Ballina Slider Lara, vashëza e dëborës që fluturon bashkë me shqiponjat

Lara, vashëza e dëborës që fluturon bashkë me shqiponjat

15
0
Screenshot

Vajza e një kampioneje olimpike, rrëshkiste në pistat e dëborës që kur ishte vetëm disa muajshe. Sot, në moshën 18-vjeçare, ka arritur podiumet e Kupës së Botës: Lara Colturi është premtimi i madh i sportit italian, por që garon për Shqipërinë

E përjavshmja italiane “Il Venerdi”, i ka kushtuar pak ditë më parë një speciale skiatores Lara Colturi, e cila në Kupën e Botës në Ski garon për Shqipërinë. 16-vjeçarja ka tërhequr tashmë vëmendjen e mediave botërore dhe specialistëve të sportit nga e gjithë bota, me performancat e saj në rritje, që kur nisi të garojë në arenën ndërkombëtare.

Bota.al sjell më poshtë të plotë artikullin që mban autorësinë e Mattia Chiusano, i cili është botuar disa ditë pasi Colturi u ngjit për herë të parë në një podium në krah të Mikaela Shiffrinit. Po ndërkohë ka patur edhe zhvillime të tjera, pasi vetëm dy ditë më parë, Colturi ka mundur të ngjitet sërish në podium në garën e Kupës së Botës që zhvillohej në Slloveni. Më poshtë artikulli i plotë.

*

“Mami dhe babi kanë qenë gjithmonë me mua. Mami në nisje, babi në pistë.” Kështu ndizet zëri i Lara Colturit, kampiones së re që i mungon më së shumti sportit italian. Sepse ajo është aty, është protagoniste, garon në Kupën e Botës në ski që kur ishte 15 vjeç, dhe tani që është 18, është ngjitur në podium. Me pak fjalë, po fillon të shkëlqejë. Por jo për Italinë, sepse flamuri i saj është ai i Shqipërisë, dhe në uniformën e saj është shqiponja e zezë me dy koka. Sa keqardhje për këtë skiatore, e cila mund të bëhet unike dhe të lërë gjurmë në vitet e ardhshme në sportin e skive.

Edhe e ëma e saj, nuk mbetej pas dikur. Daniela Ceccarelli në historinë olimpike është skiatorja e tretë italiane që ka fituar një medalje të artë: të parat janë Paoletta Magoni (’84) dhe Deborah Compagnoni (’92, ’94, ’98). Pastaj vjen ajo, shumë përpara Sofia Goggias.

ME FORCË NGA KËSHTJELLAT

Lojërat e Salt Lake City 2002, pak javë pas 11 shtatorit: Në territorin amerikan mbahet një edicion gare skish me siguri të jashtëzakonshme. Marinsat dhe agjentët civilë janë kudo. Publikut vendas nuk i interesojnë shumë skitë alpine, më mirë hokeji dhe patinazhi, por në pistën e Snoëbasin ndodh diçka që tërheq vëmendjen dhe gjen hapësirë në NBC, USA Today, Los Angeles Times.

«Dahnièla Ceccaruelli nga Frascaati», thërret komentatori i super-garës për femra. Në Frascaati, në të vërtetë, ndodhet vetëm spitali ku ajo lindi. Daniela Ceccarelli është nga Rocca Priora, Castelli Romani. Fakti që është romane i godet amerikanët, me atë mbiemër kaq italian, jo me pamje teutonike si disa nga vajzat e tjera italiane, dhe me atë mënyrë sjelljeje kaq të veçantë: e shpenguar, tërheqëse, tashmë e martuar, e vetmja në atë kohë që bënte grim të përsosur.

«Nuk jam skiatorja e zakonshme», thotë ajo pas triumfit kundër idhullit të asaj kohe, kroates Janica Kostelic. Nëna e saj është nga Grotaferrata, babai një “Top Gun” nga Frascaati që fluturonte me avionët F104, madje edhe në misione në Gjirin Persik: kur Daniela ishte e vogël, ai e çonte me rulotë për të bërë ski në Stelvio. Në atë pikë, lind dashuria mes nënës së ardhshme të Lara Colturi-t dhe publikut, i cili ndjek atë që ndodh në Rocky Mountains, para se të rikthehen te futbolli amerikan dhe NBA.

OLIMPIADA NË BARK

Katër vite më vonë vjen Torino 2006, një Olimpiadë e rëndësishme për familjen Colturi. Bashkëshorti i Danielës, Alessandro, një instruktor skish, është drejtor i pistës. Ajo mbron titullin e saj, por nuk është në formë të mirë pas një dëmtimi dhe përfundon në prapavijë në super-garë.

Por në jetën e saj po ndodhte diçka tjetër. Në maj, ajo ishte tre muajshe shtatzënë, dhe në nëntor bëhet nënë: vajza e porsalindur është Lara. «Mund të themi që Lara ka marrë pjesë tashmë në një Olimpiadë», thotë me shaka Daniela, «dhe shpresojmë që në të ardhmen të jetë më e shpejtë se sa nëna e saj atëherë».

Mëmësia, sidoqoftë, nuk i frenon ambiciet e skiatores. Pas Torinos, vjen sezoni që çon drejt Kampionatit Botëror në Are, Suedi. Por atmosfera rreth ekipit Ceccarelli kishte ndryshuar. Sot ajo thotë: «E kam hedhur pas vetes, mezi e kujtoj çfarë ndodhi dhe nuk ka ndikuar në marrëdhëniet me Federatën.» Por atëherë, në vitin 2007, Daniela denoncoi se ishte dekurajuar të vazhdonte aktivitetin dhe se kishte qenë e detyruar «të bënte gjithçka vetë pas lindjes, sepse një skiatore nuk mund të jetë nënë».

Pavarësisht mungesës së thirrjes për Kampionatin Botëror, Daniela vazhdoi deri në vitin 2010. Dhe është pikërisht në këtë perëndim të gjatë që merr formë diçka magjike: lidhja e Larës me dëborën.

JAZZ dhe LA La LAND

Nëse sot ylli i sportit shqiptar thotë se «mami dhe babi kanë qenë gjithmonë aty për mua», kjo është edhe sepse në çdo moment të rëndësishëm të jetës së saj, ata kanë qenë pranë saj, që nga fëmijëria e hershme, kur prindërit ishin të angazhuar. Drejtuesit e Federatës Botërore të Skive tmerroheshin kur shikonin Larën të zvarritej mes çizmeve dhe skive të mprehta, ndërsa qëndronte pranë nënës së saj gjatë garave. Shpesh, ajo shfaqej duke luajtur me duart në dëborë mes këmbëve të Lindsey Vonn, yllit amerikan të shpejtësisë, që arriti të fitonte 82 gara të Kupës së Botës.

Në të njëjtën periudhë, merr jetë një projekt që do të shënojë fatin e kësaj familjeje, ku nëna nuk është vetëm kampione, por edhe një sipërmarrëse: Golden Team Ceccarelli, me bazë në Cesana Torinese, në luginat ku Daniela Ceccarelli është vendosur me bashkëshortin e saj. Pikërisht në këtë qendër specializimi për ski lindën lidhjet me sportistë shqiptarë që jetonin në zonë, dhe rrjedhimisht me Federatën Shqiptare në Tiranë, e cila do t’i ofronte talentit të së ardhmes një shans për të garuar nën flamurin shqiptar.

Sepse në ndërkohë, Lara e ka me nxitim etapat”: që në moshën 13 muajshe është mbi ski – për të nuk ka asnjë dallim mes të ecurit dhe të bërit ski në borën e Sestrieres.

Duke u rritur, Lara zhvillon shumë interesa të tjera, të cilave u përkushtohet me të njëjtën intensitet që ka për garat me ski. Një nga këto është muzika dhe pianoja, në të cilën studion pjesë dhe zhanre të ndryshme. «Po përpiqem të luaj ‘La La Land’, një këngë që e kam shumë për zemër», tregon Lara nga një prej resorteve të shumta që organizojnë turneun dimëror në Kupën e Botës.

«Ajo muzikë ka shoqëruar një nga programet e mia të patinazhit, dhe më pëlqen edhe filmi, ashtu siç më pëlqen muzika jazz në piano. Edhe pse, në përditshmëri, dëgjoj më shumë pop anglisht», shton ajo.

Nga fjalët e saj duket qartë se, përveç skive, ekziston edhe një pasion tjetër, që mund të kuptohet edhe duke parë rrjetet sociale, ku Lara shfaqet duke rrëshqitur në një liqen të ngrirë gjatë udhëtimit të saj në Levi, Finlandë. «Patinazhi ka qenë gjithmonë pjesë e imja. Deri para tre-katër vitesh merrja ende pjesë në gara, por për fat të keq, kur nisën garat e Kupës së Botës, u bë e vështirë të praktikoj të dyja disiplinat. Patinat i kam gjithmonë me vete. Sapo gjej një pistë akulli ose një liqen të ngrirë, i jap vetes liri: patinazhi më çliron mendjen.»

Për një vajzë me kaq shumë horizonte të hapura, nuk mund të mungonin as studimet. Lara ndjek Ekonomi Biznes në Ski College Fréjus në Bardonecchia: «Jam në vitin e pestë të gjimnazit. Është një shkollë private, por me të njëjtat rregulla si një shkollë publike. Duhet të jesh i pranishëm, të bësh të gjitha provimet dhe të ndjekësh programet si gjithë nxënësit e tjerë. Ata më ndihmojnë shumë: më regjistrojnë leksionet që mund t’i dëgjoj edhe kur jam në anën tjetër të botës. Këtë vit kam maturën dhe duhet të përqendrohem shumë.»

E ARDHMJA MUND TË PRESË

Pianoja, patinazhi dhe studimet janë shokë të mirë për një udhëtim që premton të jetë madhështor.

Falë një pjekurie të hershme dhe një strukture teknike që bëhen të papërputhshme me programet federale, Lara, që adoleshente, ka një ekip privat të drejtuar nga e ëma, trajnerja, dhe i ati, skiman-i i saj. Më vonë, këtë vend e zë një legjendë: Andrea Vianello, i cili dikur punonte krah Alberto Tombës.

Që nga mosha dhjetë vjeçare, Lara studion teknika frymëmarrjeje, ndjek një qendër performance në Marcon, në provincën e Venecias, ka një osteopat (Martino Delleani), një trajner atletike që e ndjek nga Los Angeles (Antonio Squillante), një nutricioniste (Luisa Finotti), një përgjegjës për komunikimin (Andrea Cappelletti) dhe sponsorë si Red Bull, Carpisa dhe Yamamay.

Federata Italiane e Skive e përfshin talentin në listën e të “vëzhguarve,” por nuk mund të shkelë një protokoll që parashikon një afrim gradual dhe ekipor drejt majave të skive. Por ndërkohë, familja Ceccarelli-Colturi e ka me nxitim.

Për këtë arsye, ata pranojnë ofertën për të garuar me Kombëtaren Shqiptare, ku nëna Daniela bëhet trajnerja e saj. Kështu, objektivi për të debutuar menjëherë në Kupën e Botës realizohet. Ende pa mbushur 16 vjeç, Lara gjendet në portën e nisjes së garës. Pas dëmtimit të ligamentit të kryqëzuar të gjurit të djathtë, që e la jashtë Kampionatit Botëror në Meribel gjatë sezonit të parë, ajo rikuperon dhe, në nëntorin e kaluar, arrin podiumin e parë për Shqipërinë: vendi i dytë në slalomin e Gurgl.

«U gjenda në podium pranë Mikaela Shiffrinit, që deri para katër vitesh e shikoja nga ekrani i televizorit. Është një ëndërr, por unë preferoj të jetoj hap pas hapi. Kur më pyesin për Olimpiadën Milano-Cortina ose kur do të rikthehem të garoj për Italinë, përgjigjem se i shoh të gjitha këto shumë larg. Gjithmonë përpiqem të vendos objektiva të vegjël, të përmirësohem teknikisht dhe, më thjesht, të argëtohem në garë. Duke e mbajtur mendjen të lirë: e ardhmja mund të presë.» / Il Venerdi – Bota.al