nuk e përballonin dot se ishin të paaftë e dembelë, ishin rehatuar aty nga politika, filluan shpifjet, denigrimet dhe përpjekjet për të mos e ndryshuar status quo-në. Kështu, në një betejë që duket si një luftë e pabarabartë, ëndrra u ndërpre.
Reforma që nisi nuk kishte vetëm një ndryshim strukture programore dhe organizative, por një ripërtëritje të thellë të shpirtit të këtij institucioni. Erdhi një staf i ri, që u bashkua me të vjetrit. Erdhi një grup njerëzish të rinj që kishin energjinë e nevojshme për të ringjallur një sistem të mpakur. Ata nuk ishin thjesht një numër, ata ishin një përpjekje për të mbijetuar diçka që kishte mbetur pajetë aq gjatë. Unë jam dhe do të jem gjithnjë krenare që e përjetova dhe kontribuova për këtë ndryshim, pasi duke qenë edhe pjesë e Këshillit për Shikuesit dhe Dëgjuesit, së bashku me kolegët, u përpoqëm të bënim më të mirën. Unë do të jem përherë e përkushtuar për ringritjen, sepse kur një njeri ka pasion dhe përkushtim, kur e sheh botën si mundësi dhe jo si barrë, i jep vetes kurajë dhe vazhdon të luftojë. Televizioni që unë dua për fëmijët e mi është shpirti i shoqërisë, pasqyra ku shoh veten, dhe në shumë raste, udhërrëfyesi im.
Ai duhet të drejtohet nga një profesionist, ose më mirë nga një grup profesionistësh që kanë guximin të përballen me përgjegjësinë e madhe që ka ky institucion. Duhet individë që e njohin mirë shoqërinë, liderë vizionarë që shohin përtej të tashmes, që kuptojnë ndjeshmërinë e të gjitha shtresave të shoqërisë. Njerëzit e aftë të ndërtojnë një strategji afatgjatë që shërben çdo qytetari, pa dallim. Njerëzit të ndershëm dhe të pakorruptueshëm, që i tejkalojnë interesat e tyre, në këmbim të përmbushjes së misionit të shenjtë. Këta njerëz duhet të krijojnë një hapësirë ku nëpërmjet transmetimeve, të ndihmohet çdo individ të kuptojë më mirë botën që e rrethon, por dhe të gjejë më shumë mundësi për të zhvilluar veten personalisht dhe profesionalisht. Njerëzit në drejtim të këtij institucioni duhet të jenë menaxherë të mirë, sepse Televizioni publik është një makineri gjigande, e ndërlikuar, që kërkon menaxhim të shkëlqyer të burimeve njerëzore dhe financiare.
Duhet një staf i dedikuar dhe i motivuar, që udhëheq me shembull dhe garanton që çdo anëtar i stafit të ndihet i vlerësuar dhe i përfshirë në misionin e përbashkët. E ndoqa edhe këtë herë podkastin e Kryeministrit Edi Rama, Kryeministrit që dua, mbështes dhe admiroj prej vitesh, me shpresë për të dëgjuar diçka të bukur, sepse ishin në fokus fituesit e Festivalit të Këngës në RTSH, ata që do të na përfaqësojnë në Eurovizion. Kryeministri nuk e ndjek prej vitesh Festivalin, i cili për mua dhe për të gjithë të tjerët nuk është thjesht një ngjarje kulturore, por një shkëndijë shprese, një dritë që shpall identitetin dhe shpirtin e popullit tim. Në Eurovizion thirret me forcë emri i Shqipërisë dhe kjo mjafton për të na dhënë shpresë për një të ardhme më të bukur, teksa ngjarja merr vëmendjen e të gjithëve. Kryeministri i vendit punon çdo ditë për Shqipërinë, për kulturën dhe e bën këtë me dashuri të madhe.
Nëpërmjet artit dhe muzikës, Shqipëria mund të kalojë kufijtë e politikës dhe të krijojë një hapësirë ku njerëzit bashkohen, ku emocionet dhe krijimtaria i shndërrojnë individët në një komunitet të madh. Nëse Kryeministri që unë dua, z. Edi Rama, do ta ndjekë festivalin çdo vit, ai do të kuptojë se çdo fjalë, çdo këngë, është një thirrje për ndihmë për ta mbështetur kulturën dhe artin. Do të kuptojë se ngjarja, me aq ndikim në popull dhe jo vetëm, mund të bëhet më e bukur nëse ai e mbështet. Nëse ai nuk e sheh, ndoshta e humbet mundësinë për të parë diçka që vuan në heshtje dhe mosinteresim. Humbet mundësinë për të parë një art që kërkon të ngrihet, të mbështetet, të shprehet. Për të mirën e vendit, Kryeministri Edi Rama duhet ta shohë Festivalin dhe të tregojë se kultura, arti dhe muzika janë pasuri që na frymëzojnë për ta bërë botën më të mirë. Unë dhe të gjithë profesionistët e ndershëm jemi dhe do të jemi këtu, në vazhdim të misionit tonë, duke kontribuar. Të gatshëm për të sakrifikuar për një Shqipëri dhe një Televizion më të bukur. Nëse Kryeministri nuk na sheh, nuk ka si të ndihmojë.