Partia Demokratike beson se zgjedhjet e 11 majit do të vendosen nga ekonomia dhe nga perceptimi që qytetarët kanë për çmimet , koston e jetesës, pagat e pensionet, ndaj opozita në 4 muajt e ardhshëm do të fokusohet këtu.
Një prej figurave kryesore të PD, Jorida Tabaku vë në dukje se pas 11 viteve pensionistët janë shtresa e shoqërisë që përballen me më shumë vështirësi.
“55% ka qenë rritja akumulative e çmimeve në këto 11 vite, në një kohë që rritja e pensioneve ka qenë 23%, indeksimi në fakt; që do të thotë gjysmën e rritjes së çmimeve. Pensionet janë në rënie reale, përveç faktit që pensionistët janë rritur me 300 mijë”, tha Jorida Tabaku.
Sipas Tabakut bonusi i fundvitit të kaluar dhe ai i pranverës është për qëllime elektorale e nuk i ndihmon pensionistët të jetojnë më mirë.
“Unë i konsideroj këto elektorale i konsideroj edhe të shëmtuara. Kur ti diskuton për një Shqipëri që ka hapur negociatat, kur ti flet për mbylljen e të gjitha hendeqeve që ekzistojnë mes Shqipërisë dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe atyre europiane dhe ti blen votën e pensionistëve. Shqipëria ndodhet pas vendeve të Ballkanit perëndimor në pagën mesatare, në pagën e sektorit publik, në të ardhurat për frymë por edhe për pensionet. Dhe të gjitha këto element janë çështje të standardëve të jetesës që qeveria ka dështuar ti plotësojë në 11 vite dhe s ka për ti plotësuar me asnjë pagesë elektorale”, shtoi ajo.
Jorida Tabaku shpjegon se në programin elektoral të Partisë Demokratike parashikohen jo vetëm masa si vendosja e minimumit jetik prej 200 eurosh, rritja e pensioneve dhe pagave, por edhe ndihma për biznesin dhe vendosja e taksës së sheshtë në nivelin 10%. Sipas Tabakut ka ardhur koha që Shqipëria të ketë një kod fiskal.
“Heqja e të gjitha ligjeve përjashtimore, heqja e të gjithë përjashtimeve fiskale heqja e të gjitha ligjeve me porosi unë mendoj që vendos një drejtësi në sistemin e taksave dhe që stimulon ekonominë”, deklaroi Tabaku.
Pavarësisht programeve për ekonominë apo edhe premtimeve për paga e pensione më të larta, Partia Demokratike ka shënuar 6 humbje në fushëbetejat elektorale përballë kryeministrit Edi Rama dhe Partisë Socialiste e mbetet për tu parë se çfarë do të bëjë opozita për të përmbysur rezultatin në 4 muajt e ardhshëm. /vizionplus.tv