Mediat greke, por dhe oficerë policie kanë reaguar ashpër pas arratisjes së dy 41-vjeçarëve shqiptarë nga burgu i sigurisë së ulët të Kassavetias.
Romeo Qosja dhe Lefter Toçi ishin dënuar të dy me nga 20 vjet heqje lirie për disa akuza të rënda përfshirë bashkëpunimin në vrasje e grabitje me armë.
“Ndoshta disa njerëz nuk i konsiderojnë të rrezikshëm, dy persona që vranë një pronar dyqani në Elefsina dhe një grua 75-vjeçare në shtëpinë e saj në Aspropirgos”, tha për “Zougla” një oficer policie që ishte marrë me këtë grup kriminal.
“Si ka mundësi që kriminelë me një histori të tillë të marrin pesë leje? Dikush ka vënë firmën e tij dhe padyshim mban përgjegjësi”, vijon më tej media greke.
Romeo Qosja dhe Lefter Toçi rezultojnë të jenë arrestuar fillimisht më 31 mars 2015, bashkë me 5 të tjerë. Mes të arrestuarve të atëhershëm ishte edhe Alfons Ndoci, i cili u vra në 26 qershor të 2024 në burgun e Koridhalos.
Grupi shqiptaro-grek u akuzua atëherë për vrasjen e një 53-vjecari grek në Elefsina në 12 mars 2015 dhe grabitjen e bashkëshortes së tij, grabitjen dhe vrasjen e një 75-vjecareje greke në 6 tetor 2015 në Aspropyrgo, grabitjen e një 57-vjeçari në 10 mars 2015 në Spata, grabitjen e një 52-vjeçari dhe tentativën e grabitjes së një 75-vjeçareje në 15 gusht 2015 në Aspropyrgo, grabitjen e një çifti 52 dhe 43 vjeç në 6 tetor 2015 në Aspropyrgo dhe djegien e një automjeti në 12 mars 2015 në Glika Nera. Gjatë kontrolli të policisë atëherë, u sekuestruan 1 pistoletë, 1 revolver, 1 armë imituese, 1 karabinë, 2000 euro, bizhuteri, mjete për vjedhje, celularë dhe një sasi e vogël droge.